DITA E NJË TË MOSHUARI!

Muhamet Borova
Të gjithë e dëshirojmë jetëgjatësinë, por jo edhe pleqërinë. Pleqëria është një fat i bekuar, por edhe një monotoni e theksuar. Jeta në pleqëri zhvillohet me rutinën e njëjtë. Të moshuarit nuk kanë ideale, nuk kanë vizione, por i kanë vetëm vitet! Ditët i kalojnë pa kreativitet, prandaj dita u duket shumë e gjatë. Jetën e kanë pa energjin vitale. Historisë së tyre askush nuk i kushton vëmendje. Këshillat e tyre nuk kanë ndikim. Jetojnë me nostalgjin e kujtimeve të dikurshme. Por përsëri në qendër të qenies së tyre është mirësia dhe mirënjohja e pafundme.
Zgjohen herët, pasi herët flejnë! Flejnë sikur kanë qenë në “komë”, por kur zgjohen ankohen se nuk kanë fjetur rehat. Dëshirojnë të ndihmojnë në punët e shtëpisë,por më shumë pengojnë. Bëjnë panik kur tabletat janë nga fundi , friksohen mos harxhohen para se të mbaroj muaji! Vazhdimisht ankohen për dhimbjen e eshtrave duke paralajmëruar se koha do të prishet. Pleqët harrojnë se “vdekjen” nuk e sjell plakja por harresa! Me shumë pasion pranojnë ta bëjn pazarin ditor,por çdoherë blejnë gjëra të gabuara nga ajo që u është porositur.
Flasin për kohërat e kaluara sa shumë kanë punuar dhe vuajtur, për arritjet që sot i ka familja. Pas çdo vakti e bëjn matjen e tensionit. Vazhdimisht ankohen për tensionin e gjakut, për nivelin e sheqerit, për problemet me prostatën! Mendojnë se pleqëria ka ardhur menjëherë dhe jo gradualisht.
Pleqët mendojnë se jetën do ta kenë më të lehtë nëse fëmijët i kanë pranë. Ashtu ndihen më të sigurtë nga frika e sëmundjeve. Harrojnë se fëmijët e kanë jetën e tyre, fatin e tyre . Harrojnë se fëmijët i kanë fëmijët e tyre që duhet të rriten,edukohen,të arsimohen,të punësohen dhe të martohen. Brengosen kur fëmijët emigrojnë, por gëzohen kur ato investojnë për kujdesin ndaj tyre.
Ato që plakjen e shohin si diçka të bukur, si fat i dhuruar nga Zoti, jetën e kanë më të freskët. Pleqëria është triumfi i moshës mbi kohën, një formë e re në imazhin e njeriut, një libër i shkruar në “relievin” e fytyrës me rrudha. Njerëzit e moshuar kanë mësuar nga libiri i madh i jetës, por askush ska durrim që mësimet e tyre ti dëgjojë! Mosha i ndanë gjeneratat,dashuria i bashkon dhe përsëri i lidhë!
.

































