
Në palestrën sportive të Shkollës Fillore “Vëllezërit Milladinov” në Strugë u zhvilluan sot garat komunale shkollore në volejboll, duke mbledhur ekipet më të mira të shkollave të qytetit dhe fshatrave përreth. Atmosfera sportive, entuziazmi dhe fryma garuese shënuan një ditë të suksesshme për sportin shkollor.
Në këtë aktivitet morën pjesë këto shkolla:
- “Vëllezërit Milladinov” Strugë (vajza dhe djem)
- “Josip Broz Tito” Strugë (vajza dhe djem)
- “Yahya Kemal” Strugë (vajza)
- “Aki Dika” Livadhi (vajza dhe djem)
- “Goce Dellçev” Podgorci (djem)
Pas ndeshjeve të forta dhe lojës së shkëlqyer, kampion në të dy kategoritë – vajza dhe djem – u shpall ekipi i ShFK “Vëllezërit Milladinov” nga Struga. Ekipet fituese u drejtuan me profesionalizëm nga prof. Betim Shabani dhe ndihmësi i tij, prof. Hynor Dauti, të cilët u vlerësuan për punën dhe përkushtimin e tyre në përgatitjen e nxënësve.
Fitorja e sotme konfirmon edhe një herë traditën e fortë sportive të shkollës “Vëllezërit Milladinov”, duke treguar se talenti dhe puna e palodhur vazhdojnë të sjellin rezultate të shkëlqyera.
Organizatorët falënderuan të gjitha shkollat për pjesëmarrjen, duke theksuar rëndësinë e aktiviteteve sportive në zhvillimin fizik, ekipor dhe social të nxënësve.





























