Aktuale

Do të ketë tolerancë dhe si do ti raportojnë qytetarë parregullsitë lidhur me kamerat radar

Problemet me të cilat po përballen shoferët, që nga aktivizimi i kamerave të projektit “Qytet i Sigurt” në periudhën testuese deri më 1 shkurt, do të mund të raportohen në një pikë fizike ose përmes një faqeje interneti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se në kuadër të shërbimeve administrative të MPB-së, të njohura si shërbimet e pasaportave, do të hapet një sportel për raportimin e të gjitha gabimeve të sistemit me të cilat janë përballur qytetarët.

Përveç raportimit fizik, shoferët së shpejti do të mund t’i paraqesin parregullsitë edhe online, ndërsa ministri paralajmëroi edhe një aplikacion mobil për njoftimin e anomalive të projektit “Qytet i Sigurt”.

Toshkovski tha se po punohet në eliminimin e të gjitha parregullsive dhe se nga 1 shkurti shoferët do të kontribuojnë me vetëdije për sigurinë në komunikacion.

Sa i përket pragut të tolerancës – pra nëse do t’i falet shoferit që në vend të 50 km/h ka vozitur 51 apo 52 km/h – ministri konfirmoi se do të ketë një prag tolerance në përputhje me standardet evropiane, por kjo tolerancë do të vlejë vetëm për kundërvajtje dhe jo kur bëhet fjalë për vepër penale në komunikacion.

“Po t’i marrim statistikat globale, në vozitje me 60 km/h, nga 10 të lënduar në një aksident të gjithë kanë vdekur; në shkelje penale me shpejtësi 50 km/h, nga 10 të lënduar kanë mbijetuar vetëm dy; ndërsa me shpejtësi 30 km/h, nga 10 persona kanë mbijetuar 8,” tha Toshkovski.

Meqë kamerat do të incizojnë dhe kontrollojnë trafikun edhe në autostrada, MPB njoftoi se do të ketë rishikim të sinjalistikës rrugore në vendet ku janë vendosur kamerat. Kjo vjen pas ankesave të qytetarëve, veçanërisht në autostradën Tetovë–Shkup, se shenja e shpejtësisë së lejuar ishte vendosur pas kamerës.

Periudha testuese e sistemit “Qytet i Sigurt” funksionon tashmë dy javë dhe, sipas të dhënave, ka përmirësim të madh të ndërgjegjësimit të shoferëve për respektimin e rregullave të trafikut. Ditët e fundit, megjithatë, qytetarët që udhëtojnë për në dhe nga vendi i punës ankohen për vonesa dhe kolona të mëdha, pikërisht për shkak të rregullave të reja. 

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button