Dr.Bexhet Asani :Frymëzim sjell copëza e parajsës strugane

ESKLUZIVE: INTERVISTË Dr. BEXHET ASANI

Në duart tuaja tani mund të keni dy tituj letrarë: “Optika letrare” dhe “Hyjnia e syve” të prof. Bexhet Asanit

‘Sa i përketë frymëzimit atë e gjej kudo, e gjej atje ku jam unë. Ndërgjegjen time të hollë mund ta prek dhe një fjalë, e nga ajo të bëj një poezi, një skicë, një tregim, një punim shkencor etj. Pak frymëzim sjell natyra jonë e bukur, liqeni, drini, malet e rrëpira, copëza e parajsës strugane, e tërë atdheu ynë i Gadishullit ilirik”.

 

Kush je ti? Dr. Bexhet Asani lindi në fshatin Zagraçan të Strugës, Maqedoni,  më 1 gusht të vitit 1957. Profesor, studiues, poet, prozator, publicist, kritik letrar. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Strugë. Fakultetin Filozofik e kreu në Universitetin e Prishtinës – Letërsi dhe Gjuhë shqipe. Pas përfundimit të fakultetit, një kohë punoi si gazetar – korrespondent në

“Rilindja”  Prishtinë dhe “Flaka e vëllazërimit “ në Shkup.

Pas vitit 1991 punoi në gjimnazin “ilegal” privat “Hajdar Dushi”  në Ladorisht deri më 1995, kur e mbyllën me dhunë forcat policore maqedonase. Nga viti 1997 ligjëron lëndën e Gjuhës shqipe në shkollën e mesme “Niko Nestor”  në Strugë. Nga viti 2008 ligjëron në Universitetin privat FON në Strugë dhe në Shkup. Në Universitetin e Kosovës, në Prishtinë, mbaroi studimet pasuniversitare dhe mori titullin: Magjistër i shkencave filologjike (Kosovë, 2004), kurse në Universitetin Shën Cirili dhe Metodi – Fakulteti Filologjik “Blazhe Koneski”, në Shkup, mbrojti me sukses temën e disertacionit “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni, në kontekst të transformimeve shoqërore”  dhe mori titullin akademik – Doktor i shkencave filologjike. (Maqedoni, 2007 ). Dr. Bexhet Asani është aktiv dhe është në vlugun e krijimtarisë së tij letrare dhe shkencore. Është pjesëmarrës në disa simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shkruan dhe boton vazhdimisht punimet publicistike nëpër gazeta dhe revista që botohen në mbarë hapësirën shqiptare si dhe në revista që botohen në gjuhë të huaja. Është aktiv edhe në rrjetet sociale – letrare në internet.

Veprat shkollore:

“Teoria e letërsisë – Njohuri të përgjithshme” Libër për shkollat tetëvjeçare dhe për shkollat e mesme, botoi Prosvetno Dello – Shkup 1998.

“Fletë pune – Të shprehurit dhe krijimtaria për klasën III”, botoi Prosvetno Dello – Shkup (Disa ribotime) 2004.

Veprat letrare: “Nuse përtejdetit” (Tregime, 1994);

Baladë për numrin e (Poezi, 1993),

“Nuse përtejdetit” (prozë- poezi për të rritur dhe poezi për fëmijë, ribotim me plotësime 2012). Poezitë dhe tregimet për të rritur i ka botuar te gazeta “ Rilindja “ (Prishtinë) dhe “Flaka e vëllazërimit” (Shkup), kurse poezitë për fëmijë te revista “Pionieri” dhe “Rilindja për fëmijë” (Prishtinë), “Gazeta shqiptare” dhe Gazeta “Ndryshe” (Tiranë).

Veprat shkencore:

“Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” (Studim monografik) Strugë, 2011.

“Studime letrare” (recensione dhe kritikë letrare 2015);

“Ç’ u këput një degë qarri” (këngë popullore 1996);

“Zura trëndafil me vesë” (këngë dhe prozë popullore 2003);

“Gjimnazi “Hajdar Dushi” çerdhe e diturisë” (monografi 2005); “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” (studim monografik);

“Këngët popullore ritual toske të trevës së Strugës” (studim monografik 2012).

“Optika letrare” (Këndvështrim, studime, gjuhësi, skica, letra, mesazhe etj) Tiranë, 2017.

“Hyjni e syve” (poezi), shqip- anglisht  Strugë, 2017.

Botimet në gjuhë të huaja: “Народната лирика кај албанците во Македонија” (монографска студија 2012)

Antologjitë: Është përfaqësuar në antologjitë “100 gonxhe për nënën” (përmbledhje me poezi dhe prozë) Strugë, 2010; “Lirika e margaritarëve” (poezi) Strugë,2001. “Poem betwen two summers – Struga” poetry evenings, 2012. “Godina na esejot” – Mediteranska akademija Struga, 2010 etj.

Vlerësim: Për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore kanë shkruar kritikët dhe publicistët: dr. Nuhi Vinca, dr. Rami Tuda, dr. Kristaq F.  Shabani, dr. Rrustem Berisha, dr. Sadri Fetiu, dr.Tome Sazdov, Muhamet Borova, Liman Çermenika, Miladin Ugrenoviq, Lume Plaku, Zyba Hysa, Qenan Hasani, Medi Memishi etj. “Nuse përtejdetit” (prozë – poezi për të rritur dhe poezi për fëmijë ribotim me plotësime 2012), konsiderohet vepra më e arrirë artistikisht dhe më përfaqësuese e krijimtarisë së tij letrare, kurse nga veprat shkencore konsiderohen veprat: “Studimi monografik: Lirika popullore shqiptare në Maqedoni”, e cila është marrë edhe nga biblioteka publike e Nju Jorkut, studimi “Këngët popullore ritual toske të trevës së Strugës” (studim monografik 2012), vepra “Studime letrare” (2015) etj.

 

 

Sa  ju zotoheni për punët që bëni dhe ku e gjeni ndihmën a frymëzimin

Puna është punë, puna është nder  dhe duhet respektuar.  Gjithmonë punën e kam kryer me ndërgjegje me besim në vetvete dhe me përgjegjësi të plotë. Qoftë punën arsimore, qoftë punën letrare, qoftë punën shkencore. Në arsim punova mbi çerek shekulli, duhej edhe më shumë, por pushteti i atëhershëm Jugosllav  veç pasaportës më mori dhe të drejtën e punës.

Megjithatë motoja e jetës sime ka qenë të edukoj, të arsimoj dhe të ngrejë moralin te brezi i  ri. Shpresoj që t’ia kem arritur qëllimit. Kjo mund të shihet nga letrat, mesazhet dhe komentet e shumtë që më kanë ardhur nga nxënësit e studentët e mi. Disa janë përfshirë edhe te libri më i ri “Optika letrare” i cili doli nga botimi më 8 gusht të vitit 2017. Po t’ia nis punës vështirë ta lë pa e përfunduar (siç bënte i madhi Faik Konica) sikur të më shterren tërë energjitë. Po e lash një punë pa e përfunduar, i kthehem me vështirësi të mëdha ose rrallë herë e lë fare..! Ndihmën, eh, është fjalë e përgjithësuar! Në radhë të parë te vetvetja nëse kam nevojë nuk ngurroj asnjëherë për të kërkuar ndihmë nga koleget dhe kolegët e mi te të cilët unë kam besim. Ka kolegë të cilët i mbyt xhelozia “profesionale”. Ka kolegë të cilët i mbyt në kuptimin e mirë të fjalës altruizmi. Në grupin e dytë bën pjesë profesor Zeqirja Neziri, profesor Kristaq Shabani, dr. Rrustem Berisha, dr. Sadri Fetiu, profesor Agim Vinca e ndonjë tjetër, pa e rradhitur veten time këtu që i kam dhënë krahë të fluturojë edhe ndonjë“zogu” pa pendë, që do të thotë edhe ndonjë të patalentuarit! Mbase mund të kem bërë dhe “krim” por këtë dilemë më hoqi i madhi Isamil Kadare, i cili midis tjerash tha: “Edhe në kohën e Dante Aligerit ka pasur shkrimtarë të tjerë, por mbijetoi vetëm ai.”

Shkrimet e mia në fillim të krijimtarisë ua jepja shokëve të mi që t’i lexonin dhe i shihja në fytyrë reagimet e tyre. Po t’u plqenin atëherë i çoja në shtyp. Nuk bëri vaki që krijimet e mia të mos pëlqeheshin. Më vonë shkrimet e mia e para i lexonte bashkëshortja ime Afërditë, atë e kisha kritiken më të ashpër. Kur ndonjë shkrim nuk i pëlqente thoshte shkurt: – S’ bën! Dhe kjo nuk më shqetësonte shumë, më shumë më shqetësonte ajo se nuk më tregonte se çfarë nuk bënte në atë shkrim…! Meqë jam te bashkëshortja ime, atëherë t’u tregojë edhe një moment interesant: isha duke e përgatitur disertacioni dhe e kisha bërë rrëmujë dhomën ku punoja, njëherit ishte edhe dhoma e ndenjes. U lodha dhe dola që të pushoja pak, te kopshti im i pemëve frutore, apo siç dua ta quaj nganjëherë mini plantacioni i pemëve. Pasi pushova për disa minuta, u ktheva në dhomë. Ç’të shihja, librat i kishte paluar të gjithë, librat të cilat i kisha shpërndarë në dy tavolina. Kisha edhe nja gjysmë ore punë dhe e përfundoja. Kur i pash librat e paluar mbi tavolinë, përpak gjesh më ra damllaja!  Falemnderit  Afërditë, ti intelektuale dhe e bëre këtë –  i thash, ma shtyve punën edhe për një javë! Sa mirë do ta përfundoja sot.

Sa i përketë frymëzimit atë e gjej kudo, e gjej atje ku jam unë. Ndërgjegjen time të hollë mund ta prek dhe një fjalë, e nga ajo të bëj një poezi, një skicë, një tregim, një punim shkencor etj. Pak frymëzim sjell natyra jonë e bukur, liqeni, drini, malet e rrëpira, copëza e parajsës strugane, e tërë atdheu ynë i Gadishullit ilirik.

 

Miku juaj i vërtetë. Pse zgjodhët pikërisht atë

Miku im i vërtetë. Kam mikesha e miq. Ka njrëz të mirë sepse ata e mbajnë këtë botë. Unë jetova në një kohë të pakohë sa krenare po aq e hidhur. Ndjekje, burgosje, rrahje bile edhe vrasje nga regjimi jugosllav. Më vjen mirë kur lexoj në facebook nga disa që unë i kam njohur: shok pune për dyzetë vjet etj, etj. Nga unë shok dyzet vjet kur mbi njëzetë vjet isha i pa punë. Shokët e mi të gjeneratës u shpërndanë si miza kali nëpër botë. Ngjarjet revolucionare më 1981 në Kosovë, rininë shqiptare në Maqedoni e dogjën njëlloj si ato lulet që i djeg bryma në pranverë thënë në mënyrë figurative. Kam mjaft shoqe e shokë të gjeneratës dhe të tjerë më të rinj e më të moshuar se unë. Nuk do të veçoj asnjë sepse ndonjëri edhe mund ta mbajë kokën mënjanë…!

Miku i vërtetë duhet të jetë i çiltër, i fjalës, i besës po nuk i pati këto veti, ai nuk mund të jetë mik i vërtetë. Nuk është e thënë kot fjala e urtë: “Miku është mik, në të keq e në rrezik!” Meqë m’u dha rasti, kam nderin që të përmend një mikun tim i cili ndërroi jetë para dy muajve, ai është Subi Kazaferi. Ai ishte një mik më shumë se mik, një shok më shumë se shok! Një mikpritës, i shkëlqyer, njeri i fjalës dhe i besës, dollibash i fundit në anët tona.

 

Letra që iu ka mbet pa dërguar (ose ndonjë dëshirë a porosi). A mendoni se duhet t’ia dërgoni? Pse dhe kujt?

Gjer më sot, nuk më ka mbetur letër pa dërguar! Sa i përket dëshirave ato janë nga më të ndryshmet. Ka mjaft prej tyre që nuk kam mundur që t’i realizoja. Shkaktar i mos realizimit të tyre ka qenë gjendja e vështirë ekonomike.

 

Profesioni për ju a ju për profesionin

Profesioni për mua dhe unë për profesionin pothuaj, janë të pandashëm. Jemi bërë njësh. Kolegët e mi më kanë thënë se paskam qenë i lindur për këtë profesion. Mendoj se kanë të drejtë. Ja ta ilustrojë këtë mendim të tyre. Kam punuar pesë vjet te Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Ladorisht. Për pesë vjet nuk kam munguar as edhe një minutë në orë të mësimit. Po ashtu edhe te shkolla e mesme “Niko Nestor” në Strugë, nuk kam munguar as një minutë, as një ditë nuk kam marrë pushim mjekësor, ashtu i sëmurë kam shkuar në punë. Dëshmi për këtë janë ish nxënësit, ish kolegët e mi etj.

 

Sa ia ke dalë mbanë në çaste kritike? Përmend ndonjë rast!

Gjithmonë kam dalë ngadhnjimtar. Kam shumë, por do të përmend vetëm një: Pas vitit 1981, më kanë mërzitur “pokanat” e UDB-së, të cilat i ruaj sot e kësaj dite, ftesat për biseda informative. Ata, inspektorët e sigurimit, të cilëve nuk dua as t’ua zë në gojë emrat, sepse nuk dua t’iu bëj nder, në shkrimet e mia, kërkonin me ngulm dhe me kërcënime deri në zhdukje që të më bënin bashkëpunëtor të tyre. Pas shumë bisedave torturuese psikologjike, mendova se aq e pat jeta ime. Më kishin rrethuar 5 a 6 inspektorë ca rrinin në këmbë e një apo dy ulur si duket ai qe kërcënimi i fundit: -“Ja Bexhet ku e ke karrigen, kishin lënë një karrige të shprazët, e që donin të thoshin se ja ku e ke vendin e punës dhe disa privilegje të tjera…!”  Më falni por unë kam një profesion tjetër që nuk ka të bëjë fare me këtë…! Mendova për një çast se do të më hidhnin nga kati i dytë…! Nuk e di as vetë sesi shpëtova. Babai im u shqetësua pa masë që më merrnin në biseda informative dhe një ditë prej ditësh më pyeti: “Çfarë ke bërë bre bir që të thërrasin ata kaq shpesh? ” Asgjë. – iu përgjiigja. – “Po atëherë pse të thërrasin?” – Duan që të më bëjnë bashkëpunëtor të tyre. – “Bëj si të duash, po nuk e kemi në oxhak!” kupto tradhtinë. Si shpërblim nga organet e UDB-së, më hoqën të drejtën elementare për jetën – punën, për afër 20 vjet! Pasaportën më morën për 13-14 vjet. I durova presionet psikologjike, politike, ekonomike etj. Por presioni ekonomik ishte më i tmerrshmi. Vlen të përmendet dhe ky moment: më kujtohet gjatë një ore të mësimit te shkolla e mesme “Niko Nestor” te klasa e mjekësisë, duke mbajtur mësim, një vajzë thotë: “ Profesor ju ka dalë emri në dosje!” Ishte koha e marrjes së dosjeve nga ish të përndjekurit politikë. U befasova pa masë. Pa menduar fare i them: Po, ishalla më ka dalë emri për mirë! Sepse UDB-ja atëherë montonte lloj-lloj rastesh. I sigurtë në vetvete i drejtohem nxënëses e cila sot është doktoreshë e dëgjuar. Thuaje atëherë para shoqeve dhe shokëve të tu, le të dinë edhe ata se çfarë profesori kanë! – “Jo profesor, për mirë të ka dalë. Te axha im gjendet një poezi juaja.” – Traktori? – “Po.” Atëherë u dashka që ta “lëvdojë” UDB-në e cila e paska ruajtur gati për 30 vjet poezinë time të cilën ia kisha kushtuar traktorit të parë të markës shqiptare. Unë e kisha zhdukur pas vitit 1981, kur filluan torturat psikologjike nga agjentët e sigurimit. Duhet ta them edhe këtë se një nipi im i ikur në Amerikë që në vitin 1985, sot e kësaj dite e di përmendësh poezinë me titull “Traktori”. Poezinë e kam shkruar në vitin 1978.

 

Kur iu kaplon dëshpërimi dhe ndjeheni të pafuqishëm Kurrë nuk  më ka kapluar dëshpërimi në jetë. Gjithmonë kam qenë, jam dhe do të jem optimist në  jetë. Bile kam qenë burim frymëzimi me karakterin tim të fortë edhe për të tjerët, për njerëzit e dëshpëruar.

 

Ç’do të kishe thënë për veten dhe të tjerët

Çfarë të them për vete? T’ u mbaj moral të tjerëve, kur vetë braktisa atdhenë…! Si t’ u them ju rrini këtu, unë do të ik…!  Njerëzit po ikin nga atdheu, pa nam pa nishan! U zbrazën fshatra dhe qytete si: Manstiri, Resnja, Dibra, ja tani po zbrazet edhe Struga! Popullin e ka kapur një sëmundje psikologjike-patologjike…! Një fjalë e urtë latine thotë: “Ku është mirë, atje atdhe! E si mund të jetë i mirë vendi i huaj dhe atdheu yt, të jetë i keq…! Dëgjoj fëmijët e kurbetçinjve flasin vetëm gjuhën e atyre vendeve nga vijnë si: anglisht, gjermanisht, suedisht, italisht, greqisht në shëtitoren e Strugës dhe asnjë fjalë shqip! E tmerrshme! Populln shqiptar do ta gllabërojë globalizimi, larg qoftë, si duket të parin nga popujt e tjerë…!“ Mjafton kaq: Unë nuk ika kur e kisha keq, ika kur e kisha mirë…! Duaje atdhenë, si shqipja folenë…!

 

Si do të të njohin të tjerët dhe me ç’sy të të shikojnë?

Ka njerëz të cilët e kanë gjakun e ëmbël, ka njerëz që e kanë gjakun shafran! Nuk e di se në cilin grup të njerëzve më futin mua..!? Si dua! Le të më njohin ashtu siç jam. Le të më shikojnë ashtu siç jam. Unë jam, ky që jam. Rrezatoj mirësi, urtësi, dashuri….! Nuk kam gënjyer, nuk kam vjedhur, nuk jam grindur, nuk jam marrë me punë të liga dhe më e rëndësishmja dhe mbi të gjitha, nuk kam tradhtuar kurrë. Fëmijëve të mi nuk do t’ u lë pasuri, pos veprave të mia letrare, publicistike e shkencore si dhe veprave, bëmave të mia humane. Nuk mjafton të them se jam vetëm altruist, por me plot kuptimin e fjalës jam bërë kurban i të tjerëve. Vitet e pas 1981 ishin të tmerrshme, nuk i dhash as një emër organeve të UDB-së. Sakrifikova veten, a nuk është pak kjo!?

 

Ç’është të luash rolin e të çmendurit në jetën reale ku s’mund të frymosh lirshëm

Kjo pyetje duhej më mirë t’i parashtrojej atyre që kanë luajtur rolin e të çmendurit. Gjë që ka pasur dhe ka mjaft raste. Kurrë s’ e kam luajtur në jetë rolin e të marrit, gjithmonë më ka karakterizuar çiltërsia, prandaj dhe kam rrëshqitur si derri në akull. Të jesh i drejtë është shumë vështirë, sepse je gjithmonë i humbur. Të drejtin e marrin përpara rrëketë dhe stuhitë dallkaukëve, matrapazëve, smirëzinjve etj. E si mund të frymojë lirshëm një i ndershëm para

këtyre nopranëve!? Sot njerëzit e ndershëm “ janë në fund të oqeanit”, e kanë vështirë të dalin në sipërfaqe. Pse? Sepse ata nuk mund të bien aq poshtë e të ballafaqohen me kriminelët , me hajdutët, me gënjeshtarët, me……!

 

E sotmja dhe e nesërmja juaj

Mundohem të punoj e të krijoj sa të mundem. Si rezultat i punës sime këto ditë dolën nga shtypi dy veprat e mia “Optika letrare” dhe “Hyjnia e syve”. Inkurajoj të rejat e të rinjtë, të cilët duan të futen në botën e vështirë të letërsisë e të shkencës. E nesërmja? Jo nuk bëj plane për të ardhmen sepse sa herë që kam bërë plane nuk ia kam dalë dhe kjo më shqetëson pastaj pa masë. Po e bëra planin gjallë-vdekur duhet të realizohet. Të nesërmen, të ardhmen lexuesi do të “korrë” , do të shijojë punën e të sotmes.

Ju falënderoj nga zemra që më zgjodhët mua që t’u japë këtë intervistë modeste. Të paktën u vunë në pah disa nga peripecitë e shumta të jetës sime.


Loading...
loading...