“Dr. Ibrahim Temo” viziton “Shqipërinë” në Strugë

Një grup nxënësish dhe stafi nga gjimnazi SH.M.K “Dr. Ibrahim Temo” realizuan një vizitë në Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë, ku u pritën nga Konsulli i Përgjithshëm, Petrit Musaj.
Gjatë takimit, Musaj u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që gjimnazi ka luajtur ndër vite në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e vlerave kombëtare. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve arsimore dhe atyre shtetërore, duke inkurajuar nxënësit të ndjekin rrugën e dijes dhe të angazhimit qytetar.
Nxënësit dhe profesorët patën mundësinë të njihen më nga afër me veprimtarinë e Konsullatës dhe zhvillimet e Shqipërisë në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në procesin e integrimit.
Nga ana e saj, drejtoresha e shkollës, Rajmonda Mamudi Shej, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi këtë vizitë si një mundësi të rëndësishme për nxënësit. Ajo theksoi përkushtimin e institucionit për edukimin e të rinjve me dije, vlera dhe përgjegjësi qytetare.
Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëbiseduese, duke shërbyer si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen.(StrugaLajm.com)





























