Aktuale

Drini i Strugës fiton 6 medalje në “Lushnja Open 2026”


Klubi i Karatesë “Drini” nga Struga ka shkëlqyer në turneun ndërkombëtar “Lushnja Open 2026”, duke arritur një tjetër sukses të madh në arenën sportive ndërkombëtare.
Karateistët struganë u kthyen me gjithsej 6 medalje – katër të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë, duke dëshmuar formën e lartë dhe punën e palodhur të klubit.
Ylli i turneut ishte Jara Nasufi, e cila fitoi dy medalje të arta në kategoritë U11 -36kg dhe U11 -40kg, duke konfirmuar talentin dhe dominimin e saj në tatami.
Me medalje të arta u stolisën edhe Elif Labënishti në kategorinë U12 -35kg dhe Drini Hajredini në kategorinë junior +76kg, të cilët realizuan paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë garës.
Ndërkohë, Redon Hajredini siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë kadet -70kg, ndërsa Diell Labënishti fitoi medaljen e bronztë në kategorinë U11 -35kg.
Suksesi i radhës i KK “Drini” është një tjetër dëshmi e talentit sportiv që vjen nga Struga dhe e punës serioze që po bëhet me gjeneratat e reja në karate. Urime kampionëve për përfaqësimin dinjitoz të qytetit dhe klubit në “Lushnja Open 2026”!

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button