Dy vjet nga tmerri i 26 nëntorit/ Tërmeti tragjik që shkaktoi 51 viktima, qindra të plagosur e objekte të rrafshuara

Ishte ora 03:54 e mëngjesit të 26 nëntorit të vitit 2019, kur një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës rihter goditi vendin.

Lëkundja sizmike me epiqendër në gjirin e Lalzit zgjati 50 sekonda ndërsa shënoi një nga tragjeditë më të mëdha ne vend. 51persona humbën jetën dhe mbi 900 të tjerë mbetën të plagosur.

Pallate, shtëpi, shkolla të shembura, makina policie e ushtrie, forca të shumta zjarrfikëse dhe njerëz që kërkonin ndihmë, ishte tabloja e asaj tragjedie.

Orët e para të mëngjesit të asaj dite, ishin tejet kaotike. Shumë qytetarë mbetën të bllokuar nën rrënoja duke luftuar mes jetës e vdekjes. Të tjerë vraponin në kërkim të të afërmve të tyre me të cilët kishin humbur kontaktet. Zonat më të prekura nga tërmeti ishin qarku i Durrësit, Lezhës dhe Tiranës; aty ku, veç banesave të rrëzuara u shënuan dhe viktimat.

Pasojat më të rënda ishin në Durrës e Thumanë.

Dhjetëra burra e gra qëndruan me orë të tëra me sytë e ngulur në ngrehinën e këtij pallati, i cili u rrafshua totalisht në zonën e Thumanës. Nga lëkundja sizmike, shton Vizion Plus, u shembën pjesërisht dhe dy pallate të tjera, ndërsa 22 persona u nxorën të pajetë nga këto rrënoja.

Shumica e viktimave, pjesëtarë të së njëjtës familje si dhe fëmijë.

Kaosi, frika dhe pasiguria pushtoi atë ditë edhe qytetin bregdetar të Durrësit, i cili si kurrë më parë u zgjua nën britmat e banorëve që kërkonin ndihmë. Por jo familja Lala.

26 nëntori i vitit 2019 ishte dita e fundit për tetë anëtarë të kësaj familje, të cilët u shuan të gjithë tragjikisht me përjashtim të 16 vjeçarit Ramë Lala, i cili u nxor i gjallë nga rrënojat pas më shumë se 14 orësh gërmime me duar.

Vila e tyre trekatëshe në zonën e kënetës u rrafshua duke e zënë brenda të gjithë familjen.

Shumë shtete u solidarizuan me Shqipërinë duke dërguar ekipe të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e trupave të mbetur nën rrënoja. Kosova, raporton Vizion Plus, ishte e para që solli trupat e saj, ndërsa ndihma nuk vonoi as nga Italia, Greqia, Turqia, Franca e SHBA.

Mijëra familje mbetën në qiell të hapur, ndërsa u strehuan në çadra dhe hotele, pronarët e të cilave hapën dyert e bizneseve në atë ditë tragjedie. Shumë familje të tjera u strehuan edhe në Kosovë.

Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian organizuan konferencën e Donatorëve. Aty morën pjesë 48 shtete dhe Shqipëria arriti të merrte 1 miliardë e 150 milionë euro. Plani ky më i madh në vend i ndërmarrë në fushën e rindërtimit.

Por sot kur kanë kaluar dy vite, plagët ende nuk janë shuar, pasi gjurmët e tërmetit tragjik vazhdojnë të jenë në mendjen e gjithkujt ndonëse shumë prej banorëve janë rikthyer në banesat e tyre apo shumë të tjerë kanë filluar një jetë të re në shtëpitë e ndërtuara nga qeveria por dhe në ato me qera./ Vizion Plus

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...