E tepëruan me “rakinë” tre shoferë strugan procedohen
Policia ka zhvilluar kontrolle të shtuara në trafikun rrugor gjatë natës së kaluar në rajonin e Ohrit, Strugës, Kërçovës dhe Dibrrës, ku janë konstatuar shkelje serioze që rrezikojnë sigurinë në rrugë.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është zhvilluar nga ora 22:00 e mbrëmjes së 5 korrikut deri në orën 04:00 të mëngjesit të 6 korrikut 2025, në kuadër të aktivitetit të Njësisë për Punë të Brendshme në Ohër.
Gjatë kontrolleve janë ndaluar dhe verifikuar gjithsej 278 shoferë në të katër qytetet (Ohër – 110, Strugë – 73, Kërçovë – 59 dhe Dibër – 36). Nga testet për alkool ka rezultuar se 15 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit (Ohër – 8, Strugë – 3, Kërçovë – 1, Dibër – 3).
Të gjithë shoferët e kapur në shkelje janë përjashtuar menjëherë nga qarkullimi, u janë marrë patentat e drejtimit dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba përkatëse. Policia paralajmëron se aksionet e tilla do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në ditët në vijim.