Prej fillimit të vitit 2020 do të paguajmë 15 për qind tatime për të ardhurat që i realizojmë nga kamatat në kursime. Me shkallë të njëjtë nga viti 2019 do të tatimohen edhe të ardhurat e tjera nga kapitali
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 nëntor – Qytetarët në Maqedoni, prej fillimit të vitit 2020 do të paguajnë 15 për qind tatime për të ardhurat që i realizojnë nga kamatat në kursime. Me shkallë të njëjtë prej fillimit të vitit 2019, do të tatimohen edhe të ardhurat e tjera nga kapitali. Kjo ndër të tjerash parashikohet me Ligjin e ri për Tatim në të ardhurat personale, shkruan gazeta KOHA.
“Për kamatat e depozitave, ku hyjnë depozitat e transaksioneve, depozitat e kursimeve dhe depozitat e tjera, si dhe kamatat në letrat në vlerë, qytetarët do të paguajnë tatim në të ardhura prej 15 për qind, nëse shuma e kamatës së përllogaritur në nivel vjetor e tejkalon shumën prej 15 mijë denarë në kundërvlerë të valutës së depozitës”, thonë nga Ministria e Financave.
Njëherazi, tatim prej 15 për qind, qytetarët do të paguajnë edhe për të ardhurat të realizuara në bazë të nga qirasë, dividendave, kamatat e huave ndaj personave fizik dhe juridik, të letrave me vlerë, pronësisë industriale, fitim-kapitalet, fitimet nga lojërat e fatit, të ardhurat nga sigurimet dhe të ardhurat e tjera.
Rritja e tatimeve për fitimet që realizohen në bazë të kapitalit është pjesë e një reforme të re tatimore në shtet ku parashikohet që nga viti 2019, të vendoset tatimi progresiv në vend të atij të sheshtë prej 10 për qind në të ardhurat më të larta, përkundër paralajmërimeve se do të shtyhet vendosja e tij për më vonë. Ekzekutivi vendosi që prej vitit të ardhshëm të paguhet tatim prej 18 për qind në të ardhurat më të larta se 90 mijë denarë, rritje të kontributeve për 0.5 për qind për të mbushur sadopak gropën e pensioneve, si dhe disa masa të tjera, raporton KOHA.
Në periudhën e kaluar, pagesa e të ardhurave nga kamatat është anuluar disa herë në Maqedoni deri në anëtarësimin e shtetit në BE. Në vitin 2012, kur u anulua një vendim i tillë, vlerësohej se në arkën e shtetit do të derdhen afër 20 milionë euro në bazë të këtij lloj tatimi.
Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se qytetarët në bankat e Maqedonisë deri më 30 shtator ruajnë depozita në vlerë prej 4 miliardë e 82 milionë euro. Sipas të dhënave të Fondit për sigurimin e depozitave, qytetarët më së shumti kanë kursime në vlerë deri në 30 mijë euro.
Përvoja kroate, e cila si shtet vendosi tatim në fitimin e kamatave të kursimeve prej vitit 2015 me një shkallë prej 12 për qind, të cilin e paguajnë bankat dhe përfituesit e tjerë të kamatave, tregojnë se shënohet një trend i butë i kalimit të të hollave nga depozitat apo kursimet tek llogaritë e ndryshme bankare përfshi edhe ato rrjedhëse. Vetëm përgjatë vitit 2017, depozitat në Kroaci kanë shënuar ulje në nivel vjetor prej 2.5 për qind të totalit të kursimeve. Vlerësohet se në Kroaci, në bazë të kamatës së kursimeve, në arkën e shtetit hyjnë 500 milionë kuna apo afër 70 milionë euro.
Në Serbi, tatimi në kamata si të ardhura nga kapitali nuk paguhet në depozita në valutën vendore të dinarëve, ndërsa në kamatat e kursimeve në deviza përllogaritet tatim prej 15 për qind. Në shtetet e Evropës, kamatat në kursime tatimohen prej 15 deri 25 për qind. Në Slloveni, për shembull, ku paguhet tatim në kursimet më të larta se 1000 euro, tatimi është 25 për qind. (koha.mk)
TATIMET NË KAMATAT E KURSIMEVE NË EVROPË
Austri: 25 për qind
Slloveni: 25 për qind
Gjermani: 25 për qind
Francë: 24 për qind
Itali: 20 për qind
Hungari: 16 për qind
Çeki: 15 për qind
Kroaci: 12 për qind
Mal i Zi: 9 për qind