Edhe pandemia nxorri në pabarazinë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve

Bekim Qoku

Politika dhe elitat intelektuale shqiptare e Maqedonisë së Veriut dështuan të nxjerrin në pah pabarazinë sociale dhe ekonomike në kohën e pandemisë midis vendbanimeve me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë sllavo-maqedonase. Shqiptarët në MV kanë qenë gjithmonë të leckosur, tani janë tërësish lakuriq.

Pandemia zbuloi qartas dallimet. Tani që hapësira nëpër shkolla është jetike, e dimë që nxënësit që mësojnë shqip kanë gjysmën e hapësirës në krahasim me ata që mësojnë maqedonisht. Për një kokë nxënësi që mëson shqip në Çair është në dispozicion nga rreth 0.5 deri 1.5 m2, ndërsa për një në Aerodrom apo Karposh janë 3 deri 4 m2. Numri i shkollave është po ashtu 1 me 2: për të njëjtin numër nxënësish, ata që mësojnë maqedonisht kanë dyfish më shumë shkolla se ata që mësojnë shqip. Shifrat i gjeni edhe në Entin shtetëror të statistikave të MV. Ky ent, sado arbitrar e jo shkencor, nuk mund të fshehë më shumë se kaq shifrat e zeza diskriminuese.

Mësimi i detyruar online që po zhvillohet në MV bëhet më shumë për të fshehur diferencën dhe diskriminimin ekzistues dhe për hir të suksesit të qeverisë sesa për hir të shëndetit publik.
Por konstatimi nuk mjafton për të ndryshuar gjërat dhe për t’i orientuar nxënësit dhe prindërit se cila është qasja dhe reagimi i duhur.

Në MV është Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, një organizatë, për mendimin tim, mjaft kredibile dhe vitale, që drejtohet nga Blendi Hodai, një aktivist i shkëlqyer, në të cilën duhet anëtarësuar sa më shumë nxënës dhe bashkërisht pastaj të merren vendime. Sa e di unë, kjo organizatë ka marrë vendim që muaji tetor të mësohet online, e pastaj varësisht nga situata do të veprohet përkatësisht. Ky, për mua, është një kompromis i drejtë. Një protestë e organizuar, me drejtues, me platformë, me kërkesa dhe propozime të qarta, është një protestë më efikase dhe e besueshme. Asaj proteste duhet me iu bashkangjit edhe prindërit edhe mësuesit.

In : Aktuale

Loading...
loading...