
Rënie e lindshmërisë në Strugë dhe Tetovë – Alarm demografik në RMV, më shumë të vdekur se të porsalindur
Shifrat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoninë e Veriut tregojnë një pasqyrë shqetësuese për vitin 2024: vendi vazhdon të përballet me një nga sfidat më të rënda demografike – më shumë të vdekur sesa të lindur.
Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar, në nivel republikan, janë regjistruar 4.140 më shumë vdekje sesa lindje, duke thelluar më tej prirjen e rënies natyrore të popullsisë në krahasim me vitin 2023.
Në Tetovë, edhe pse është një nga komunat më të mëdha për nga numri i banorëve, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 779 lindje të gjalla, që është 85 më pak se në vitin 2023. Megjithatë, kjo komunë ende ruan një trend të lehtë pozitiv të shtesës natyrore në tremujorin e parë të këtij viti.
Në Strugë, rënia është më e butë – nga 483 lindje në vitin 2023, në 475 lindje në vitin 2024, që përbën një diferencë modeste, por gjithsesi pjesë e trendit negativ.
Ndërkohë, situata duket më pozitive në disa komuna tjera si Gostivari, ku janë regjistruar 500 lindje, pra 23 më shumë se një vit më parë, dhe Dibra, ku lindjet janë rritur nga 146 në 159 fëmijë. Po ashtu, komuna e Çairit ka shënuar një rritje prej 17 lindjesh në krahasim me vitin e kaluar.
Pavarësisht këtyre përjashtimeve, tabloja demografike në vend mbetet alarmante. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa strategjike për nxitjen e lindshmërisë dhe përmirësimin e kushteve socio-ekonomike, vendi rrezikon përkeqësimin e strukturës së popullsisë dhe zbrazjen graduale të shumë komunave.
Demografia është pasqyra e gjendjes së kombit. Rënia e lindjeve nuk është thjesht statistikë, por sinjal i drejtpërdrejtë për të ardhmen.





























