
STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i shoqëruar nga drejtori i Ndërmarrjes “Eko Struga”, Avduladi Shazimanoski, dolën para gazetarëve për të shpalosur një vendim të ri që synon kursimin dhe stabilizimin financiar të ndërmarrjes.
Sipas tyre, “Eko Struga” do të dislokohet në zyrat e ish-Komunës, një veprim që pritet t’i kursejë ndërmarrjes mbi 10 mijë euro në vit.
Qyra theksoi se praktika e kursimit dhe rritjes së të ardhurave do të jetë prioritet i qeverisjes së tij, duke nënvizuar se synimi është që të gjitha ndërmarrjet publike të rikthehen në stabilitet ekonomik përmes eliminimit të shpenzimeve të panevojshme.
“Do të punojmë që çdo ndërmarrje të çlirohet nga harxhimet e tepërta dhe të funksionojë mbi baza të shëndosha financiare. Çdo keqpërdorim i mundshëm do të dokumentohet dhe do t’u dërgohet organeve kompetente për veprim,” deklaroi Qyra.
Nga ana tjetër, drejtori Shazimanoski u shpreh kritik ndaj menaxhimit të kaluar, duke theksuar se ndërmarrja ka qenë në gjendje të rëndë financiare.
“Do të synojmë që ndërmarrja të marrë veten përmes kursimit dhe menaxhimit të përgjegjshëm. Në të kaluarën janë bërë shpenzime të pajustifikuara, përfshirë edhe për pije alkoolike me para të ndërmarrjes,” tha ai.
Ai shtoi se gjendja ka qenë alarmante, duke përmendur se në kulmin e sezonit, në një ditë të vetme, ndërmarrja kishte faturuar vetëm 5 mijë denarë.
Sipas tij, prioritet mbetet rimëkëmbja financiare dhe kthimi i “Eko Struga” në një ndërmarrje që gjeneron të ardhura për Komunën e Strugës.(StrugaLajm.com)
.gif)




























