
Në shkollën “Jahja Kemal” u zhvillua gara e debatit në gjuhën angleze – YKC Debate Competition, një aktivitet prestigjioz i dedikuar për nxënësit e klasave të nënta. Gara u organizua në format grupor, ku secili ekip përbëhej nga tre nxënës, ndërsa nga shkolla “Vëllezërit Milladinovci” morën pjesë gjithsej 27 nxënës.
Konkurrenca ishte e fortë dhe në përfundim të garës u ndanë pesë vende të treta, dy vende të dyta dhe një vend i parë. Shkolla “ Vëllezërit Milladinovci” u dallua fuqishëm, duke siguruar tre vende të treta dhe një vend të dytë, sukses që e rendit ndër më të mirat e këtij edicioni.
Përveç çmimeve ekipore, u ndanë edhe tre çmime për kategorinë e Folësit Individual (Individual Speaker). Nxënësja e shkollës, Elisa Coma, u rendit e para në këtë kategori, duke u vlerësuar për aftësitë e saj të shkëlqyera komunikuese dhe argumentuese.
Ky rezultat konfirmon edhe një herë punën cilësore të mësimdhënësve dhe angazhimin e nxënësve në zhvillimin e kompetencave gjuhësore dhe debatit.





























