Aktuale

Emërimi i kryeshefit në Ohër, Iseni: Ndonjëherë është problematike të gjejmë personin adekuat

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni në Click Plus në TV21 foli edhe për emërimin e kryeshefit në Ohër, i cili mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën. Iseni për këtë tha ndonjëherë është problematike të gjejmë personin adekuat, por shtoi se me sistematizimin e ri që do të bëhet do të kërkohet që sërish ai pozicion t’u takojë shqiptarëve.

“Kjo ka ndodhur para 8 muajsh, normalisht në pamundësi për të gjetur në atë sektor përfaqësues shqiptar, jemi dakorduar që në kombinim të ati pozicioni të marrim pozicione tjera, kështu që ndoshta kemi përfituar pozicione tjera siç janë sektor të tjerë”, tha Astrit Iseni.

Ndërkaq, gjatë ditës për këtë çështje reaguan edhe nga ASH-ja e Taravarit. Nga kjo parti thonë se këto janë zhvillime që dëmtojnë përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Sipas ASH-së, Qeveria përmes Ministrisë së Brendshme po përgatit ndryshime ligjore dhe sistematizime të reja me të cilat Njësia për Punë të Brendshme Strugë-Dibër-Kërçovë do të degradohej në njësi të rendit të dytë, duke humbur kompetencat kryesore komanduese që do t’i kalonin Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër. Nga ASH vlerësojnë se ky veprim cenon përfaqësimin e drejtë dhe bashkëjetesës ndëretnike.

“Si pasojë e kësaj, në qytetet me shumicë shqiptare nuk parashihen më pozita kyçe, si Kryeshef i policisë, Kryeshef i njësisë antikrim, Komandant i pikës kufitare dhe Zëvendëskomandant në stacionet policore. Pasqyrim i një politike që s’ndalon, ku nuk aplikohet Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, sipas demografisë dhe shumicës shqiptare në këtë regjion, Kryeshef i Sektorit Rajonal për Kufirin i MPB-ës, me qendër në Ohër, emërohet një maqedonas nga Kërcova, ku për dy dekada është përfaqësuar nga një shqiptar”, tha Njomza Shaqiri – zëdhënëse e ASH-Taravari.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button