EMIGRIMI DHE GJUHA SHQIPE- Ruajtja dhe kujdesi për të…

                                                                                            Shkruan,   Resul Bekteshi 

                                                                                                               Strugë

                    EMIGRIMI  DHE GJUHA  SHQIPE- Ruajtja  dhe kujdesi për të…

      Shënimin  e sotëm  do ta filloj me përkufizimin për termin  EMIGRIM që  në Fjalorin e Gjuhës  së sotme shqipe faqe  427  thotë :   Largim nga atdheu  për shkaqe  politike , ekonomike etj . dhe vendosje përkohësisht apo përgjithmonë në një vend të huaj.  Për fat të keq  tani emigrimi është bërë aktual në trojet tona. ( shpesh kemi edhe emigrim familjar që është  i dëmshëm për shoqërinë tonë ).

   Emigracioni është fenomen që sot ka marrë karakter ndërkombëtar në atë aspekt nuk është imun as edhe RMV-së, respektivisht shqiptarët  dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në këtë vend ballkanik.  Ky proces  tani në periudhën e tranzicionit është aktualizuar jashtë mase , prandaj tani kemi një numër të madh të emigrantëve shqiptarë që janë drejtuar  vendeve perëndimore dhe SHBA-ve në kërkim të kushteve më të mira për jetë, për të siguruar të ardhmen për vete dhe për fëmijët e tyre, duke menduar se atje fëmijëve do t ‘u mundësojnë kushte më të mira për shkollim, pa logjikuar shumë për dëmin që mund ti shkaktojnë gjuhës shqipe, kuptohet rreziku nga  asimilimi gradual e saj, sidomos tek fëmijët dhe rinia shqiptare që aktualisht jeton në mërgim.

       Gjuha ka qënë dhe mbetet njëra nga komponentet kryesore të kulturës së një kombi .  Fakti përcaktues i një kombi dhe vjetërsia e tij varet nga gjuha e folur dhe e shkruar  e tij.  Duhet theksuar edhe kjo se njeriu kur nuk e ka  nën këmbë tokën e mëmëdheut ka mundësi reale që të humb edhe diçka nga gjuha  , bëhet skeptik ndaj  vetvetes dhe ka më shumë mundësi të lëshojë në mënyrë graduale asimilimin e gjuhës, duke lënë që në fondin e saj të futen fjalë të huaja varësisht nga vendi ku ata jetojnë  përkohësisht. Këtë  fenomen më lehtë mund  ta kuptojmë  kur hasim fëmijët e mërgimtarëve , të cilët në fjalorin e tyre përdorin shumë fjalë të vendit, duke ndikuar kështu në bastardimin e gjuhës së bukur shqipe, kësaj gjuhe që e kemi trashëguar nga ilirishtja e lashtë dhe që është njëra nga më të vjetrat në Europë dhe Ballkan.StrugaLajmStrugaLajm

     Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të kritikoj dikë, por  është në kahje të këshillave të mirëfillta  për të gjithë migrantët, të cilët në botën  e jashtme jetojnë dhe veprojnë së bashku me anëtarët e familjes më të ngushtë, respektivisht  atje kanë marrë edhe fëmijët – gjeneratën e re  nga e cila shoqëria  jonë shpreson dhe beson se ardhmëria atyre u takon.

    Sot  në botën e jashtme jetojnë   përkohësisht ( nuk dua të përdori  fjalën përgjithmonë) një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë,  të cilët duhet të kenë kujdes që fëmijët e tyre  ti arsimojnë , edukojnë në frymën  kombëtare, duke u dhënë atyre  njohuri  të mjaftueshme  në gjuhën amtare. Ata,fëmijët e tyre duhet të njohin mirë gjuhën  shqipe, si gjuhë të nënës , së gjuhë  me të cilën nëna  prindërve të tyre dikur u ka kënduar ninula kur i vëndonte në gjumë- Është gjuhë e  trashëguar  nga të parët tanë  para shumë vitesh e ne nuk guxojmë ta harrojmë . E them këtë jo për të fyer dikë, por për ti përkujtuar se  ata i takojnë këtij kombi dhe se gjuha e tyre amtare është gjuha e bukur shqipe, është gjuha e  Skënderbeut, De Radës, Pashko Vasos , Naimit e Samiut, Konicës e Nolit. Është gjuha  për të cilën Naimi  tha se në këtë gjuhë edhe zogu në mal duhet të këndoj dhe në këtë gjuhë edhe perëndija duhet të predikojë. Të nderuar mos e harrojmë porosinë e të madhit Gjergj Fishta  që në vargjet e poezisë , Gjuha shqipe ,  thotë:  “ Mallku qoftë njaj bir shqiptari, që këtë gjuhë të perëndisë , trashëgim që na e la i pari , trashëgim s’ ia lenë fëmisë….” 

   Historikisht shumica e mërgimtarëve shqiptarë , kanë punuar dhe janë përpjekur që fëmijëve të tyre t’ua  mësojnë dhe ta ruajnë gjuhën shqipe . Kjo traditë duhet kultivuar dhe vazhduar pa ndërprerje, sepse  është  “ amanet dhe se nuk duhet ta tretë dheu i huaj.” StrugaLajm

  Gjuha është e vetmja armë që vërteton se jemi shqiptarë,kudo që jetojmë e veprojmë, prandaj pa ngurrje përdorni atë atje ku jetoni  dhe mos ngurroni  dhe mos turpëroheni  kur  e përdorni gjuhën shqipe , sepse bota mbarë e njeh atë gjuhë dhe nuk është turp që edhe ju të njiheni si shqiptarë.

  Sot në shumë shtetë të botës  për fëmijët e mërgimtarëve  janë hapur  shkolla të  shumta, ku fëmijët në mënyrë të organizuar marin mësim plotësues në gjuhën amtare, nga shumë mësues adhurues , pasionantë dhe patriotë, të cilët në shumë raste japin edhe kontribut në mënyrë vullnetare. Synimi i këtyre shkollave është që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të zotërojnë mirë  gjuhën shqipe, të njohin letërsinë shqiptare, historinë dhe gjeografinë e atdheut të tyre. U jemi mirënjohës për kontributin  që japin për  mësimin e shqipes për brezërit e mërgimtarëve shqiptarë.

   Të nderuar mërgimtarë, të respektuar mësues që punoni me gjeneratat e reja në botën e jashtme, prindër të dashur  e dimë se nuk e keni lehtë, sepse fëmijët atje jetojnë në kushte tjera , në rrethana  të ndryshme nga  këtu, shoqëria e tyre në të shumtën e rasteve është vendase,  mundësia për ta mbajtur  të gjallë gjuhën e bukur shqipe tek fëmijët, nipërit,mbesat dhe stërnipërit tanë, pavarësisht se ku lindin dhe jetojnë e punojnë ekziston. Të mundohemi që në familje , në shtëpi të komunikojmë me fëmijët vetëm shqip bile edhe kur gjendemi jasht shtëpisë  mos turpërohemi , por të flasim gjuhën tonë se është e bukur, e ëmbël , e dashur për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e veprojnë.

  Të ruajsh gjuhën shqipe, të njohësh gjuhën standarde shqipe është madhëri , sepse në atë mënyrë vazhdon traditën e Rilindasve tanë , të cilët nuk kursyen asgjë kur ishte në pyetje gjuha dhe kombi .

 Para shumë vitesh  Faik Konica  nga SHBA-të shprehej : “  Lulëzimi , plot  shpresë, erdhi edhe për gjuhën shqipe!   Më të katër anët, një zjarr i bukur në zemër të djalërisë zjen dhe plot dëshirë, trimoshat e dheut po përpiqen për zbukurimin  dhe ruajtjen  shqipes tonë . “

                                                                                    Resul  Bekteshi , Strugë

In : Aktuale

Loading...
loading...