Enver Petrovci, vlerësim maksimal për Xhevat Limanin, artistin strugan e gjith-shqiptar

Enver Petroveci

Këto ditë miku im dhe kolegu ynë Xhevat Limani morri çmimin “Kalorësi i urdhërit Gjergj Kastrioti Skendërbeu” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.
Unë të njoh shumë mirë i dashur Xhevat, që nga studimet e përbashkëta. T’a njoh rrugëtimin tënd të vështirë. T’a njoh kokëfortësinë tënde për drejtësi, bujarinë tënde, dashurinë ndaj familjes, respektin që ke ndaj të bukurës, ndaj etikës dhe moralit. E sidomos ndaj çdo gjëje që është shqiptare.
A e ke vërejtur miku im se kur rrimë së bashku, gati gjithmonë unë hesht?! A e di pse? Sepse kam kënaqësi të dëgjoj se si flet gjuhën shqipe. Ka raste kur ndonjë fjalë edhe nuk e kuptoj por nuk të ndërpres, vetëm e vetëm që t’a dëgjoj shqipen e cila është aq e bukur kur del nga goja yte me zërin tënd kumbues. Sa të lakmoj në ato çaste sepse kam vetëdije se do të iki nga kjo botë, e kurrën e kurrës nuk do të arrij të flas shqip si ti. Mjerisht, edhe shumica e akademikëve tanë nuk i afrohen nivelit tënd të gjuhës shqipe.
A po e vëren i dashur Xhevat, se në Kosovë dalëngadalë po zhduket gjuha shqipe e për të cilën luftuan dhe u sakrifikuan gjenerata të tëra? Të rinjët në Kosovë nuk përdorin më shumë se 100-200 fjalë në komunikim. Edhe në këto pak fjalë që i përdorin i zëvendësojnë me gjuhë të huaja. Madje janë krenarë me këtë sepse në këtë mënyrë e ndjejnë veten “cool”. Shumicës i vie turp të flasin gjuhën e bukur shqipe. Sepse, siç thonë, “shokët më përqeshin nëse përpiqem të flas bukur shqip”.
E tmerrshme!
Me të ardhë turp të flasësh bukur gjuhën amtare.
Prandaj kam kënaqësinë të të dëgjoj kur ti flet.
Prandaj, z. President Ilir Meta, ju faleminderit shumë që në këtë rast zgjodhët z. Xhevat Limanin për këtë çmim të merituar.
Me respekt,
Enver Petrovci


Loading...
loading...