LN ARCHITECTS
BLENDI PETROL
Aktuale

Epilogu i përleshjes në Strugë:Ekipi vendas në Komision Disiplinor, katër pezullime të rënda

Pas ndeshjes mes ekipeve Struga Trim Lum dhe Gostivari që përfundoi 1-1, shpërtheu një përleshje para zhveshtoreve ku u desh ndërhyrja e policisë, ndërsa katër anëtarë të skuadrës së Gostivarit përfunduan në stacionin policor.

Federata e Futbollit e Maqedonisë dha sanksionet për incidentin:

KF Struga Trim Lum dërgohet në Komisionin Disiplinor për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes KF Struga Trim Lum AD – KF Gostivar AD nga xhiroja e 28-të e Ligës së Parë;

Dardan Miftari, trajner i portierëve të KF Struga Trim Lum, i përjashtuar nga ndeshja KF Struga Trim Lum AD – KF Gostivar AD, dënohet me ndalim të ushtrimit të funksionit për 1 muaj;

Nebojsha Vasilevski, fizioterapist i KF Gostivar AD, i përjashtuar nga ndeshja, dënohet gjithashtu me ndalim të ushtrimit të funksionit për 1 muaj;

Diata Asane, futbollist i KF Gostivar AD, i përjashtuar nga ndeshja, dënohet nga Komisioni Disiplinor i FFM-së me ndalim pjesëmarrjeje në 4 ndeshje;

Aosman Aias, futbollist i KF Gostivar AD, gjithashtu dënohet me ndalim pjesëmarrjeje në 4 ndeshje.

Barazimi në qytetin buzë liqenit ndezi tensionet pasi të dy ekipet humbën një mundësi të madhe për të avancuar drejt garave evropiane përmes ligës. Ndeshja përfundoi 1-1, me gola nga Kalanoski për mysafirët dhe Kehinde për vendasit. Diata Asane dhe Aosman Aias morën kartonë të kuq në minutën e 90-të për sjellje jo sportive.

Pas përfundimit të ndeshjes ndodhën incidente dhe tre futbollistë të Gostivarit dhe një anëtar i stafit teknik u ndaluan nga policia e Strugës. Marrja në pyetje zgjati deri në pesë orë. Ministria e Punëve të Brendshme sqaroi ndalimin në raportin e saj:

“Më 19 prill 2025, në orën 18:00, në NJPB Strugë u privuan nga liria E.D. (28) nga Tetova, Sh.T. (25) nga Turqia me qëndrim të përkohshëm në Shkup, A.D. (25) nga Senegali me qëndrim të përkohshëm në Gostivar dhe shtetasi gjerman A.A. (31). Ata dyshohen se gjatë një ndeshjeje sportive të mbajtur më 19 prill në Strugë, kanë kryer veprat penale ‘sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë’ dhe ‘pengim i zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës’. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.”

Një nga arsyet e ndalimit thuhet të jetë edhe një kallëzim i gjyqtarit të ndeshjes për tentativë ryshfeti. Sipas Gol.mk, deklarata e gjyqtarit ka shkaktuar alarm edhe në federatën e futbollit. Kush është lojtari në fjalë, për çfarë akuzohet dhe sa është i përfshirë klubi në të gjithë rastin – janë pyetje që pritet t’i sqarojë Komiteti për Siguri dhe Integritet pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button