Kush e ka mbajtur në pushtet për kaq shumë kohë partinë e keqe, të korruptuar, antipopullore

Bekim Qoku

Në disa fushata zgjedhore ku kam marr pjesë këtu MKV, thuajse gjithmonë më është dashur të debatoj me individë që kanë besuar se, vetëm me paraqitjen e një platforme apo programi politikë dhe të disa figurave, elektorati do të jetë aq i zgjuar e i pjekur, sa do të dijë vetë të vendosë drejtë.
Kanë këmbëngulë në bindjen se qytetarët “kësaj radhe” do ta kenë kuptuar më në fund se partia në pushtet për kaq vite është e keqe, e dëmshme, bajate, e korruptuar, antipopullore dhe prandaj do të dinë të zgjedhin opsionin e duhur, që jemi ne, thonë ata.

Pikërisht kjo bindje naive e ka mbajtur në pushtet për kaq shumë kohë partinë e keqe, të korruptuar, antipopullore etj. dhe opozitën për kaq kohë në opozitë. Por ky qëndrim kundrejt synimit për fitore është treguesi dhe predispozita më e vërtetë se opozita nuk është gati për pushtet. Se ata naivisht besojnë se pushteti falet, e nuk merret.

Janë shumë, por unë do listoj vetëm disa shembuj, se pse duhet luftuar dhe angazhuar për të bindur qytetarin e “zgjuar apo të pjekur” të zgjedhë opsionin tënd e jo të oponentëve të tu:

  • Coca Cola është pija më e famshme në botë. Kompania shpenzon mbi 4 miliard dollarë në vit për reklama, pra më shumë i tërë buxheti vjetor i shtetit të MKV.
    Coca Cola nuk beson se populli është i aftë të gjykojë vetë, ndonëse historikisht gëzon prestigjin e pijes më të kërkuar në botë, dhe prandaj ajo vazhdon angazhimet dhe fushatën ta ruajë këtë prestigj.
  • Obama, në fushatën e vet 2012 nuk besoi se populli është i vetëdijshëm dhe i edukuar për ta votuar atë. Ai grumbulloi shumën rekord prej 2.5 miliardë dollarësh për ta shpenzuar në fushatë, që t’i “bindë” qytetarët amerikanë të votojnë për të.

Pastaj me po të njëjtën vetëdije kolektive, i njëjti popull i përndritur amerikan që votoi për Obamën në vitin 2012, votoi për Trumpin në vitin 2016.

  • Rusia shpenzon mbi 1 miliardë euro në vit për Ballkanin jugperëndimor për fake news, për propagandë, që populli i përndritur i Ballkanit, nuk ka kohë të mendojë me kokën e vet.
  • Zoran Zaev shpenzon gjithashtu një shumë të jashtëzakonshme paresh për të paguar kompani dhe njerëz që manipulojnë opinionin publik të popullit të përndritur të Maqedonisë së Veriut. Nga buxheti i shtetit paguhen plot gazetarë e opinionist, intelektualë e poetë, spin doktora e doktora shkence për të bindur veriomaqedonasit se ZZ është mesia i MKV.
  • Së fundmi dëgjuam për skandalin e qeverisë Haradinaj për paratë që kish shpenzuar nga buxheti i shtetit për të lobuar nëpër botë se këmbimi i territoreve do sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan.
  • Kemi skandalin e Cambridge Analytica me Facebookun, të dhënat që u përdorën për fushatën e Trumpit.
  • Kemi manipulimet që bëhen përmes algoritmeve të shumta për të ndikuar në zgjedhjet që bëjmë.
  • Kemi mijëra kompani në botë që fitojnë milionë e miliarda euro me manipulimin e opinionit dhe orientojnë zgjedhjen e individëve sipas interesit të caktuar.

Me një fjalë, nuk mjafton mallkimi: Nëse nuk e dinë edhe kësaj herë, e paçin veten në qafë. Kjo vetëm sa tregon se ti nuk je gati për pushtet.

In : Aktuale

Loading...
loading...