Etnocentrizmi i Mbrëmjeve Poetike të Strugës

Drejtori i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, Mite Stefovski në hapje të festivalit mbajti një fjalim domethënës kundër kufijve, pengesave, ndalimeve… Por, të flasësh në parim për gjemba, tela, kufij…që duhet t’i rrënojë poezia, e të vesh kufi të brendshëm midis gjuhëve që vendi yt i pranon si zyrtare, disi duket në kundërshtim me porosinë që e jep, sepse të qenit kozmopolit me fjalë, nuk shkon me të qenit etnocentrik në vepër!

 

Nga Daut DAUTIStrugaLajm

  1. Sa herë që vijnë Mbrëmjet Strugane të Poezisë, një temë nuk ndryshon: mos përdorimi i gjuhës shqipe. Ndryshojnë fituesit e Kurorës së Artë, drejtorët, anëtarët e këshillit, por jo dhe të ndërrojë praktika e mospërfilljes së gjuhës shqipe, të cilën në këtë qytet e flasin më shumë se gjysma e banorëve. Pra, assesi të fitojë urtësia e zemërgjerësia e frymës poetike, e cila nuk njeh kufi. Sepse ata që i organizojnë këto mbrëmje, kanë një dioptri, dhe vazhdojnë t’i shikojnë gjërat përmes të njëjtës dioptri qe sa vjet. Dhe nuk habitin më arsyetimet. Ka dhe një nyje formale – juridike në të cilën mund të bazohet dikush, çështja e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, por e cila, në të vërtetë, nuk duhet të jetë pengesë. Sivjet, si gjuha që shkon atje ku të dhemb dhëmbi, dëgjuam edhe një margaritar më tepër: ky manifestim na qenka organizuar për shkak të afirmimit të kulturës maqedonase! Nga ky “thelb” nuk don të largohet as drejtoria e sivjetmë e Mbrëmjeve.

Në fillim të pluralizmit, mund të ketë qenë viti 1991 ose 1992, më kishin ftuar të marr pjesë në manifestimin poetik Ditët e Goces, në kuadër të të cilit një mbrëmje qe organizuar në Dibër. I trimëruar nga erërat e demokracisë, e pashë të udhës që para se të lexoja poezinë, t’u sugjeroja(më tepër t’ua përkujtoja), se në një qytet si Dibra, do të shkonte që të ishte përdorur edhe gjuha shqipe, aq më tepër që i shkon motos së njohur të Goce Dellçevit që ai botën e kupton si një fushë për garë kulturore. Unë e thashë atë që thashë, kurse gjatë darkës m’u afrua njëri nga përgjegjësit për anën teknike të organizimit, emrin e të cilit nuk a kam mbajtur mend, i cili më dha plotësisht të drejtë, me një “premtim” se këtë sugjerim “do ta kemi parasysh për herët tjera”! Dukej se në frymën e ndryshimeve pluraliste që po ndodhnin, do të mund të zinte vend edhe gjuha shqipe. Por, asnjëherë më nuk më ftoi kush të merrja pjesë në Ditët e Goces, gjë që nuk ka ndonjë rëndësi fundja, por ka rëndësi tjetra, se ai premtim që ma dha ky organizatori, nuk u përmbush ndonjëherë. Besoj se kështu ka qenë dhe ka mbetur edhe në Takimet e Racinit, dhe në manifestime tjera kulturore, kurse Mbrëmjet Poetike të Strugës janë fushëbeteja më e gjerë në të cilën ka qenë më e dukshme “lufta” për të mos u përdorur gjuha shqipe, përkundër “ekseseve” që kohë pas kohe i ka bërë ndonjë poet a shkrimtar shqiptar apo injorimi politik që kanë bërë kryetarët shqiptarë të Strugës në 3-4 mandatet e fundit. Edhe mospërfillja e shqipes në mbrëmjet e sivjetme nuk është asgjë e re, pos një vazhdimësi “logjike” e logjikës së organizatorëve. Pyetja është pse do ta ndryshonin praktikën sivjet, a ka ndryshuar gjë?

Duket qartë se nuk ka se si të ndryshojë brenda nate koncepti mental i organizatorëve. Këtë më së miri e tha njeriu i parë, i cili nuk parapëlqen të politizohen mbrëmjet, por i cili me shpjegimin se ky manifestim është themeluar për të afirmuar kulturën maqedonase, shumë qartë e definoi “konceptin” dhe dimensionin politik, ose përjashtimin e vlerave kulturore të popujve të tjerë nga kjo hapësirë. Nga ana tjetër, edhe sivjet, drejtoria e Mbrëmjeve ka një alibi formale juridike, atë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili ndonëse e zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe si në nivel të pushtetit qendror, si në atë lokal, ende nuk ka hyrë në fuqi, gjë që e theksoi edhe ministri i Kulturës, Asaf Ademi, i cili vetë foli në tri gjuhë në ditën e hapjes solemne të manifestimit poetik. Por, duhet thënë se, argumenti i të drejtës së përdorimit të gjuhës, siç e kam theksuar edhe në shumë kolumna në shtypin maqedonas, nuk është dhe nuk duhet të jetë pengesë. Sepse, prej sjelljes së Ligjit për pushtetin lokal, gjuha shqipe është zyrtare në shumë komuna, duke përfshirë edhe Strugën. Mbrëmjet Strugane të Poezisë kanë karakter të manifestimit shtetëror, por ato nuk janë vetëm të tilla, sepse me dekada komuna merr pjesë drejtpërdrejt pothuajse si koorganizatore, shpesh edhe me mjete buxhetore, por edhe si logjistikë, prandaj jo rastësisht edhe emri i manifestimit poetik ka dhe notë të theksuar lokale. Prandaj, drejtoritë e deritashme të festivalit, të paktën që nga Marrëveshja e Ohrit, e ka shpërfillur obligimin ligjor për të përdorur gjuhën shqipe në një manifestim në komunë me shumicë shqiptare.StrugaLajm

Por, si duket, do të duhet t’ua “falim” edhe sivjet organizatorëve, sepse me hyrjen në fuqi të ligjit(shpresojmë që të gjendet formula për të hyrë në fuqi pasi kryetari Gjorge Ivanov nuk dëshiron ta nënshkruajë “ligjin jokushtetues)  dhe vitin ardhshëm nuk do të kenë më si të arsyetohen. Aq më tepër nëse në krye të Ministrisë së Kulturës qëndron një ministër shqiptar, për mjetet që i ndan kjo ministri mund edhe të kushtëzohen me respektim ligji. Duhet thënë se në politikat kulturore do të duhej të rishqyrtohet etnocentrizmi i këtyre mbrëmjeve poetike, sikundër edhe i shumë manifestimeve kulturore(duke përfshirë edhe ndonjë manifestim që organizohet nga subjekte shqiptare(bie fjala, edhe pse është manifestim ndërkombëtar, në Ditët e Naimit përdoret gjuha shqipe dhe gjuha angleze, por jo dhe gjuha maqedonase), ku do të duhej të vihet si kusht ligjor përdorimi i të gjitha gjuhëve zyrtare, si shembull i mirëfilltë i multikulturës, e jo vetëm deklarativ. Drejtori i Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, Mite Stefovski në hapje të festivalit mbajti një fjalim domethënës:  “Asnjëherë më parë nuk janë përdorur kaq shumë tela me gjemba për t’u nënvizuar kufijtë. Meridianë të krijuar në tela me gjemba që e rrethojnë hapësirën poetike. Prandaj, ja ku jemi këtu në këto hapësira nga ku poezia, si anijet e vogla të letrës, do të shkojë nëpër botë, duke kaluar të gjitha pengesat, duke kaluar të gjithë ndalimet dhe kufijtë, duke dëshmuar për frymën kozmopolite të përfshirë në thelbin e këtij festivali”. Por, të flasësh në parim për gjemba, tela, kufij… që duhet t’i rrënojë poezia, e të vesh kufi të brendshëm midis gjuhëve që vendi yt i pranon si zyrtare, disi duket në kundërshtim me porosinë që e jep, sepse të qenit kozmopolit me fjalë, nuk shkon me të qenit etnocentrik në vepër!

  1. I gjithë publiku, sidomos media, kaherë po flet për procesin dramatik të migrimit. Vetëm në një qytet si Struga, ka 900 nxënës më pak të regjistruar në shkolla. Procesi që ka filluar më herët, sidomos pas heqjes së vizave nuk ka të ndalur, ndërkaq as kjo qeveri nuk ka formulë magjike si ta ndërpresë. Ka shumë sektorë të goditur nga migrimi, por si më dramatik mund të merret rreziku i ikjes së kuadrove nga sektori i shëndetësisë, për çka lipsen masa urgjente parandaluese. Dhe, duket se kjo qeveri “po bën” diçka dhe prej 1 shtatori mjekët dhe infermieret do të kenë 5 për qind rroga më të larta! Paramendoni, 5 për qind! Sindikata doli me qëndrim se kjo është e pamjaftueshme, kurse ministri Filipçe tha se kjo është veç fillimi. E kuptojmë edhe njërën, edhe palën tjetër, por unë them se në këto rrethana kur qeveria me politikat e saja duhet ta ndërpresë zbrazjen e spitaleve nga mjekët, gjëja më e vogël që duhet të bëjë, duke krasitur madje mjete nga ndonjë sektor tjetër(bie fjala nga ato 40 milionë që iu dhanë firmave edhe ashtu të suksesshme të sektorit privat në emër të inovacioneve), që t’u jepet motiv mjekëve të mos shikojnë perëndimin! Nëse Qeveria nuk e kupton se në këtë sektor nevojitet urgjentisht rritje më të madhe të pagave, sot e jo nesër, atëherë nesër mund të mos ketë kë ta stimulojë për të mbetur!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...