Faton Pollozhani i reagon Isenit për policinë në Ohër dhe Strugë : Nuk mungojnë kuadrot shqiptare, por vullneti politik – institucionet po kapen nga partiakët

Kryetari i degës së BDI-së në Strugë, Faton Pollozhani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme nga radhët e VLEN-it, i cili pretendoi se nuk ekzistojnë kuadro të përshtatshme për pozita udhëheqëse.
Sipas Pollozhanit, një deklaratë e tillë përbën justifikim të ulët për dështimin institucional dhe kapjen partiake të MPB-së, duke theksuar se realiteti në terren e demanton këtë pretendim.
“Sot, në Policinë e Ohrit dhe të Strugës nuk ka asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse, jo për shkak të mungesës së kuadrove, por për shkak të një politike të qëllimshme përjashtuese”, deklaron Pollozhani.
Ai shton se ekzistojnë të paktën pesë kuadro shqiptarë, me përgatitje profesionale dhe përvojë të dëshmuar, të cilët i plotësojnë të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për pozitën e Kryeshefit të Qendrës Rajonale – Perëndim për punë kufitare, por që po anashkalohen qëllimisht.
Sipas kreut të BDI-së në Strugë, mohimi i këtij fakti dëshmon se zëvendësministri nuk vepron si garant i barazisë, por si një filtër partiak, i cili selekton kuadrot në bazë të bindjeve politike dhe jo të meritës.
“Kjo është tradhti ndaj interesit publik dhe dëshmi e impotencës politike të atyre që, ndonëse flasin në emër të shqiptarëve, në praktikë i përjashtojnë ata nga institucionet kyçe të shtetit”, përfundon Pollozhani.
Reagimi i tij vjen në një moment kur çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë po ngjall debat të gjerë në opinionin publik.




























