Festa e pavarësisë – Të jesh një ditë shqiptar dhe 364 ditë injorant

Nga Valon Alimi

Sot shqiptarët anembanë botës kremtojnë pavarësinë e shtetit të tyre duke valëvitur qindra dhe mijëra flamuj me emblemën e Gjergj Kastriotit, dëgjuar muzikë popullore, vallëzuar vallet tradicionale dhe recituar vjersha kombëtare që bëjnë thirrje për angazhim dhe kontribut kombëtar. Shqiptarët mblidhen për të festuar 106 vjetorin e pavarësisë e cila u arrit pasi shqiptarët si një komb i shtypur kaluan masakra, gjenocide dhe vuajte të mëdha. Faktikisht ka qenë dhe ende është një pavarësi e merituar për të cilën jo veç se duhet të jemi krenar por gjithashtu të dëshmojmë me vepra dhe iniciativë politike dhe shoqërore legjitimitetin e shtetit shqiptar. Pavarësia e Shqipërisë në shekullin 20 ka qenë kulmi i lëvizjes kombëtare për të realizuar një shtet shqiptar me karakteristikat e vullnetarizmit, solidarizimit dhe sakrifikimet për njëri tjetrin. Lëvizja e atëhershme e ka pasur një objektivë të çartë: Një shtet kombëtar i cili ne bazë të patriotizmit dhe përkushtimit atdhetar për mirëmbajtjen e kombit shqiptar i jep popullit hapësirë për të ndjek rrugën e përparimit shoqëror dhe mençurisë pa shtypjen çnjerëzore të Perandorisë Osmane dhe Tanzimatit antishqiptar. Pavarësia shqiptare dhe krijimi i shtetit shqiptar ishte gurthemeli për një shoqëri ku shqiptarët jo veç respektojnë njëri-tjetrin por ku së bashku si vëlla e motra që përjetuan tmerret e Turqve të ecin dorë për dore drejtë ndriçimit të shoqërisë shqiptare dhe t’ua mundësojnë brezave në vijim një jetë më të mirë. Rrethana historike e krijimit të Shqipërisë ishte shembulli më i mirë se çfarë fuqi mundet të mbledhë një komb i cili vepron duke u orientuar në ndriçimin filozofik të Kantit dhe liberalizmit.

Fatkeqësisht, sot e kësaj dite shqiptarët kanë harruar frymëzimin moral dhe shoqëror që shkaktoi ekzistencën e Shqipërisë dhe kufizojnë ditën e pavarësisë në një festë apo ditë të lirë pa mos kujtuar motivin e lartpërmendur dhe veprat të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit si luftetarët më të mëdhenj për njohjen diplomatike të kombit shqiptar. Ndër vite kremtimi i pavarësisë se Shqipërisë u shndërrua nga një ditë frymëzimi në një ditë e cila nuk përdoret për të shqyrtuar gjendjen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë por që harrohet pasi kalon 28 Nëntori. Thënë troç: Valëvitja e flamurit shqiptar sot ndodh pa mend dhe pa intelekt kombëtar por veç si një simbol statusi temporal që kalon aq shpejtë sa vjen. Kështu pavarësia e Shqipërisë u degradua nga një ditë madhështore që vendosi principet për depërtimin e kombit në një festë formale. Shqiptarët në bazë të kësaj me sukses kanë arritur ta shfaqin suksesin e tyre më te madh kombëtar dhe diplomatik si një ditë ku flamujt merren nga këndi më i erret të bodrumit shtëpiak për t’i varrosur aty prapë pasi kalon dita. Shqiptarët me këtë vepër sakrifikimet drejtë çlirimit të tyre i kanë fundosur në librat e historisë ndërkohë që veprat dhe themelet morale drejtë saj duhet të ishin principi për të jetuar çdo ditë. Shqipëria e dikurshme që figuronte si një ideal ku shqiptarët do përdornin lirinë e tyre të paparë për të qenë një shembull i civilizimit të ndriçuar dhe moralshëm sot është katandisur në një dështim real që në formë të pastër ekziston veç nëpër ëndrra.

Ideali i dikurshëm u transformua në realitetin e hidhur ku shqiptarët jo veçse punojnë kundër njëri-tjetrit por bile kryejnë vrasje për para, xhelozi dhe hidhërim të paarsyetuar. Shqiptarët sot siç tha Konica dikur janë “armiku më i madh i shqiptarëve” dhe shtetit të tyre. Slogani i dikurshëm që së bashku mundemi të arrijmë te pamundurën dita ditës shkelet dhe bile pështyhet. Sot në kornizën e festës kombëtare shqiptarët pretendojnë të jenë patriotë për të harruar dhe mohuar mjerimin që kanë prodhuar ndër vite. Një shtet ku shtypen njerëzit ambicioz që do kishin mundur shqiptarët t’i çlironin nga brenga e varfërisë dhe papunësisë. Fakti që ne sot valëvisim flamurin duke vazhduar të jetojmë si injorantë që shkalin frymën progresive të lirisë, që nënçmojmë çdo tentativë për të bërë ëndrrën e dikurshme realitet, është një ofendim ndaj veprimtarëve që me forcë dhe mund na mundësuan jetën e lirë. Kur krahasojmë Shqipërinë sot më idealin është e çartë që ne ndër vite realisht kemi nënçmuar çdo pikë gjaku që u derdh për Shqipërinë dhe Kosovën apo çdo troje tjetër. Shqiptarët jo veç se më sukses kanë arritur të dështojnë për sa i takon mirëmbajtjes se shtetit shqiptar por gjithashtu janë shndërruar në despotët e dikurshëm që i masakronin shqiptarët. Ndër vite ndoshta jo me flamuj por me vepra shqiptarët kanë dëshmuar që janë argatët e Tanzimatit të egër që çdoherë frymën e lirë të shqiptarëve ka mposhtur. Shqiptarët kur valëvisin sot flamurin gënjejnë vetëvetën. Dita e pavarësisë fatkeqësisht përdoret si ditë për të mohuar dështimet dhe dëmet që shqiptarët vetë kanë shkaktuar ndër vite.

Gjendja e sotme mundet të përshkruhet me fjalinë: Dita e pavarësisë është kulmi i vitit për shqiptarët pasi ata në këtë ditë duke kënduar dhe valëzuar arrijnë për një çast të harrojnë tmerrin në të cilin vetë-vetën e kanë udhëhequr me injorancë. Dita e pavarësisë është dita e vetme ku banorët e Shqipërisë shfaqen shqiptar ndonëse në 364 ditët e vitit jetojnë si injorant që shtypin njëri-tjetrin.StrugaLajm

Pyetja e duhur në ditën e pavarësisë duhet gjithmonë të jetë nëse ne veprojmë si kane dashur atdhetaret më të mëdhenj të kombit shqiptar; nëse ne çdo ditë në çdo cep të trupit përfaqësojmë ndriçimin kombëtar dhe dëshirën e përparimit racional mbi të cilët u krijua Shqipëria. Nëse jemi të sinqertë ndaj njeri-tjetrit për sa i takon kësaj pyetjeje atëherë duhet të konstatojmë që siç u përshkrua më lartë në nuk jetojmë me frymën e baballarëve tanë kombëtar. Andaj pyetja që vjen si rezultat është nëse ka rrugëdalja nga mjerimi i evitueshëm.

KA! Rrugëdalja do ndodhë nëse shqiptarët pavarësinë e Shqipërisë nuk e kuptojnë si një festë rastesh apo çast por jetojnë çdo ditë duke menduar të mirën e vendit dhe te kolektivit shoqëror. Shqiptarët duhet të pasqyrojnë fizikisht më vepra idealet e Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit. Shqiptarët duhet me guxim dhe vullnet dhe angazhim të çlirohen nga brengat e Tanzimatit osman që është pengesa kryesore për ngecjen e kombit shqiptar që shfaqet dita ditës në shuarjen e flakës se modernizmit rinor dhe ikjes nga zgjidhja e këtyre problemeve duke emigruar. Shqiptarët duhet t’i qëndrojnë mendjehapur përparimit shtetëror edhe nëse nënkupton një ndryshim të konsiderueshëm. Isa Boletini dikur tha: “Unë jam mirë kur është mirë Shqipëria!” Po te ishte i ngjalle i ndjeri ai s’do ishte mirë por në depresion kolektiv siç janë të gjithë shqiptarët bashkë me shtetin e tyre. Festa e pavarësisë sot nuk është asgjë më shumë sa një Antidepresiva efekti i të cilës zhbëhet pasi kalon dita dhe ku shqiptarët vazhdojnë turpin dhe xhelozinë e tyre ndaj shtetit. Në fjalimin e tij për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlore Ismail Qemali tha: “Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.” Shqiptarët duhet të mblidhen dhe ta caktojnë ditën e sotme , 28.11.2018, si një ditë ndryshimi sipas të cilës shqiptarët çdo ditë do përkrahin këtë thënien e Ismail Qemalit dhe do veprojnë për të mirën e Shqipërisë dhe shoqërisë duke mos e copëtuar atë me një egoizëm idiotesk.

Çfarë masa duhet të ndërmarrim si komb në mbështetje të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit dhe atdhetarëve të tjerë? Deficiti më i madh i sotëm në shoqërinë shqiptare është dembelizmi për t’i zgjidhur problemet dhe mbarëvajtja e strukturave klienteliste dhe patriarkale që poshtërojnë çdo angazhim duke shpërblyer mashtruesin, që poshtërojnë të rinjtë duke i mposhtur si jo të matur dhe që poshtërojnë çdo avantgardist qoftë femër apo mashkull si psikopat dhe tradhtar. Në kohërat ku iu dashtë kombit shqiptar të dëshmojë bashkimin e tij për të sjell një ndryshim manifest i kohës aktuale qoftë pavarësia e Shqipërisë apo Kosovës shqiptarët i lënë anash interesat vetjake apo brengat e tanzimatit dhe arritën të përmirësojnë rrethanat e shoqërisë se tyre duke shkuar një hap para për të mirën kolektive. “Shqipëria është një vend që ndoshta u harrua nga zoti.” – Kjo ishte një shprehje nga një bashkëqytetar i panjohur për sa i takon gjendjes aktuale në Shqipëri përfshirë problematikave të sipër. Shumë shqiptar sot e kremtojnë pavarësinë jo në vendin e tyre por në vend të huaj dhe shume të tjerë dita ditës tentojnë të ikin pasi shtypen aq shumë sa s’munden dot të bëjnë ëndrrën e tyre realitet. Ndonëse Shqipëria duhej të ishte vendi ku shqiptarët pa problem fare mundeshin të jetojnë siç duan në konkordancë më shprehjen e Ismail Qemalit shqiptarët më injorancën e tyre dëbojnë njeri-tjetrin. Po nuk ndryshojmë pas ditës se sotme atëherë u fundosem siç deshën Turqit dhe Serbet. Ne fakt, Shqipëria nuk është nje vend që ndoshta u harrua nga zoti. Faktikisht Shqipëria është një vend që u harrua nga vetë Shqiptarët. Mos e bëjmë pra më siç e kemi zakonin: T’i gëzojmë momentet e pakta të këtyre ditëve fenomenale për ta harruar të keqen e shmangshme. POR!: T’i përveshim mangët për të shfarosur pengesat kognitive dhe patriarkale dhe duke ecur përpara pastaj të thërrasim: Gëzuar Shqipëri!!!!!!!

In : Aktuale

Loading...
loading...