FESTA E SHËMITRIT TE SHQIPTARËT E STRUGËS DHE MAQEDONISË

Bexhet Asani

Dita e shëmitrit bie më 8 nëntor sipas kalendarit gregorian. Në
shumë treva ku banojnë shqiptarët e Maqedonisë dita e
shëmitrit është festa e vetme gjatë stinës së vjeshtës. Shëmitri në Maqedoni kremtohet në mënyrë masive edhe pse shqiptarët janë të besimit muhamedan, ata janë të vetëdijshëm se dita e shëmitrit është festë pagane të cilën e ka përvetësuar krishterimi, pra e ka bërë të vetën. Dita e shëmitrit në të kaluarën është
lidhur me zbritjen e bagëtive nga kullotat dimërore (Sako, 1968:38). Kjo festë lidhej edhe me kthimin e kurbetçinjve të cilët niseshin ditën e shëngjergjit dhe ktheheshin ditën e shëmitrit. Këtu është fjala për kurbetçinjtë të cilët punonin në vendet e Ballkanit. Me ardhjen e shëmitrit fillon stina e dimrit, populli e ndan më dysh vitin – gjashtë për gjashtë: shëngjergj e shëmitër, gjashtë muaj (behаr) verë, gjashtë muaj dimër. Për shkak të vjeljes së prodhimeve, zvogëlimit të ditës, kohës së ftohtë (e të tjera të ngjashme) thuhet se me shëmitrin fillon dimri. Nga kjo vjen edhe fjala e
urtë maqedonase “Erdhi shëmitri, prite shëngjergjin”(Kitevski, 2001:260).
Në fshatrat e Rekës së Epërme ditën e shënmitrit e bëjnë edhe parashikimin e motit. Në rast se dita e parë e shëmitrit ishte me diell, në popull besohej se dimri do të ishte i thatë, pa reshje, por i ftohtë. Në rast se moti i ditëve të tjera ishte i vrenjtur, atëherë stina e dimrit do të ishte me borë e do të bënte dimër i madh (Osmani, 1997:91). Në fshatrat Vallkavi dhe Nistrovë, banorët shkojnë shtëpi më shtëpi ia urojnë festën njëri tjetrit:”E gëzofshi ditën!”, “Për shumë mot dita!”, “Me shnet e me t‟mira!”, “Nikoqirët, (të zotët e shtëpisë) u përgjigjen me fjalët:”Amin! N‟mot ma mirë
ngjefshim!”(Osmani, 1997:91). Në Kumanovë dhe në disa vise të
Maqedonisë kjo ditë, në besimet popullore llogaritet si dita e minjve. . .
Sipas besimit nuk preket mielli dhe nuk jepet hua që të mos e marrin minjtë.
(Kitevski, 2001:263).
Ditën e shëmitrit përfundojnë punët e bujkut në fushë, kullotja e
bagëtive dhe e kafshëve të tjera është e lirë prej kësaj dite, mund t‟i kullosin nëpër arat e njëri tjetrit. Në Dibër ditën e shëmitrit këndojnë:
Pikin xhetht‟ e pjeshkës,
Erdhën mujt e vjeshtës,
Thaen kashtat e mëjsrit,
Erdhën mujt e shëmëitrit.
(Fetahu, 2003:63)
Është koha kur duhet të përgatiten zahiretë për stinën që po vjen për stinën më të ftohtë e më të gjatë të dimrit, sepse siç thuhet në këtë katrenë tanimë është bërë zakon në malësi përgatitja e këtyre ushqimeve:StrugaLajm

Frëije erja, bije shëi,
Thot shëmitri rëini n‟shpëi,
Moushni kantat me turshëi,
Si osht zakoni në malësi.
(Fetahu, 2003:64)
Në vise tjera në Maqedoni ku jetojnë shqiptarët poesis-i është
zhdukur për këtë festë kurse praxisis-i është ruajtur shumë i zbehtë në kujtesën e plakave dhe të pleqve.
Për festën e shëmitrit ( në popull shimitër) në Manastir zonja e shtëpisë përgatit byrek me groshë, sipas Sibela Alimovskës këtë lloj byreku apo petë me rrathë (kollbyrek) e quajnë groshallnik.
Ditën e shëmitrit, këtë ditë të shënuar në trevën e Strugës pothuaj
çdo shtëpi therë nga një gjel, sepse “kështu është adet”, këtë rit të prerjes apo të flijimit nuk e shpjegojnë dot. Flijimi i gjelit në të kaluarën duhet të ketë pasur karakter magjik. Natën e shëmitrit përgatitin darkë ose drekë të begatshme. Drekë përgatitin edhe për ditën e shëmitrit. Kryesisht përgatitin sarma prej lakre, kollbyrek etj. , përgatitja e këtyre gjellëve lidhet me besimin se ashtu si mblidhet lakra dhe kollbyreku ashtu të mblidhen njerëzit e shtëpisë. Ziejnë kungull, kungull vidimi (lloj kungulli me lëkur të hollë e të bardhë).Këtë ditë përgatitin edhe lloje të ndryshme të ëmbëlsirave. Në fshatrat e Strugës ëmbëlsira më e njohur që përgatitet për ditën e shëmitrit është kandagjybeku.StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...