Garip Kaba në një rrëfim në vetën e parë : Katër dekada sakrificë, dinjitet dhe besnikëri

Garip Kaba
Me shkas !
Teksa ky mëngjes gdhiu i qetë,m’u rikthye një përkujtim i largët,sot 40 vite të plota u bënë që jam paraburgosur.
Katër dekada të gjata, të mbushura me sfida, dhimbje, qëndresë dhe përballje me vetveten. Katër dekada në të cilat koha nuk ka kaluar thjesht, por është gdhendur në shpirtin tim me vulën e sakrificës.
E rikthej mendjen prapa, në atë ditë të ftohtë të 2 dhjetorit 1985.
Atëherë isha ende një djalë i ri, me zemër plot zjarr dhe mendje të trazuar nga ngjarjet dhe padrejtësitë që tronditnin vendin. Entuziazmi i rinisë më shtynte drejt ëndrrave, ndërsa realiteti i asaj kohe më vuri përballë një sprove që vështirë do të gjeje forcën ta përballosh.
Ishte ajo ditë kur u gjenda para zgjedhjes më të rëndë që mund t’i ndodhë një njeriu,të mbetesh besnik ndaj familjes dhe kombit, apo të pranosh rrugën e turpit që të ndjek deri në varr.
Mua më duhej të vendosja nëse do të isha vetvetja,apo një hije e dikujt që nuk do të doja kurrë të isha.
Zgjodha besnikërinë,zgjodha dinjitetin,zgjodha të mos e tradhtoja as veten,as familjen as gjakun tim, pavarësisht çmimit.
Dhe çmimi ishte i rëndë.
Që atëherë kam kaluar nëpër shumë qeli, biruca dhe korridore të errëta paraburgimi në burgje të ndryshme të vendit.
Aty kam dëgjuar zhurmën e hekurave që mbyllen pas meje, kam ndjerë ftohtësinë e mureve të lagështa dhe heshtjen që të gërryen shpirtin.
Kam parë fytyrat e padrejtësisë, por nuk kam lejuar asnjëherë që të shuhet brenda meje fuqia e qëndresës.
Këto 40 vjet nuk janë thjesht një numër në kalendar,janë një jetë e tërë.
Janë net pa gjumë, janë mendime të mbajtura gjallë me shpresë, janë plagë që nuk duken, por peshojnë më shumë se zinxhirët vetë.
Dhe sot,sot në këtë përvjetor , unë nuk shikoj vetëm dhimbjen dhe padrejtësinë që kam kaluar un dhe shumë shokë të tjerë si un, por edhe forcën që u ngrit brenda nesh. Shikoj njeriun që, pavarësisht gjithçkaje, nuk u thye. Sepse,ka gjëra në jetë që vlejnë më shumë se liria fizike,si’ç janë nderi, besa, dhe e vërteta që të mban kokën lart.
Ky fat i imi ka qënë i njëjtë si i qindra dhe mijëra veprimtarëve që sakrifikuan rininë dhe disa dhjetëra dhe qindra të tjerë fatkeqësisht edhe më të shtrenjtën,jetën e tyre.
Lavdia u takon gjithë dëshmorëve të lirisë dhe veprimtarisë së pashembullt, të të gjithë plejadave dhe brezave si ish të burgosur, që nuk jetojnë më.
Si relikt për rikthim kujtese,më shtyu edhe një punim me doren tim i një cigarellëku(çibuk),i gdhendur nga unë edhe pse skam punuar si marangoz atje në Idrizovë,më ka mbetur si trofe i vetëm ndër gjithë këto vite.
Gjatë vizitave te familjarëve fshehurazi nxirrja ndonje laps kimik me shqiponjë ose me figurën e Skënderbeut punuar nga druri.
Më kujtohen vizitat e prindërve sidomos e nënës time tani të ndjerë,aj pesë kilogramshi i ushqimit i limituar që me shumë sakrificë arrinte deri ne duart tona.
Vuajtjet dhe stërmundimi gjatë rrugës bukur të gjatë dhe vështirsitë e ndryshme…
Kan ndodhur edhe ndërprerje të vizitave në disa raste sepse urdhëri jepej që komunikimi me familjarët të bëhej në gjuhën sllave sidomos me nënën që nuk e kuptonte slavishten…
Tani që jeta më ka bekuar me familjen time, me nipër e mbesa, shoh se çdo sakrificë që bëra dikur ka marrë kuptim. Për ju brezat që vini pas nesh, dua të lë këtë porosi:
Ruajeni lirinë, vlerësojeni paqen dhe mos lejoni kurrë që padrejtësitë të vendosin hije mbi jetën tuaj !
Jeta do t’ju vërë përballë sfidave, por mbani gjithmonë të fortë karakterin, të pastër ndërgjegjen dhe të hapur zemrën.
Kujtoni se liria dhe dinjiteti nuk trashëgohen thjesht si fjalë,ato ruhen dhe mbrohen çdo ditë me veprimet tuaja, me mënyrën si silleni me njëri-tjetrin në përditshmëri.
Uroj që jeta t’ju japë mundësi të ecni më të lirë, më të sigurt dhe më të lumtur se brezi im, por pa harruar kurrë çfarë ka kaluar gjatë historisë vendi ynë,njerëzit tuaj dhe kombi ynë.
Është një përshkrim shum i vogël që e kam shkëputur nga dromcat e jetës që kam dashur ta ndaj me ju,të nderuar miq.
Jeta është sprovë dhe shumë është e rëndësishme si njerëz të arrijmë ta ruajmë integritetin dhe karakterin tonë mes nesh si shoqëri !

































