Gjenerali i Unitetit: Jemi kundër shkrirjes së “Aleancës për shqiptarët” në një parti (Video)

Aleanca për Shqiptarët ishte një koalicion që u krijua për pjesëmarrje në zgjedhjet e vitit 2016, dhe si e tillë do të mbetet. Kështu deklaroi kryetari i Partisë UNITETI Gëzim Ostreni, i cili hodhi poshtë zërat për një shkrirje të mundshme të të gjitha partive të këtij koalicioni në një parti të vetme. Ostreni sqaroi më tej se partia që drejton ai nuk e ka për qëllim shkrirjen, pasi siç tha ai, kanë vërejtur diferenca në programet politike të partive të cilat e kushtëzojnë një veprim të tillë.

“Vlerësimi i partisë në kohë ishte që të arrihet marrëveshje për një program identik të përbashkët, i cili nuk do të imponojë divergjenca, atë e arritëm. Kur kaluan zgjedhjet, kaluan disa në divergjenca, dhe tash duke bërë analizën konstatojmë se nuk duhet të ketë shkrirje, ose të themi bashkim të partive në një parti”, tha kryetari i UNITET-it, Gëzim Ostreni.
Ostreni ka thënë se përfundimisht pluralizmi politik duhet të funksionojë në bazë të programeve dhe nuk mund të shkrihen dy parti ose tre parti, të cilat kanë programe të ndryshme afatgjate.

“Tash për tash neve nuk mendojmë për shkrirjen, këtë e kemi bisedu edhe në nivel të koalicionit të kryetarëve të partive. Kemi thënë që shkrirje nuk do të ketë”, tha po ashtu Ostreni.

Ostreni më tej tha se UNITETI po e përcjell gjendjen aktuale politike në vend, për të marrë më pas masat e nevojshme për të kontribuar në zgjidhjen e çështjes, duke shtuar se një gjë të tillë do ta bëjnë në kuadër të koalicionit, pasi siç tha ai, kjo është një marrëveshje të cilën e kanë nënshkruar dhe po veprojnë në drejtim të përbashkët, me qëllim që të arrihet ajo për të cilën janë organizuar.

“Jemi duke e përcjellë gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë, e cila siç është e njohur është në gjendje shumë të vështirë dhe presim të shohim se çka do të ndodh, normalisht duke marrë masat e nevojshme që në kuadër të Aleancës, Uniteti të reagojë në mënyrë pozitive, për të kontribuar për zgjidhjen e çështjes”, theksoi kryetari i UNITET-it, Gëzim Ostreni.

Ndërkaq, planet e kësaj partie për të ardhmen janë që të vazhdojnë me shtrirjen e partisë nëpër tërë vendin, duke krijuar kështu degë dhe nëndegë në vendet ku ka kushte për formimin e këtyre organeve.

 

Loading...
loading...











Loading…


loading…