Aktuale

Gjermania, vendi më i shtrenjtë në botë për të prodhuar makina!

Çdo makinë e prodhuar në Gjermani mbart një kosto mesatare pune deri në 3300 dollarë, që përfshin pagat, kontributet e pensioneve dhe përfitime të tjera. Në krahasim, të njëjtat kosto në Shtetet e Bashkuara arrijnë në rreth 1340 dollarë, ndërsa në Marok ato janë më të ulëtat, vetëm 106 dollarë për automjet

Një studim i ri nga firma konsulente Oliver Wyman ka zbuluar një sfidë të madhe me të cilën përballen prodhuesit gjermanë të makinave; kostot jashtëzakonisht të larta të punës. Çdo makinë e prodhuar në Gjermani mbart një kosto mesatare pune deri në 3300 dollarë, që përfshin pagat, kontributet e pensioneve dhe përfitime të tjera. Në krahasim, të njëjtat kosto në Shtetet e Bashkuara arrijnë në rreth 1340 dollarë, ndërsa në Marok ato janë më të ulëtat, vetëm 106 dollarë për automjet.

Me futjen e tarifave për importet e makinave të huaja në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë e më shumë prodhues po shqyrtojnë zhvendosjen e një pjese të prodhimit të tyre brenda kufijve amerikanë. Midis tyre është Audi, për të cilin kjo do të ishte fabrika e saj e parë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, shmangia e tarifave nuk është arsyeja e vetme për të konsideruar zhvendosjen e prodhimit jashtë Gjermanisë, rritja e kostove të punës lokale është bërë një kërcënim i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e industrisë gjermane të makinave.

Ministria e Financave planifikon të ndryshojë rregulloret tatimore për ta bërë blerjen e një makine tërësisht elektrike më tërheqëse për kompanitë në Gjermani. Bëhet fjalë për një rregullore speciale që synon të zbatohet për blerjet midis korrikut 2025 dhe dhjetorit 2027. Firmat që blejnë një makinë të re elektrike për përdorim biznesi në Gjermani duhet të jenë në gjendje të zbresin 75% të kostove nga taksat e tyre në vitin e blerjes, sipas një projektligji të vënë në dispozicion të dpa-së në Berlin.

Ndërkaq, në një situatë alarmante për industrinë automobilistike, drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të makinave, përfshirë General Motors, Toyota, Volkswagen dhe Hyundai, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e magneteve të rralla nga Kina. Ato janë thelbësore për prodhimin e komponentëve të tilla si motorët, alternatorët, sensorët dhe sistemet e sigurisë. Kina, e cila kontrollon mbi 90 për qind të kapaciteteve globale për përpunimin e këtyre magneteve, ka vendosur kufizime të reja në eksport, duke kërkuar që kompanitë të marrin leje nga Pekini për të eksportuar këto materiale.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button