BLENDI PETROL
Aktuale

Gjuha amtare do të mësohet çdo ditë

Nëse gjërat ecin sipas dinamikës së paraparë sa u takon reformave në arsimin fillor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të ofrojë për vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019 programe të reja mësimore për tre vitet e para të arsimit nëntëvjeçar.

Krahas programeve për klasat I, të cilat sikurse është paralajmëruar më herët – do të kenë dallime të theksuara në përmbajtje dhe formë, MASH ka ofruar variantet e reja të programeve mësimore dhe për klasat II dhe III, ku bie në sy theksi i dimensionit ndërkulturor si komponentë përkatëse e të gjithë lëndëve mësimore.

Risitë në varietet e propozuara të programeve të reja për klasat II dhe III kanë të bëjë kryesisht me komponentët për aftësinë dhe nivelin e njohurive që duhet të fitojnë në shkollë nxënësit e kësaj moshe, si dhe në ndarjen e tematikave sipas fondit të orëve të mësimit. Por ka edhe dallime në formë. Kështu për shembull, gjuha amtare në klasat II nuk do të mësohet katër, por pesë orë në javë, ndërsa do të ketë gjithsej pesë lëndë mësimore, me gjithsej 19 orë në javë.

Në përjashtim të Muzikës dhe Artit Figurativ, që janë shkrirë në një lëndë të vetme, lëndët tjera mbesin të njëjta për të dyja vitet e shkollimit. Pra nxënësit e klasave II dhe III do të kenë pesë orë në javë Gjuhë Amtare, 4 orë Matematikë, 2 orë (klasat II) dhe 3 orë (klasat III) Bota rreth nesh, nga 3 orë në javë Art dhe po nga 34 orë Arsim fizik dhe shëndetësor, si dhe 2 orë në javë Gjuhë Angleze. Kështu në total, mësimdhënësit duhet të realizojnë nga 19 orë mësimi në javë ose 684 orë në vit me nxënësit e klasave II dhe nga 20 orë në javë ose 720 orë mësimi në vit me nxënësit e klasave III. Shtimin e fondit të orëve për mësimin e Gjuhës Amtare, MASH e ka arsyetuar me argumentit e fillimit të procesit të shkrim-leximit në këtë klasë.

“Fondi i orëve shtohet nga katër në pesë orë në javë, për arsye se në klasën e dytë fillon procesi i mësimit të shkrim-leximit. Pikërisht për këtë arsye, shumica e orëve janë shpërndarë në fushën programore të shkrim-leximi fillestar”, thuhet në variantin që MASH ka ofruar për debat me palët e interesit. Kjo lëndë është e ndarë në katër fusha programore: Komunikimi dhe gjuha, Letërsi, Kultura e mediumeve dhe shkrim-leximi fillestar, me nga 55, 40, 20 dhe 65 orë në vit. Në klasë të III mësimi i Gjuhës Amtare vijohet me tre fushat e para programeve me nga 80,70 dhe 30 orë në vit për nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe dhe turke, ndërsa për nxënësit që mësojnë në gjuhën maqedonase dhe serbe – do të vijohet edhe me fushën e leximit fillestar, por këtë vit të shkronjave latine.

Në fushën programore “Komunikim dhe gjuhë” është caktuar t’i kushtohet rëndësi të veçantë zhvillimit të shkathtësive të komunikimit gojor dhe shkrimor, me qëllim të pasurimit të fjalorit dhe njëkohësisht përdorimit të rregullave elementare drejtshkrimore. Në fushën programore “Letërsi” në klasë II nxënësit fillojnë të përdorin letërsinë për fëmijë, dhe përveç të dhënave elementare për autorin e veprës letrare, duhet të vendoset theksi në zhvillimin e teknikave të leximit, ndërsa në klasë të tretë nxënësit duhet të fillojnë të analizojnë krijime letrare dhe të aftësohen që t’i dallojnë dhe vlerësojnë elementet estetike. Me nxënësit e kësaj moshe, rëndësi e posaçme duhet ti kushtohet leximit me kuptim.

Ndërkaq, në fushën programore “Kultura e medies”, nxënësit krahas ndjekjes së përmbajtjeve të ndryshme mediatike të përshtatshme për moshën, duhet ta zhvillojnë shprehinë e leximit dhe përdorimit të përmbajtjeve shtesë, por edhe të mësojnë për llojet e ndryshme të përmbajtjeve dhe ngjarjeve kulturore-artistike.

Lidhur me Matematikën, në programet e reja synohet që në klasë II ti jepet më tepër hapësirë Gjeometrisë, ndërsa në klasë III – Algjebrës. Konkretisht, në klasë të dytë është caktuar që operacionet matematikore të mbledhjes dhe zbritjes të arrijnë deri te numri 20, por të punohet me figura gjeometrike më të ndërlikuara me qëllim të mësimit të koncepteve 2D dhe 3D. Në klasë të tretë, krahas avancimit të njohurive për format 2D dhe 3D, nxënësit do të avancojnë mësimin e mbledhjes dhe zbritjes deri te numri 100. Matematika në të dyja klasat do të mësohet nga 4 orë në javë, apo 144 orë në vit./KOHA

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button