LN ARCHITECTS
BLENDI PETROL
AktualeStruge

Gjyqi kundër Ramiz Merkos për blerjen e veturës “Audi A6 drejt fundit


Në seancën e radhës të caktuar për 9 qershor në Gjykatën Themelore në Strugë, i akuzuari duhet të japë mbrojtjen e tij, pas së cilës do të pasojnë fjalët përfundimtare të mbrojtësit, prokurorit publik dhe shpallja e aktgjykimit.

  • Në seancën e sotme i përfunduam dëshmitë verbale që gjykata i pranoi, po ashtu u paraqitën edhe dëshmitë materiale. Tani mbetet të shqyrtohet e gjithë dokumentacioni, t’u jepet mundësi mbrojtjes dhe prokurorisë të përgatisin fjalët përfundimtare dhe që në seancën e ardhshme lënda të përfundojë – deklaroi gjyqtari Jordan Jovanov, duke paralajmëruar përmbylljen e çështjes gjatë muajit qershor të këtij viti.

Pensionistja Liljana Stojanova, e cila atëherë punonte në Entin Shtetëror të Revizionit, sqaroi se në kushte të një llogarie të bllokuar, kryetari i Gjykatës Themelore kishte dhënë vendim për mbulimin e shpenzimeve më të domosdoshme për funksionimin e Komunës. Në nëntor të vitit 2017, siç shtoi ajo, ishte bërë një ndryshim në atë vendim dhe ishte miratuar një limit mujor për Komunën prej mbi 50 milionë denarë, që do të thotë se për 12 muaj buxheti total do të ishte 605 milionë, çka e tejkalon buxhetin e rregullt vjetor.

Si dëshmitarë u paraqitën edhe kryetari i Komisionit për Prokurime Publike pranë Komunës së Strugës, Alija Ajdinovski dhe zëvendës anëtarja Erka Bauta. Sipas tyre, procedura për blerjen e katër veturave, përfshirë edhe “Audin”, ishte zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurime Publike, pas vendimit të Këshillit të Komunës së Strugës për ndarjen e mjeteve në buxhet për këtë qëllim. Ajdinovski theksoi se në tender kishte dy oferta dhe se ishte përzgjedhur më e favorshmja.

Ndërkaq Bauta, e cila kishte qenë edhe anëtare e Komisionit për shitjen e veturave të vjetra komunale që, sipas saj, nuk ishin funksionale, theksoi se Komuna kishte nevojë për automjete të reja dhe se edhe parku i mëparshëm i veturave përbëhej nga automjete të shtrenjta.

Mbrojtja e Merkos konsideron se në këtë rast nuk ekziston asnjë provë që tregon ndonjë parregullsi në blerjen e veturës “Audi A6”.

Dëshmitarët, të cilët më parë kishin dhënë arsye të ndryshme për mospjesëmarrje në seanca, sot në Gjykatën e Strugës u sollën me polici pas urdhrit të gjyqtarit.

Në Gjykatën e Strugës sot duhet të vazhdojë edhe diskutimi për pllakën përkujtimore të vendosur në hyrje të godinës komunale, për të cilën është në proces nxjerrja e dëshmive verbale nga akuza.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button