
Goma makinash, mobilie, pajisje sanitare, plastikë – janë vetëm një pjesë e mbeturinave që u nxorën këtë fundjavë nga fundi i Liqenit të Ohrit, në afërsi të fshatit Radoshdë të Strugës, gjatë një aksioni nënujore të klubeve të zhytjes “Norkach” nga Struga, “Ezerski Puls” dhe Qendra e Zhytjes “Scout”, si dhe klubeve të tjera të zhytjes dhe vullnetarëve.
Sipas Riste Talevski nga klubi për aktivitete nënujore “Norkach”, vullnetarët dhe dashamirët e natyrës janë bashkuar sërish me një qëllim të përbashkët – ruajtjen e liqenit dhe bukurisë së tij natyrore.
Ai theksoi se vetëdija e qytetarëve është në një nivel të ulët dhe se ajo që u nxor nga fundi i liqenit është zhgënjyese. Sipas tij, sasi të mëdha plastike, xhami, metali, goma, mobilie, pajisje sanitare dhe materiale të tjera të hedhura në mënyrë të papërgjegjshme u nxorën nga fundi i liqenit.
“Liqeni i Ohrit është një pasuri kombëtare që kërkon kujdes të vazhdueshëm. Të mos lejojmë ta shkatërrojmë atë që natyra e ka krijuar për mijëvjeçarë. Përgjegjësia është e të gjithëve – të mos ndotim dhe të mbështesim iniciativat ekologjike. Të bëhemi pjesë e ndryshimit,” – tha Talevski.
Në aksion morën pjesë mbi 100 zhytës dhe vullnetarë nga vendi dhe nga Serbia fqinje, duke dhënë kontributin e tyre për krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të shëndetshëm.