Grabiten 2 milionë euro në Thesarin e Kosovës

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati.

Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, i arrestuari është L.G., ku pos pronës së tij në Komoran po ashtu në Komunën e Gllogocit, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4.

Në arrati janë K.Sh dhe V.Sh, të cilët janë të lidhur me kompaninë në fjalë.

Zyrtarisht është konfirmuar kërkimi i bllokimit të llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia e ka evidentuar rastin më 9 tetor, 2020, ndërkaq arrestimi i parë është bërë më 20 tetor.

Në bazë të regjistrit të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, rezulton se kompania LDA Group shpk, ishte regjistruar si biznes në gusht të 2019-tës. Pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh. Veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërkaq veprimatri dytësore demolimin e objekteve.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Për këtë rast, Bajrami tha se janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas saj, rastin në organet e rendit e ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transakionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo.

Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Republikës së Kosovës, tha ndër të tjera Bajrami.

Ministrja e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”.

“Ajo që dua t’ju siguroj është se ky është një rast i izoluar më te cilin po merret intensivisht edhe Ministria e Financave dhe organet e rendit. Mjetet e tyre dhe buxheti i Kosovës është i sigurt. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe janë të sigurta”, ka thënë ajo para mediave.

In : Aktuale

Loading...
loading...