
Bardhyl Tushi
Ditët e fundit po lexojmë deklarime sikur historia e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup fillon me disa procese të viteve të fundit. Kjo nuk është e saktë dhe është e padrejtë ndaj atyre që e kanë themeluar dhe ndërtuar këtë institucion që në fillim.
Universiteti “Nënë Tereza” nuk fillon me projektin e kampusit dhe as me transformimin e kazermës në hapësirë universitare. Historia e tij fillon me vizionin dhe angazhimin e rektorit themelues, dr. Aziz Pollozhani, i cili ishte ideatori dhe bartësi kryesor i procesit të krijimit të universitetit. Në një kohë jo të lehtë politike dhe institucionale, ai dhe bashkëpunëtorët e tij vendosën themelet akademike dhe institucionale të këtij universiteti.
Pa atë fazë themeluese – pa konceptin akademik, pa programet studimore, pa strukturën institucionale – sot nuk do të kishte as universitet, e as projekte për kampus modern.
Çdo projekt zhvillimor është i mirëseardhur dhe ndërtimi i kampusit është padyshim një hap pozitiv për universitetin dhe për arsimin e lartë në vend. Por është e papranueshme që në këtë proces të anashkalohen ose të harrohen ata që e krijuan universitetin nga fillimi.
Institucionet akademike ndërtohen mbi vazhdimësi dhe respekt për historinë e tyre. Prandaj është e rëndësishme që historia e Universitetit “Nënë Tereza” të tregohet e plotë dhe me korrektësi – duke filluar nga themeluesit dhe jo duke filluar nga ata që erdhën më vonë.
Fatkeqësisht, periudha e drejtimit nga Izet Zeqiri nuk mbahet mend për konsolidim dhe zhvillim institucional, por për kaos dhe turbullira të panevojshme brenda universitetit. Nëse drejtimi do të kishte qenë i suksesshëm dhe bindës për komunitetin akademik, ai do të kishte marrë edhe një mandat tjetër. Por realiteti ishte ndryshe.
Universiteti “Nënë Tereza” nuk ka nevojë për narracione personale apo përpjekje për të përvetësuar meritat e të tjerëve. Ky institucion ka histori, ka themelues dhe ka një rrugë të ndërtuar mbi kontributin e shumë njerëzve – dhe ajo histori nuk fillon me ata që sot përpiqen ta rishkruajnë.
Në të njëjtën kohë, sote eshte momenti për të URUAR dhe falënderuar të gjithë ata – profesorë, themelues, vendimmarrës dhe mbështetës institucionalë – që kanë kontribuar që sot në Shkup të kemi një UNIVERZITET dhe që ky universitet të hyjë në një fazë të re zhvillimi!!





























