Hotelieria një nga bizneset me rritje më të shpejtë në Strugë,Ohër dhe Shkup
Numri i hoteleve në Maqedoni është rritur prej 147 në vitin 2010, në 229 në fund të vitit 2015. Kjo do të thotë se në periudhë prej pesë vitesh në vend janë ndërtuar 82 hotele të reja, shkruan gazeta KOHA. Shifrat tregojnë se në kryeqytet, por edhe në qendrat turistike vendore, si Struga, Ohri, Mavrova si dhe qytetet kufitare si Gjevgjelia, Strumica etj, hotelieria llogaritet si një nga bizneset me rritje më të shpejtë. Rritja e numrit të turistëve në kryeqytet, por edhe në vendet tjera turistike, inkurajon shumë investitorë të investojnë paratë e tyre në këtë lloj biznesi. Vetëm në janar të këtij viti vendin e kanë vizituar 25.031 turistë të huaj, të cilët kanë realizuar 46.137 bujtje. Shumica kanë qenë mysafirë nga Greqia, Bullgaria, Shqipëria, Turqia dhe nga Serbia. Nga Entit shtetëror statistikor kanë njoftuar se numri i turistëve të huaj në janar të këtij viti në krahasim me janarin e vitit të kaluar ka shënuar rritje për 15,5 për qind, ndërsa numri i bujtjeve është rritur për 15,2 për qind. Vala e turistëve në janar është vetëm një ilustrim për rritjen e numrit të turistëve në vend, për çka kontribut të madh kanë subvencionet e transportit ajror, si dhe aranzhimet për mysafirët e huaj. Për rritjen e ofertës së akomodimit në përgjithësi në vend, dhe jo vetëm në kryeqytet, tregojnë edhe të dhënat e krijuara nga agjenci të huaja turistike dhe portale. Analiza e portaleve tregon rritje të madhe për prezencën e objekteve për strahim në Maqedoni, në krahasim me vitet e mëparshme. Kështu, në portalin e famshëm për aranzhime Buking.com, në tetor të vitit të kaluar, numri i objekteve për strahim në Maqedoni ishte 893, ndërsa përfundimisht me 1 prillin e vitit 2017 ofrohen 930 objekte për bujtje. Kështu, 80 për qind nga oferta e bujtjeve është në Ohër dhe Shkup, ndërsa bashkë me Manastirin, Dojranin dhe Strugën, kjo përqindje ka arritur arrin në 91 për qind. Nga ana tjetër, në rajonin verilindor ofrohen vetëm 9 objekte për fjetje, ndërsa në rajonin lindor mezi se ka 13 objekte, ose bashkërisht vetëm 2 për qind nga oferta e përgjithshme në Maqedoni. Në ndërkohë, çmimet e shërbimeve hotelerike në mars janë rritur për 0,1 për qind në krahasim me shkurtin, njoftoi të mërkurën Enti Shtetëror për Statistikë. Shikuar në grupe rritje ka te ushqimi për 0,2 për qind dhe te pijet joalkoolike për 0,1 për qind, ndërsa te pijet alkoolike ka ulje për 0,4 për qind. Në krahasim me marsin e vitit të kaluar, çmimet e shërbimeve hotelerike janë rritur për 0,3 për qind. Indeksi kumulativ i çmimeve të shërbimeve hotelerike për periudhën janar – mars në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për 0,3 për qind, ndërsa në krahasim me dhjetorin e vitit 2016 është ulur për 0,1 për qind. (koha.mk)