“Hyxhym” dost, deti u bë kos!
Fadil LUSHI/
Parimisht duhet pranuar se ky shkrim nuk mund t’u dedikohet lexuesve që nuk jetojnë buzë Adriatikut, “mullirit dhe mullisit!” Unë tok me fisin dhe me mëhallën time nuk kam as Adriatikun, as “gurët e mullirit e as miellin e mullisit!” Ky farë mullisi sikur më tha: “Ty nuk të takon mielli, sepse nuk je pjesa e jonë!” Ç’është e vërteta, ne nuk e kemi detin aty pranë… dhe, lum miku, kur ti nuk e ke detin, nuk mund ta kesh as flotën detare, nuk mund ta kesh as marinën tregtare, atë të luftës, dhe, së fundi, as edhe admiralin që i jep urdhrat në gjuhën shqipe. Dikur moti, babai im më thoshte: “Biri im, ‘shyqyr’ që nuk e kemi detin, sepse po ta kishim, ndoshta një pjesë të tij do t’ia jepnim falas fqinjit…, njësoj si Shën Naumin dhe Vermoshin, që mbreti ynë, Ahmet Zogolli, dikur moti ia dhuroi krajlit serb!” Mandej, deti shumë vështirë vëzhgohet ,sidomos nëse atë “e shndërrojmë në kos”. Ju politikanë të Shqipërisë, ju që hiqeni për superiorë, juve që hiç nuk u ha palla për hallet tona, ju që hiqeni për “aga babë”, ju që keni detin, “gurët e mullirit, miellin e mullisit” dhe Karaburunin, lusim për pak kujdes dhe ndjesi…, mos harroni, edhe ne që jetojmë këtej gardhit, me shumë tamam e kemi të vërtetën tonë…, edhe ne jemi hisedar në trashëgiminë tonë të pasur kombëtare, kulturore dhe të tërat i ruajmë, i zhvillojmë dhe i pasurojmë. Nëse ju në vaktin e Enverit kishit dhe keni spitalin psikiatrik të Elbasanit a edhe të Vlorës, edhe ne kemi çmendinën e Bardovcës dhe Demir Hisarit. Nëse ju në vaktin e diktatorit tuaj kishit Burrelin dhe Spaçin, ne në kohën e diktatorit tonë të egër e fashist kishim më shumë kazamate, atë në Petrova Rupa të Goli Otokut, Zabelën e Pozharevcit, Idrizovën, Dubravën e Kosovës e tjerë…, ani se nuk kishim e nuk kemi det… Andej, nga ju, ata që hiqnin të zitë e ullirit, me gardianët flisnin shqip, këtej nga ne llafoseshin maqedonisht dhe në gjuhën serbokroate. E gjithë kjo nuk ishte dhe nuk është njësoj, sepse ne këtejpari e donim edhe Shqipërinë edhe lirinë tonë të munguar! Ju e donit vetëm Shqipërinë! Vërtetë nuk ishte njësoj, andaj mos thoni se ishte ashtu siç keni thënë, sepse nëse vazhdoni të na bindni se ishte njësoj, atëherë do të na përjashtoni nga e drejta jonë e të qenit hisedar! Ju lusim, pushoni njëherë e përgjithmonë të na thoni: “Neve na vjen keq, por ama, ne nuk kemi kohë për ju, kemi hallet dhe shqetësimet tona!” Edhe përtej kësaj mospërfilljeje, ne asnjëherë nuk “do ta mallkojmë e as do ta mohojmë vetveten dhe vendin ku jetojmë!”, ani se, nuk e kemi Adriatikun, “gurët e mullirit, mullisin dhe miellin e tij!”
Ju politikanë dhe akademikë të shtetit amë! Edhe ne këtej gardhit kemi kuzhinën politike. Është pak orientale e pak oksidentale, me orientim pak nga lindja e pak nga perëndimi…, as mish as peshk…, ani se nuk e kemi Adriatikun, “gurët e mullirit dhe miellin e mullisit!” Ne këtej kufirit administrativ, kemi “tepsinë e madhe prej bakri”, “kjo tepsia jonë” është më e “pasur” se juaja…, ne e kemi të mbushur me lloj-lloj “zarzavatesh të importuara” nga Turqia, nga Serbia, Bullgaria, nga Greqia, nga Brukselli, nga Moska dhe fare pak nga ju! Edhe ju keni “tepsinë” tuaj, por ama nuk është si jona! Dhe kjo nuk është njësoj! Ju politikanë të shtetit amë! Edhe ne kemi “kazanin” mediatik, politik dhe atë të drejtësisë, ku sot e gjithë ditën e Perëndisë, shqiptarëve me pa të drejtë u shqiptohen dënime drakoniane a kapitale! Edhe kjo nuk është njësoj! Ky “kazani” ynë, në krahasim me tuajin, është prej “teneqeje” dhe me bojë të verdhë! Ne shpesh detyrohemi “kazanin” ta çojmë te “ustai” për t’ia “mbyllur vrimat”. Ky “ustai” e vonon qëllimisht riparimin. Ndodh që edhe të mos na e kthejë “kazanin që nuk është toptan pronë jona!” Ky “kazan i përngjan enëlarëses” ku shpëlahen trutë e shqiptarëve dhe ca pakica njerëzish të tjerë. Edhe kjo nuk është njësoj…, andaj mos thoni se është ashtu! Edhe ne dikur kishim “aga babën” tonë dhe, që kur ishte i ri, qe i mençur, ishte namuzqar, nuk është si këta të sotmit, ky “aga baba” hiç fare nuk i kishte për qejf thashethemet! He, he, “terbijen” e kishte me tamam prej shehërliu…, “terbije” prej aristokrati dhe prej pashai, njësoj si…, dhe kjo nuk është njësoj si te ne, si te ju! Ne këtej Qafë Thanës, kemi masturbuesit patriotë, masturbuesit intelektualë dhe militantët patriotikë. Politikanët tuaj që hiqen si “djathtistë”, masturbimin e “bëjnë brenda në çadër”, ndërkaq “majtistët” vetëkënaqen te fushat ku kultivohet ajo bima barishtore njëvjeçare, që kur e konsumon, ta bën mendjen “livadh!” Edhe kjo nuk është njësoj! Edhe ne këtej kufirit administrativ kemi njerëz të rrjedhur nga fiqiri, por ama jo deri në atë derexhe që ju pretendoni të thoni. Sa për kosin, ne gjithandej e kemi me bollëk, qoftë ai kos dhensh, dhish, lopësh e tjerë…, edhe ne kemi fqinjët ortodoks, por ama prej tyre nuk kërkojmë “FARË KOSI për ta shndërruar detin në kos!”. Nuk e bëjmë dot, sepse nuk e kemi Adriatikun, “gurët e mullirit dhe miellin e mullisit!” Edhe kjo nuk është njësoj, edhe përtej dëshirës sonë a suajës për të (mos) qenë ndryshe!
Zoti kryeministër, para se ta bësh “Shqipërinë e Madhe” apo atë natyralen, bëj kujdes se si do të duket ajo. I respektuar dhe shumë i nderuar kryeministër! Në do ta bësh Shqipërinë Natyrale, ki kujdes se si do të duket qeveria e saj, bëj kujdes si do quhet kuvendi. Do të quhet me emrin e vjetër Kuvendi Popullor, do të thirret me emrin aktual Kuvend i Shqipërisë-njëdhomësh, me 140 deputetë, ose, në istancë të fundit, do të emërtohet KUVENDI MBARKOMBËTAR i shqiptarëve!? I çmuari kryeministër, pa na thuaj sa deputetë do të kesh nga Maqedonia, Kosova e Lugina…, pa na thuaj, a do të na marrësh vetëm si numër a si pjesë e shartuar dhe jo e natyrshme e trungut të familjes mëmë! Ne duam të të besojmë se nuk do të na paragjykosh dhe nuk do të na marrësh si fëmijë prej njerke! Edhe ne këtej kufirit shqiptaro-shqiptar kemi burra mendjendritur edhe për shtëpi edhe për çarshi, edhe për mexhlise edhe për politikë, edhe për Evropë, edhe për Amerikë, edhe për…, ani se në Tetovë, në Shkup, në Prizren e Prishtinë, në Preshevë, nuk e kemi detin, “gurët e mullirit dhe miellin e mullisit!” I nderuari kryeministër, para se ta bësh Shqipërinë Natyrale besoj se do të kesh kujdes edhe për ligjin themelor të “dovletit të ri”. I nderuar Kryeministër, para se ta krijosh Shqipërinë Natyrale, bëj kujdes dhe merre parasysh edhe inatin tonë dhe të shqiptarëve nga Kosova…, ki parasysh të vërtetën se ne këtej gardhit nuk pëlqejmë ta “hamë” byrekun me “presh”…, ne nuk e mbajmë lugën në brez…, në do ta bësh Shqipërinë e Nënës, atëherë hiq mënjanë kleptomanët që zhvatin xhepat e miletit. Në do ta bësh këtë, atëherë do jetë krejt NJËSOJ, si për ne ashtu edhe për ju! Ndryshe nuk bën.
P.S. Ehe, sa keq tingëllon kur shqiptarët i drejtohen njëri-tjetrit me “NE dhe JU.., TI MATANË KUFIRIT, UNË KËTEJ HUDUTIT!”- Qoftë “mallkuar” ai që shpiku kosin dhe “Tavë turli për turli njerëzish!”