“I padukshmi me kurorë”-një shkrim nga Arben Labënishti

Duke u bazuar në të dhënat shkencore për koronaviruset, SARS-CoV-2 është një nga shtatë koronaviruset e njohura që i infektojnë njerëzit, një nga tre koronaviruset që shkaktojnë sëmundje të rënda te njeriu dhe i vetmi nga ato që, si rezultat i karakteristikave biologjike të tij, arriti të shkaktojë pandemi dhe kështu vazhdon të mbretërojë në të gjithë botën.
Shkruan: Arben LABËNISHTI, Strugë
Mikroorganizmat janë në tokë për të zotin e mendjes me ndërgjegje dhe intelekt, për njeriun. Ato, nëpërmjet imtësisë së tyre fizike dhe cilësive të materialit biologjik që përmbajnë, i realizojnë detyrat e tyre, të cilat janë vepra që jetohen dhe shijohen nga vetë njeriu.
Me vitin 2021 u përmbyll edhe viti i dytë nga dita kur, papritur e papandehur, një qenie e pakapshme për syrin e njeriut, por me pasoja të drejtpërdrejta dhe të dukshme për shëndetin e tij, filloj ta infektojë atë dhe të shpërndahet me shpejtësi nga një njeri te tjetri, me tendencë shtrirje mbi gjithë njerëzimin, për t’i marrë përmasat e pandemisë, e cila e detyroi OBSH-në, që si përgjigje më të shpejtë ndaj situatës së krijuar t’u rekomandonte qeverive të shteteve në nivel botëror, ndërmarrjen e veprimeve të cilat sollën shumë kufizime në përditshmërinë e njerëzve. Të gjitha masat kufizuese, të periudhës që nga shfaqja e pandemisë e deri në ditët e sotme, të detyruara për t’u zbatuar nga çdo individ, u ndërmorën dhe u përligjën me arsyetimin “për t’u mbrojtur nga koronavirusi i emëruar SARS-CoV-2”, që i dëmton mushkëritë dhe e vështirëson frymëmarrjen, koagulon gjakun… dhe, si pasojë, shuan dhe vazhdon edhe në ditët e sotme të këpusë jetën tokësore të një numri jo të papërfillshëm të të infektuarve të sëmurë.
Tanimë është qartësisht e dukshme dhe e ndjeshme se ky virus e ka përballur shoqërinë njerëzore jo vetëm me krizë shëndetësore, por edhe me krizë sociale, ekonomike, kulturore dhe politike, shkaktar i të cilave, sigurisht, nuk është virusi. Ai, me pandeminë, vetëm i nxori në sipërfaqe më të dukshme, më të prekshme dhe më të dhimbshme këto kriza.
Virusi “SARS-CoV-2” – debati për prejardhjen
Si pasojë e realitetit ndërkombëtar të rendit botëror me të cilin në jetën tonë përvijohen marrëdhëniet politike, ekonomike, sociale-kulturore, të sigurisë, të arritjeve shkencore etj., për sa më shumë kapital, pushtet dhe supremaci, të cilat te jo pak njerëz kanë shkaktuar frymë dhe ndjesi mosbesimi, pandemia e shkaktuar nga një virus i panjohur deri atëherë provokoi diskutim për origjinën e tij, si: natyrore apo laboratorike?
Njeriu, në shtëpinë e përbashkët – në Tokë, bashkëjeton me mikroorganizmat, pa i identifikuar ata drejtpërdrejt me syrin e vet, por duke i parë dhe shijuar rezultatet e veprimeve të tyre, pa të cilat do të ishte e pamundur jeta e tij. Në ditët e sotme, dija që kemi për mikroorganizmat nuk është e paktë, por duhet të ketë edhe procese dhe funksione të tjera të tyre në mjedis dhe në organizmin e njeriut, për të cilat akoma nuk kemi njohuri.
Historia e shëndetit publik të njerëzimit dhe historia e zhvillimit të shkencës mjekësore dëshmon se viruset dhe pandemitë e shkaktuara nga ato, me pasojat vdekjeprurëse për jetën në tokë të disave nga të infektuarit të sëmurë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë fenomene, me të cilat është përballur njerëzimi edhe më parë. Është e njohur se shfaqja e viruseve që e infektojnë njeriun dhe mutacionet e tyre ka ndodhur edhe në kohët e kaluara, kur s’ka qenë e zhvilluar teknologjia për izolimin dhe dija për studimin e tyre. Por, në ditët e sotme, si rezultat i teknologjisë së avancuar dhe arritjeve shkencore në fushën e biologjisë molekulare dhe inxhinierisë gjenetike, ekziston edhe mundësia e manipulimit laboratorik të materialit gjenetik. Si rezultat i kësaj mundësiе të arritshme nga niveli shkencor i sotëm, mund të marrë kuptim ndonjë nga teoritë që ngrenë dyshimin për koronavirusin SARS-CoV-2, si “virus laboratorik”.
Virologu i njohur gjerman, Prof. Hendrik Streeck, drejtues i Institutit të Virologjisë në Universitetin e Bonit, në një intervistë lidhur me koronavirusin, sqaronte se:“Ka shumë pak gjasa që ky virus të jetë prodhuar në një laborator. Me sa di unë, degë të tilla hulumtimesh për prodhimin e viruseve të caktuara nuk ndiqen më, sepse kjo është shumë e rrezikshme. Nga ana tjetër, as nuk mund ta thuash se nga vjen një virus. Një virus nuk ka sekuenca gjenetike, që nuk i gjen si të tilla edhe në natyrë. Po ashtu duhet thënë se laboratorët e tillë, si ai në Kinë, janë sektorë të sigurisë së lartë, ku viruset dhe bakteret nuk kalojnë aspak në hapësira të tjera dhe kështu nuk dalin gabimisht jashtë tyre. Për mua është gati e pamundur që të ketë ndodhur diçka e tillë, por këtë natyrisht nuk mund ta vërtetosh. Ashtu si nuk mund të vërtetosh të kundërtën”.
Autorët e një studim të publikuar ne “Nature Medicine”, me titull “Origjina fillestare e SARS-CoV-2”, Kristian G. Andersen, Andrew Rambaut, W. Lan Lipkin, Edward C. Holmes dhe Robert F. Garry, të cilët e kanë studiuar gjenomën e virusit të ri dhe e kanë krahasuar me gjenomat e gjashtë koronaviruseve të tjera, që e infektojnë njeriun, shprehen prerë: “Analizat tona tregojnë qartë se SARS-CoV-2 nuk është një konstrukt laboratorik ose një virus i manipuluar me qëllim”.
Por, mozaiku i prononcimeve për origjinën e këtij virusi, i kompletuar edhe me qëndrimet publike që kanë të bëjnë me laboratorin e Institutit të Virologjisë në Wuhan të Kinës, i cili është vendi ku u diagnostikuan të sëmurët e parë nga ky virus, siç është mendimi i virologes kineze, Dr.Li-Meng Yan, e cila shprehet se “…virusi ka dalë nga laboratori i Wuhanit…” dhe prononcime të tjera nga shkencëtarë, politikanë dhe biznesmenë e drejtues fondacionesh me kapital të majmë të investuar në studime shkencore, siç është Bill Gates, kanë shkaktuar një pasiguri dhe enigmë në lidhje me origjinën fillestare të SARS-Cov2.
Si rezultat i mungesës publike të argumenteve shkencore pro teorisë “virus laboratorik”, i moskontestimit nga brenda komuniteti shkencor i konkluzioneve të studimit të gjenomës së këtij virusi të ri dhe krahasimit të saj me ato të koronaviruseve të tjera, sipas të cilave mohohet që ai të jetë një virus i prodhuar dhe manipuluar në laborator, si dhe mosargumentimi deri tani i dyshimeve se ky virus ka dalë nga laboratori i virologjisë në Wuhan të Kinës, teoritë konspirative për “virus laboratorik” ngelin shumë pas mendimit a bindjes për origjinën natyrore të SARS-Cov2. Sigurisht, pa e përjashtuar plotësisht dyshimin që nesër teoria “virus laboratorik” ose “i dalë nga një laborator” të ngrejë kokën dhe të dalë në dritë si e vërtetë që ishte eklipsuar dhe maskuar me mjeshtëri djallëzore.
Megjithatë, sot për sot, por ndoshta edhe përgjithmonë, ky virus, publikisht, gjykohet dhe do të vazhdojë të trajtohet si një virus me origjinë nga rrjedha natyrore e koronaviruseve.
Duke u bazuar në të dhënat shkencore për koronaviruset, SARS-CoV-2 është një nga shtatë koronaviruset e njohura që i infektojnë njerëzit, një nga tre koronaviruset që shkaktojnë sëmundje të rënda te njeriu dhe i vetmi nga ato që, si rezultat i karakteristikave biologjike të tij, arriti të shkaktojë pandemi dhe kështu vazhdon të mbretërojë në të gjithë botën.
Teoritë konspirative, mes imagjinatës dhe realitetit
“Fara” koronavirus, që u “mboll” në “arën” e popullatës botërore, në “kushte klimatike” të teknologjisë së zhvilluar, dijes së avancuar të biologjisë molekulare me inxhinierinë gjenetike dhe agresivitetit të gjithanshëm të rendit botëror liberal-demokrat, u tregua shumë pjellore për “mbirjen” dhe “rritjen” e teorive konspirative në lidhje me ekzistencën e saj, me origjinën e saj, me pasojat reale që i shkakton ajo ndaj shëndetit të njeriut, me masat e detyruara për kufizimin e përhapjes së infeksionit nga ajo, me vaksinën kundër sëmundjes COVID19 etj., por që shumë nga ato, si pasojë e cilësisë së përbërjes së tyre, që nuk i rezistojnë kohës si dëshmuese e paanshme, o nuk lëshuan fare “fruta” o ato që tentuan të lidhin “fruta” nuk i rezistuan “tharjes” dhe “kalbëzimit” të tyre. Ndoshta nuk ka ngelur ose janë një a dy teori konspirative që vazhdojnë të tentojnë të arrijnë pjekjen, duke i rezistuar mjedisit refuzues dhe armiqësor për ato.
Nga teoritë konspirative që qarkulluan nga fillimi i pandemisë, ato si:”Virusi nuk ekziston”; “Virusi është si një grip i rëndë”; “Nuk sëmuren e vdesin nga koronavirusi, por nga valët 5G” e të tjera të kësaj natyre, të shkëputura nga realiteti, s’kishin si t’i rezistojnë “stuhisë” dhe “acarit” të kohës, e cila solli dëshmi edhe të shuarjes së jetës në tokë nga COVID19.
Në përballjen e parë u duk shqetësuese teoria se “Nëpërmjet vaksinës mund t’u futen në organizmin e njerëzve nanoteknologji,…”, dhe varianti me të njëjtin kuptim se “Koronavirusi i ri po shfrytëzohet që, nëpërmjet vaksinimit, të futen mikroçipa, përmes të cilëve do të mundësohet mbikëqyrja e njerëzve”. Kjo teori, sot për sot, bart në vetvete pikëpyetje pamundësie, të cilat lidhen kryesisht me dëmin që do t’i shkaktonin shëndetit të njerëzve, pa harruar se flasim për një vaksinim masiv të popullatës. Por, nuk mund të përjashtohet kategorikisht ekzistenca e projekteve studimore të kësaj natyre.
Dëgjuam edhe teori se: “Koronavirusi është rezultat i një projekti që tenton ta ulë numrin e popullatës botërore.” Fatkeqësisht, nuk gjenden argumente bindëse për ta mohuar ekzistencën e mendjeve që mund të jenë të interesuara dhe që përpiqen të projektojnë marrëzi të tilla, por as nuk mund të flasim me fakte që do të dëshmonin se koronavirusi është një krijim laboratorik në funksion të një projekti të tillë ose se pandemia shfrytëzohet në interes të realizimit të këtij qëllimi kriminal.
Zërat se “Industria farmaceutike është e përfshirë në përhapjen e koronavirusit” nuk mund të dëshmohen dhe mendoj se nuk janë të vërteta, por që kjo industri dhe korporata të tjera përpiqen që sa më shumë ta rrisin kapitalin e tyre, duke e shfrytëzuar e dëmtuar njeriun dhe resurset natyrore me ambientin jetësor kjo është e dukshme, shqetësuese dhe shumë e dhimbshme.
Për teorinë konspirative se “Koronavirusi i ri është krijuar si armë biologjike” nuk janë sjellë dhe as nuk gjejmë argumente bindëse.
Gjithashtu, edhe për dyshimin se “Virusi ka dalë nga një laborator në Wuhan të Kinës”, deri tani, nuk kemi dëgjuar dëshmi të qëndrueshme nga një hetim i fshehtë ose publik që do ta dëshmonte si të vërtetë ose do ta mohonte atë.
I mbetet Kohës të dëshmojë, nëse për ndonjërën nga teoritë konspirative, të përfolur në ditët e sotme, e cila ndoshta mbart në vete substancë të mundshme, do të shpërfaqet nesër ndonjë argument që do ta vërtetojë si realitet.
E sotmja që duhet të na bëjë të përgjegjshëm për të nesërmen
Është e dukshme se “i padukshmi me kurorë”, me bëmat e detyrës së tij, e nxori në sipërfaqe krizën shumëplanëshe të sistemit të organizimit të jetës së shoqërisë njerëzore në nivel botëror. Kjo krizë, me rrënjë e shtat te grykësia e padrejtësia socio-ekonomike dhe te shthurja psiko-sociale e njeriut, është produkt i demokracisë liberale si sistem organizimi politik, social, ekonomik dhe kulturor, të cilën si asnjëherë më parë, pandemia, e ka zhveshur dhe e ka nxjerrë në pozitë nga ku dëshmohet e gabuar ideologjia e saj për njeriun si “qenie sociale”, për jetën, për lirinë, për dijen, për ekonominë (kapitalin – fitimin financiar dhe shfrytëzimin e burimeve-resurseve natyrore), si dhe për pushtetin.
Pa e pasur për qëllim analizën e këtij shqetësimi madhor, i cili ka të bëjë jo vetëm me të sotmen, por edhe me të ardhmen e sistemit ndërkombëtar – rendit botëror, nëpërmjet të të cilit hegjemonët dhe oligarkët politikë, ekonomikë dhe kulturorë, me dhunë dhe joshje e kanë përcaktuar rrugën kah ecë njerëzimi, do të sjellim më poshtë disa shqetësime që pandemia i bëri më të dukshme ose që kanë lidhshmëri të drejtpërdrejtë me atë. Ato janë çështje të mprehta të tehut të shpatës së hegjemonëve dhe oligarkëve, të cilat sigurisht i mendojnë dhe i diskutojnë sipas këndvështrimit të tyre shumë të interesuar e të preokupuar për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë njerëzore.
- 1. Me vetë masat e ndërmarra, për mbrojtjen nga SarsCov2, si rekomandime të OBSH-së, të bazuara te epidemiologjia si shkencë, të miratuara nga qeveritë dhe të zbatuara nga institucionet e shteteve dhe të pranuara në masë të madhe nga individët në të gjithë botën, u dëshmua se “liria individuale”, si esenca e shoqërisë sipas demokracisë liberale, është e paqëndrueshme dhe e gabuar. Në mungesë të përgjegjësisë, “liria individuale” jo vetëm që nuk përbën lirinë e vërtetë – lirinë që e sjellë harmoninë dhe lumturinë e individit dhe të shoqërisë në përgjithësi, por edhe vendi ku e kanë vënë atë nuk i takon asaj, por i përket “instinktit të vetëmbrojtjes”, të cilin pandemia natyrshëm e nxori të dukshëm, të ndjeshëm, të domosdoshëm dhe të vërtetë. Kështu, pandemia solli dëshmi praktike me peshë jete, e cila dëshmoi se përcaktimi epistemologjik i mendimit filozofik liberal-demokrat, “individi i lirë”, është i gabuar.
Jeta e njeriut, është dhuratë nga Zoti, të cilën e kemi detyrim ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta ndërtojmë sipas rregullave dhe normave që sjellin harmoni me veten, me të tjerët dhe ambientin jetësor me të gjithë pjesëmarrësit në atë,
- Pa i mohuar anët pozitive të komunikimit digjital dhe të marrëdhënieve virtuale të realizuara nëpërmjet ndërmjetësimit të teknologjisë, pa mëdyshje mund të thuhet se anët negative të tyre, të cilat e kanë përpirë shoqërinë në përmasa botërore, po e shpërfaqin për çdo ditë edhe më shumë të keqen e errësirës së tyre, kjo në dëm të njeriut si individ dhe të shoqërisë si tërësi.
Është e ndjeshme dhe e dhimbshme kur shohim se individualizmi po zë vend si një mënyrë jetese që e largon dhe e zbeh ndjesinë e individit si “qenie sociale”, duke e shpërbërë shoqërinë tradicionale me thellimin e agresivitetit për flakjen e normave morale të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore konservatore, të cilat e ruajnë natyrshmërinë e realitetit të vërtetë të gjërave. E vërteta dhe e dobishmja e organizimit të jetës sonë sociale po zëvendësohet me virtualen, artificialen, iluzionin individual, me mashtrime sociale; me vullnetin dhe ndezjen e shfrenuar në kundërshtim me vetveten, duke ia dhënë dhe skllavëruar atë ideve dhe koncepteve të demokracisë liberale për sa më shumë përfitime, qejfe dhe kënaqësi personale mbi çdo gjë tjetër. Këto dukuri, në të njëjtën kohë, janë produkt dhe shkaktarë të zemrës së verbuar dhe pazotësisë së individit për mendjen e tij, si pasojë e të cilave shoqëria është e sëmurë, vuan nga “neurozat sociale”. Ky vizion i jetës, sipas demokracisë liberale për qenien, dhe bindja se në ditët e sotme “çdo gjë është e arritshme”, duke e mohuar dhe “sfiduar” edhe Zotin, e ka futur njeriun në humnerën e mosnjohjes së vetvetes – të humbjes së vetes – dhe do të vazhdojë ta zhysë edhe më shumë shoqërinë njerëzore në errësirën e “neurotizmit social” dhe patologjive të tjera psiko-sociale, të cilat e prodhojnë perceptimin e gabuar të jetës në këtë botë – mungesën e harmonisë dhe palumturinë.
- Pandemia, kjo krizë botërore, në të cilën dominoi egoizmi i shteteve në përballjen me atë, e nxori në pah jo vetëm mungesën e një shteti me rol “lideri ndërkombëtar” në menaxhimin e saj, por edhe mungesën e bashkëpunimit dhe ndërveprimit të nevojshëm dhe të sinqertë ndërmjet shteteve. Në gjithë këtë periudhë pandemie, asnjë shtet nuk tregoi vullnet dhe kapacitete për hartimin dhe vënien në zbatim të një plani menaxhues të bazuar në bashkëpunimin me vendet e tjera, për ta trajtuar botën e kapluar nga kjo krizë me drejtësi dhe barazi në shpërndarjen të mjeteve dhe nevojave të tjera në përballjen me menaxhimin e saj. Përkundrazi, edhe gjatë kësaj krize dominoi si prioritet interesi vetjak politik dhe ekonomik shfrytëzues, i cili pasqyrohet si rezultat i mungesës së vlerave dhe parimeve të vërteta morale, të cilat janë të domosdoshme për harmoninë dhe progresin në tokë. Në këto lloje krizash, në veçanti është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar dhe kjo është e pakontestueshme, por gjatë kësaj pandemie sjellja e shteteve me potencial ekonomik, infrastrukturë prodhuese dhe sisteme shëndetësore, që gjykohen të konsoliduara, dëshmoi se mbështetja dhe rritja e kapaciteteve vetjake shtetërore është prioritet. Në kushtet e marrëdhënieve të sotme ndërkombëtare, pandemia është një mësim për shtetet që u mungojnë këto kapacitete kombëtare.
- Këtu duhet theksuar se, pavarësisht rolit të vaksinimit në parandalimin e shumë sëmundjeve infektive, merita absolute dhe e pazëvendësueshme për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës të njeriut në tokë nga sëmundjet infektive, por edhe sëmundjet në përgjithësi, i takon vetëm sistemit tonë imunitar, të lindur dhe të fituar në rrugë natyrore. Vaksina vjen më pas, vetëm si një mënyrë që sigurisht e ka ndikimin e saj në uljen e shkallës së sëmundshmërisë, vdekjeve dhe invaliditetit nga sëmundjet infektive, por edhe me një rrezik të mundshëm, për pasoja në shëndetin e njeriut, i cili – sipas statistikave zyrtare – rezulton të jetë i papërfillshëm në raport me të mirat e imunizimit nëpërmjet vaksinimit të popullatës.
Pavarësisht arritjeve në fushën e imunologjisë dhe teknologjisë së nevojshme shkencore për studimin e sistemit imunitar të njeriut, madhështia e tij akoma nuk është e njohur në detaje. Edhe pse nga studime shkencore vazhdojmë të marrim informacione të reja për këtë sistem mbrojtës, ndoshta asnjëherë s’kemi për të arritur ta mësojmë e ta njohim përsosmërinë e tij nga vetë Zoti – Krijues dhe Njohës Absolut i njeriut dhe mbarë kozmosit me të gjitha qeniet në të, për ta mbrojtur vetë njeriun në tokë. Por, të kuptohemi dhe të mos harrojmë se e kemi detyrim hyjnor që ta vlerësojmë dhe t’i shtojmë dijet për ta ruajtur dhe kur është e nevojshme të përpiqemi ta shërojmë shëndetin tonë – sëmundjet nga të cilat mund të goditet dhe të vuajë shëndeti ynë.
- 5. Në një periudhë gati njëvjecare të përballjes sfiduese të shkencës mjekësore me SARS-CoV-2 asnjë nga medikamentet e përdorura në trajtimin e sëmundjes COVID-19 nuk dëshmoi efikasitet në masën që të na bënte entuziastë, duke e ulur shkallën të vdekshmërisë dhe të përhapjes së infeksionit, kjo si një mundësi që do të na ofronte kontroll mbi sëmundjen. Por, si rezultat i përpjekjeve të kërkimeve shkencore, që përkojnë me fundvitin 2020, rregullatorët “US FDA” dhe “EMA” e aprovuan për aplikim vaksinën “COVID-19”, të prodhuar me “teknologjinë e transferimit gjenik”. Derisa po shkruajmë, vaksina, nëpërmjet së cilës po realizohet imunizimi i popullatës, e ka fituar atributin si “arma më e sofistikuar për t’u përballur me këtë pandemi”. Edhe pse rezultati i efikasitetit të saj nuk është plotësisht në përputhshmëri me efikasitetin e proklamuar për atë, duhet pranuar se ajo është prodhimi mjekësor më i arrirë për kontrollin e infeksionit nga SARS CoV-2.
Efikasiteti i vaksinës (niveli i mbrojtjes që i jep një popullate) është faktor shumë i rëndësishëm në suksesin e një vaksine, por nuk është e gjithë historia e suksesit. Me vlerësimin e shqetësimeve të shumta dhe problemeve të mëdha nga sëmundja COVID-19, imunizimi i popullatës, nëpërmjet vaksinës, në një situatë që kërkonte ndërhyrje urgjente për vënien në kontroll të infeksionit, fitoi epërsi për miratimin e përshpejtuar të saj.
Presioni i kësaj urgjence, si asnjëherë më parë për produktet mjekësore në studim, për vaksinën COVID-19 e shkurtoi kohëzgjatjen e nevojshme të përcaktuar sipas rregullave fikse për monitorimin e analizën në fushën e sigurisë së efekteve afatgjata, që ndoshta mund ta japin ato. Vaksinat COVID-19 u prodhuan dhe u miratuan nga rregullatorët pas një periudhe kohore shumë të shkurtër, prej rreth një viti nga shfaqja e pandemisë. Të shpresojmë dhe urojmë që, në fushën e sigurisë së këtyre vaksinave, të mos ketë një prush të padukshëm sot, i cili ndoshta nesër do ta ndizte zjarrin që edhe mund të djegë ndonjë pjesë të “rrënjës” ose të ndonjë “dege” të shëndetit të njeriut, as në përqindje domethënëse të popullatës njerëzore, as në atë përqindje që mendohet dhe quhet e papërfillshme.
Ky shqetësim është kuptimplotë, sepse pretendohet vaksinim në masë të madhe i popullatës së shëndoshë, rreth 80% të saj, por, të kuptohemi, flasim për mundësi risku të supozuar, i cili jodomosdoshmërisht do të ndodhë, por as nuk mund të përjashtohet me siguri të plotë. (Për të mos u keqkuptuar, unë dhe familja ime jemi vaksinuar.)
- Historia e armëve të shfarosjes në masë e njeh realitetin e “përbindëshit” super të frikshëm dhe çmendurisht të adhuruar, armën bërthamore, të cilën në “strofkat” e tyre e ruajnë disa shtete si thesar të veçantë, për kërcënim, mbrojtje dhe supremaci. Vitet e fundit po dalin informacione për të dyshuar se ndoshta në laboratorë të disa shteteve kundërshtare dhe konkurrente, të cilat posedojnë teknologjinë dhe shkencëtarët me dijen e nevojshme, po hulumtohet për prodhimin ose tanimë është prodhuar një përbindësh tjetër, arma biologjike (virale). Duke u bazuar në mundësitë të dijes shkencore dhe mendjet e djallëzuara, në ditët e sotme nuk mund të përjashtohet me siguri të plotë se, ndoshta, një ose disa shtete, tanimë në arsenalin e armëve të tyre, si sekret ushtarak, presin për ta futur ose tanimë mund ta numërojnë edhe armën biologjike (virale). Besoj se gjithkush nga ne do të donte të mos kishte asnjë të vërtetë në këto dyshime, sepse, në esencë, këto armë, përbëjnë çmenduri kriminale antinjerëzore.
- Pandemia e SARS-CoV-2 do të futet në historinë e shëndetit publik dhe do të jetë pjesë e referencave në diskutimet dhe analizat e krizave të tjera që i bëri më të dukshme dhe i thelloi më shumë. Por, njeriu do të përballet me sfida të tjera serioze, të cilat janë vepra të çmendurisë së tij të zgjatur, si pasojë e të cilave rrezikon ta privojë veten për ushqime, ajër dhe ujë të shëndetshëm. Sakatosja e mjedisit jetësor, me shfrytëzimin e egër dhe ndotjen asfiksuese, ngrohja klimatike, prodhimet ushqimore dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht dhe ato bujqësore të prodhuara me përdorimin e kimikateve sintetike, janë lak në qafën e njeriut, të cilin çdo ditë e më shumë vetë njeriu me dorën e tij po e shtrëngon pa e vlerësuar dhe pa u ndërgjegjësuar se po e mbyt vetveten.
Ku po shkojmë?
Njeriut i vjen e keqja nga rënia në kurthin e djallëzores, duke i “gëlltitur”, duke u nënshtruar dhe u bëre rob i “karremeve” ideore të mbarsura me intrigë, joshje, ego të sëmurë, inat, smirë, dhunë detyruese, shfrytëzim…, pasion për kapital, pushtet dhe famë, të cilat vazhdojnë ta thellojnë edhe më shumë mungesën e harmonisë me veten, me të tjerët dhe ambientin jetësor me të gjitha gjallesat në atë. Si pasojë, edhe të lumturisë së tij në tokë.
Virusi i ri, i cili nga shumë politikanë, artistë, shkencëtarë, burrështetas, biznesmenë, por edhe disa përfaqësues religjiozë, u akuzua si “armik i padukshëm”, do të bëhet pothuajse i parrezikshëm për shëndetin e njeriut dhe, më pas, do të largohet plotësisht, por çështja që duhet të na preokupojë është se a do të ketë mësuar njeriu nga leksioni që na mbajti ky “i padukshëm me kurorë”.
Hegjemonët dhe oligarkët politikë, ekonomikë dhe kulturorë, duke i ruajtur idetë e konceptet e liberalizmit dhe ndoshta edhe duke i pasuruar ato me djallëzi të tjera, janë dhe do të vazhdojnë të jenë armiq të vërtetë të vetvetes, të njerëzimit dhe botës në tërësi, por edhe njerëzit e zakonshëm, të joshur e të ndikuar nga kurthet dhe nën dhunën detyruese të tyre, do ta thellojnë, tjerrin e thurin procesin e shthurjes së vetvetes – individit, familjes dhe mbarë shoqërisë njerëzore.
Kohën, në të cilën duhet ta endim jetën tonë për njohje të vetvetes dhe për dije në interes të njeriut, të cilat të çojnë te harmonia, lumturia dhe shpëtim, shumë nga njerëzit e jetojnë për varfërim shpirtëror, kotësi, teke dhe vullnete të mbrapshta e të shfrenuara në dëm të vetvetes dhe shoqërisë në përgjithësi, gjë që të shpie drejt ndëshkimit e humbjes.
Njeriu është i “përzgjedhuri”, është “karakteri” kryesor në tokë, prandaj edhe përgjegjësitë i takojnë atij!
“Pasha kohën!” (Kuran: “Koha”: 1)