I riu përfundon në spital në Strugë pas helmimit me alkool – Shitësit nën hetim

Strugë – Një i mitur nga Tetova ka përfunduar në gjendje të pandërgjegjshme në Qendrën Mjekësore të Strugës, pasi kishte konsumuar pije alkoolike që, sipas informacioneve të SPB Ohër, i kishte blerë në një pikë shitjeje në qytet. Pas ngjarjes, është ngritur kallëzim penal ndaj personit juridik, menaxherit dhe një punonjësi të objektit.
Sipas njoftimit të SPB Ohër, Njësia për Punë të Brendshme Strugë ka paraqitur kallëzim penal për veprën penale “Shitja e pijeve alkoolike te fëmijët”, sipas Kodit Penal.
“Të kallëzuarit, pa kërkuar dokument identifikimi personal, i kanë mundësuar të miturit të blejë alkool, nga konsumimi i të cilit më vonë ka ndodhur helmimi. Personi është dërguar në institucion mjekësor në gjendje të rëndë,” deklaroi zëdhënësi i SPB Ohër, duke shtuar se në këtë mënyrë është shkelur ndalesa ligjore për shitjen e alkoolit të miturve.
Rasti i është dorëzuar Prokurorisë kompetente për procedurë të mëtejshme.