Aktuale

Ibrahimi kërkon përgjigje: Çfarë tha Ali Ahmeti në Hagë për UÇK-në?

I

Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të Ali Ahmetit, e cila u bë gjatë një tubimi kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ahmeti kishte krahasuar situatën aktuale në Kosovë me periudhën e demonstratave kundër Serbisë, duke e cilësuar të ngjashme në përjetim.

“U desh ta dëgjoj disa herë këtë që t’u besoj veshëve”, shkruan Ibrahimi në reagimin e tij, duke e quajtur deklaratën përtej kategorisë së turpit. Ai thekson se, ndonëse mund të ketë mendime të ndryshme për lidershipin aktual të Kosovës, nuk mund të barazohet Kosova e lirë dhe e pavarur me atë të okupuar nga Serbia.

Ibrahimi rikujton se nisma e Ballkanit të Hapur, e mbështetur nga Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, është ide e vetë Ali Ahmetit. Sipas tij, kjo nismë ka qenë mënyra më e drejtpërdrejtë për rikthimin e ndikimit serb në rajon, përfshirë edhe në Kosovë.

Ai përmend gjithashtu disa momente të cilat i sheh si të dëmshme: pritjen e Vuçiqit me nderime në Shën Naum, keqardhjen e Vuçiqit për humbjen e BDI-së, si dhe mungesën e një qëndrimi të qartë për agresionin terrorist serb në Banjskë.

Sipas Ibrahimit, “ajo ide perëndoi, siç po perëndon edhe z. Ahmeti me këto politika ataviste”.
Në fund, ai ngre një pyetje publike: a ka treguar Ali Ahmeti në Prishtinë se çfarë ka deklaruar para hetuesve të Gjykatës Speciale në lidhje me hetimet për të arrestuarit e UÇK-së në Hagë?
Duke përmbyllur reagimin e tij me një thënie të famshme të Heminguejt, Ibrahimi shkruan: “Dhe, mos pyet se për kë bie kambana. Ajo po bie për ty”.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button