Aktuale

Inspektori Ilievski për 21-tv:Përveç në UT me ministrat Nuhiu dhe Ademi, parregullësi ka edhe në universitetin e Ramiz Merkos

Pas inspektimit të rregullt në Universitetin e Tetovës është konstatuar parregullsi në avancimin në docent të tre funksionarëve publik të cilët ishin dhe vazhdojnë të jenë në institucione publike. Këtë e thotë për Tv21 inspektori për Arsim të Lartë, Gjorgji Ilievski.  Ai thotë se pas publikimit të rasteve ka kërcënime nga funksionarë.

“Probleme veç më kam, kam shumë presione, kam kërcënime duke filluar nga funksionarët publik po edhe të tjerë. Duan të më frikësojnë që ta ndalë atë. Edhe ministri i Arsimit dhe zëvendës-ministri i punëve të brendshme më kanë lutur që ta ndaloj dhe ta fsheh këtë rast. Kjo nuk mund të fshihet sepse tashmë është krim dhe keqpërdorim nga ana ime”, theksoi Gjorgji Ilievski, Inspektor i Lartë i Arsimit.

Zëvendës Ministrin për Punë të Brendshme Agim Nuhiun e pyetëm se a është e vërtetë që ka kërkuar nga inspektori që rasti të heshtet, por nuk arritëm të marrim përgjigje, pasi që i njëjti nuk i’ u përgjigj thirrjeve dhe porosive tona. Nuk u përgjigj as Ministri i Arsimit, Arbër Ademi,  për të cilin nga kabineti i tij na thanë se është jashtë vendit. Ademi dy ditë më parë tha se procedurën e avancimit e ka udhëhequr UT-ja.

“Avancimi im dhe procedura e avancimit është udhëhequr nga ana e Universitetit. Ju e dini se universitetet janë ata që publikojnë konkurse dhe shpallje për emërim dhe ri-emërim dhe në të cilin kandidatët e interesuar aplikojnë. Kështu që për çfarëdo procedure ne jemi këtu dhe i inkurajojmë organet të zbatojnë dhe t’i respektojnë procedurat ligjore”, deklaroi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Inspektori i arsimit Gjorgji Ilievski thotë parregullsi ka edhe në universitete tjera në vend.

“Jo vetëm në Universitetin e Tetovës, “Nënë Tereza” apo Shën “Cirili dhe Metodi”, apo atë të Manastirit, ose Shtipit, gjithkund ku ekziston parregullsi. Ne nuk shohim se a është ai i Tetovës. Kemi situatë katastrofale në Universitetin e Strugës. Ai universitet i cili është në pronësi të Ramiz Merkos. Zotëria ka diplomë të pa nostrifikuar nga Novi Pazari dhe gëzon titullin docent dhe profesor. Gjithashtu bashkëshortja e rektorit, Besa Kadriu, e cila është notere me profesion, gjithashtu ka diplomë të pa nostrifikuar nga Novi Pazari për doktor dhe gëzon gradën docent. Të gjithë këtë ne e kemi thënë”, deklaroi Inspektori i Lartë i Arsimit, Gjorgji Ilievski.

Ilievski shton se kontrolle kanë kryer edhe në Universitetin e Cirilit dhe Metodit, më konkretisht kanë kontrolluar emërtimin e ministrit Tevdovski dhe zëvendës-kryeministrit Koço Angjushev. Ai thotë se zgjidhja e tyre është bërë në mënyrë të rregullt. Ilievski thotë se personat që kryejnë funksione publike nuk kanë të drejtë të ligjërojnë në universitete, por nëse e bëjnë një gjë të tillë për të njëjtën nuk duhet të paguhen.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button