IKE PARA KOHE I NDERUAR MËSUES SELAMI!

Në vend të in memoriamit!

IKE PARA KOHE I NDERUAR MËSUES SELAMI!
(Selami Vinca 1942 – 2021)

Shkruan:
Bexhet AsaniStrugaLajm

Selami Vinca lindi më 21 maj të vitit 1942, në fshatin Veleshtë të Strugës. Prindërit e tij kryesisht janë marrë me bujqësi, por që kishin një dashuri të jashtëzakonshme për shkollimin e fëmijëve të tyre. Selamiu shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes në Veleshtë. Shkollën për mësuesi Normalen e mbaroi në Shkup. Për 38 vjet do të punoj si mësues në Veleshtën e tij të dashur. Pas daljes në pension kishte më shumë kohë për aktivitete të tjera, kështu ai do t’ i përkushtohet shkrimeve. Shkruan për të rritur dhe për fëmijë.
Më 21 mars të viti 2014, gazetarja Blerona Jakupi e interviston Selamiun për “Portalb”, midis tjerash ai thotë: “Dashuria për truallin dhe pragun, për arsimin, për luftën pakompromis të ç’do lloj qeverie dhe pushteti që binte ndesh me interesat e mëdha kombëtare. Unë si shumë shqiptarë të tjerë, përjetova dhunën dhe torturat fizike e psikologjike, prangat dhe burgosjet e atëkohshme ende i kam të freskëta. Kjo është ajo për të cilën kam shkruar në veprën time të parë “E sotmja ka një të djeshme” por edhe në vëllimet e sapobotuara me poezi”. Këtë mund ta thonë vetëm mësuesit me ndjenja atdhetare e kombëtare siç ishte Selami Vinca. Mësuesi Selami Vinca në fillim të viteve shtatëdhjetë akuzohet nga pushteti ish jugosllav se paskësh kënduar “Këngë për Enver Hoxhën” dhe se indoktrinonte rininë shqiptare, për këtë shkak, bashkë me kolegët e tij Vahit Nasufin dhe Riza Kondrin dënohen me nga gjashtë muaj burg. Që të tre e vuajnë dënimin. Që të jetë edhe më i madh absurditeti i kohës, pas gjashtë muajsh, pasi e kryejnë dënimin shpallen të pafajshëm…! Këtu shihet se me çfarë torturash përballeshin nga regjimi i kohës, mësuesit dhe krijuesit entuziastë, të cilët me mish e me shpirt ishin në shërbim të popullit si Selami Vinca, Vahit Nasufi dhe Riza Kondri e shumë të tjerë.
Ndërsa për dy vëllimet e tij me poezi shkruan: “Poezitë e sapobotuara kanë tematika të larmishme dhe janë ndarë në cikle. Pra, dy vëllimet “O këngët e mia” dhe “Dallëndyshe eja” kanë tematika sa aktuale aq edhe të kahershme por që unë dhe brezi im i kemi aktuale sidoqoftë. Poezi të ndryshme për familjet e internuara shqiptare, për sundimin e egër, poezi për dashuri të humbura, për atdheun e shtrenjtë etj.”.
Selami Vinca nuk ishte vetëm një mësues i njohur por ai kishte pasion edhe muzikën. I binte shumë bukur mandolinës, të cilën e kishte mësuar në Normale. Ai ishte anëtar i rregullt në Shoqërinë Artistike “Migjeni” të Strugës. Përveç asaj që merrte pjesë në korin e kësaj shoqërie ai bënte pjesë edhe në grupin e mandolinave.
Mësuesi dhe shkrimtari Selami Vinca ishte anëtarë i rregullt, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit. Pjesmarrës në Festivalin Mbrëmjet e poezisë strugane dhe në shumë aktivitete tjera kulturore në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Selami Vinca iku në amshim në janar të këtij viti (2021), po na la trashëgim këto vepra me vlerë shkencore, artistike e edukative: “E sotmja ka një të djeshme”, “Ju presim ne”, “Pa të kaluar nuk ka ardhmëri” “O këngët e mia”, “Dallëndyshe eja” etj.
Poeti Lebit Murtishi post mortum të kolegut të tij Selami Vincës do t’ i kushtoj poezinë me titull “Do t’ i mungosh Poezisë…”
Do t’i mungosh poezisë…
( Poetit Selami Vinca)
1.
Strugës i iku një poet
Pa asnjë bujë si poet.
Poetët kanë një dell të shenjtë
Pëlqejnë zhurmët kur bota hesht…
2.
Do t’i mungosh Veleshtës tënde
Hijes të Rrapeve, sigurisht,
Por pak më shumë ikja jote
Do t’i mungojë poezisë…
Ndërsa poeti buzëdrinas Vahit Nasufi, njëherit edhe shok i idealeve me Selami Vincën, ditën e shkuarjes së tij në botën tjetër, me keqardhje do të shkruaj:
Kur vdes mësuesi…
(Në ditën e varrimit të mësuesit, poetit dhe të përndjekurit Selami Vinca)
“Ike dhe ti o shoku im Selami!
Derisa ishe gjallë, bëre atë që kishe ëndërr dhe passion…
“Në hijen e portokalleve” tingujt e mandolinës do të jehojnë gjithmonë…
Kur vdes mësuesi poet, vdekja ka një tjetër kuptim…
Por këtë si për çudi nuk e kuptuan ose nuk deshën ta kuptojnë
ata që trashin qafën dhe ndërrojnë kolltukët çdo ditë.
Të njëjtit munguan edhe në varrimin tend!
Vallë kaq poshtë bie ndërgjegjja e njeriut?!
Të paktën mund të bënin diçka të vogël, shumë të vogël.
Sa kushton një kurorë me lule?!”StrugaLajm

Qoftë i paharrueshëm kujtimi për mësuesin dhe shkrimtarin Selami Vinca!


Loading...
loading...