Ilirët e (pa)harruar

Moikom ZEQO

Të pafundme janë librat që janë shkruar për ilirët. Dëshmi të autorëve antikë i përmendin përherë ilirët. Populli i madh i ilirëve sëbashku me thrakasit, sipas Herodotit, përbëjnë popujt më të mëdhenj të lashtësisë pas hinduesve. Burimet kronikore përvijojnë historira të ndërthurura dhe sinkretike për ilirët në epokat e motshmërisë. Të tërë historianët seriozë të botës nuk mtojnë t’i shmangin ilirët nga historia e qytetërimeve të njerëzimit. Ekzistenca e ilirëve është një ekzistencë e patjetërsueshme dhe e padyshimtë. Ilirologu më i madh, prof.Stipçeviç ka botuar një vepër fundamentale, të quajtur “Bibliographia Ilyrica”. Shfletimi i kësaj vepre nuk është thjesht një trill kurioziteti. Ata që se kanë parë këtë vepër mund të flasin për Hënën por që s’kanë shkelur asnjëherë në sipërfaqen e Hënës. Çudira të tilla gazmore dhe të trishtueshme janë të pafundme. Pa i studjuar ilirët mundet ose ti mitizosh, ose ti përbuzësh., por asnjëherë me siguri nuk mund t’i kuptosh. Qëllimi im nuk është për të vërtetuar atë që nuk ka nevojë të vërtetohet: ekzistencën e ilirëve. Si hulumtues dhe arkeolog i kam kushtuar një pjesë të madhe të jetës sime njohjes dhe kuptimit të çështjes së ilirëve në histori. Kjo çështje është e trifishtë. Së pari është çështje e ballafaqimit dhe kriticizmit serioz dhe akribik të burimeve të autorëve antikë për Ilirinë dhe ilirët, së dyti, është çështja e glosave, toponimeve dhe antroponimeve, që janë pasaportizuar si të qytetërimit dhe të gjuhës ilire, së treti, është bota e rizbuluar, e zhveshur nga lëvozhgat e paemërsisë ndërmjet arkeologjisë së monumenteve dhe të dhënave jashtëzakonisht të pasura dhe interesante të qytetërimit ilir.

PËRPJEKJE LILIPUTËSH

Në këtë trinitet tejet shkencor dhe diturak për fat të mirë, dy shekujt e fundit shkencëtarë nga më seriozët dhe më autoritativë të Evropës dhe të botës kanë bërë disa struktura mendore dhe sinteza të palëkundura që do të formonin disiplinën e padiskutueshme të ilirologjisë, disiplinë kryesore për shkencat e gjenezave, kthjellëzimeve dhe historisë së qytetërimeve të popujve të botës. Ilirologjia është përuruar nga shkencëtarë të huaj të cilët nuk kishin stimulime politike, as kompleksin e apologjive false. Këta shkencëtarë fillimisht u nisën nga glosat ilire dhe gjetën një përputhje jo të rastësishme me të dhënat kronikore të autorëve antikë për Ilirinë dhe ilirët. Kjo ndërthurje bëhej një shtrat gjeografikisht të përcaktuar dhe të saktë. Kriticimi i tyre qe domethënës dhe të nisur nga një krahasueshmëri rigoroze ata përftonin jo vetëm një vizion por edhe një histori konkrete, të pafallsifikueshme dhe aspak të shpikur të ilirëve në histori. Kjo gjë nuk mund të vihet në dyshim nga askush, kurrsesi “revolucionet publicistike” të komplekseve të ç’mitizimeve për hir të ekzibicionizmave vetiakë nuk kanë të bëjë fare me të vërtetën shkencore. Fakti që monopoli i ilirologjisë zotërohej nga dijetarë të huaj nuk qe fatal, sepse konkretisht në shek.XX edhe dijetarët shqiptarë kryesisht në rrafshin gjuhësor, por edhe atë arkeologjik si të thuash zbuluan një botë, që konsiderohej e humbur, duke konkretizuar të vërtetat e mëdha të një historie të pamohueshme. Çështja e ilirëve nuk i ka shpëtuar mëtimeve të ndryshme, madje dhe të skajshme. Ka patur edhe mohime ekleziastike të ilirëve për t’i quajtur edhe një popull fantazmagorik. Po këto qenë përpjekje liliputësh, karakteristikë kjo, e amatorëve delirantë, me prapavija politike shumë të qarta. Gjithashtu ka patur përpjekje për ti ngulitur ilirëve kompleksin frojdian të inferioritetit, simetrikisht edhe të kundërtën, kompleksin absurd të madhështisë së kotë. Të shumta janë librat vendimtarë për ilirët. Një nga librat më autoritarë është ai i dijetarit J.Willkes. i quajtur “The Yllirians”, botuar në Oxford më 1992. Ai që s’e ka lexuar këtë libër nuk mund ta bëjë përgjegjës autorin e librit, se për ç’arsye për shkak të injorancës tipologjike nuk ka arritur ta lexojë këtë libër. Një nga arkeologët më të mëdhenj në botë Theodor Mommsen në korpusin e tij madhështor të mbishkrimeve në rrafsh evropian është pioner themelvënës i ilirologjisë. Librat e Mommsenit zënë një bibliotekë, e cila është më e rëndë se faqet e tabloidëve. Publicistika nuk është e barabartë me shkencën. Mediatizmi me shpejtësi të pabesuar i artikujve është njëkohësisht edhe një liri për të dërdëllitur apo një kiç kulture që s’ka asnjë lidhje me seriozitetin shkencor.

Është meritë e jashtëzakonshme e filologut gjenial Eqrem Çabej, i cili duke u mbështetur në shkollën gjermane të ilirologjisë shtroi si askush dhe argumentoi me një dituri të pabesueshme çështjen vërtetë të diskutueshme të prejardhjes së shqiptarëve edhe nga ilirët. Është një meritë e pamohueshme e arkeologëve shqiptarë, që me zbulimet e tyre dhanë një ndihmesë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Sintezat e historianëve shqiptarë për fat të keq nuk janë në nivel të kënaqshëm, përshkrimet inventarizuese kërkojnë akoma mëndje të fuqishme të kulturës së sintezës. Megjithatë, miku dhe kolegu im i vjetër Neritan Ceka e ka botuar librin e tij “Ilirët”, ku metodikisht dhe qartë bën publike urbi et orbi jo vetëm botën ilire, por dhe etnogjenezën e shqiptarëve edhe prej ilirëve. Zbulimi kryesor më i madh arkeologjik në Shqipëri në shek.XX lidhet me kulturën prehistorike nga më të vjetrat në Evropë në pellgun e Fushës së Korçës, por edhe në pika të tjera gjeografike të Shqipërisë. Për herë të parë, përmes një materiali, për fat të keq, pjesërisht të botuar, ne mësojmë për preilirët e epokës së neolitit dhe të eneolitit, për protoilirët e epokës së bronzit dhe të hekurit dhe për përmendjen historike të ilirëve. Herodoti dhe Tukididi, Aristoteli dhe Hekateu, Skylaksi etj., janë tepër konkretë në të dhënat e tyre historike për ilirët.

STUDIME JO VETËM PËR ILIRËT BALLKANIKË

Prehistoria në kronologjinë e së cilës ka një meritë të padiskutuar dijetari i madh, arkeologu emblematik dhe i papërsëritshëm, miku im Frano Prendi, jo vetëm që riformuloi idenë e gjenezës, por u bë baza e birësisë (filiacionit) të popullsisë vendase në procesin e saj të zhvillimit nga preilirët te protoilirët dhe te vetë ilirët. Nuk kam ndërmend këtu të skicoj ato gjëra që tashmë janë bërë pronë e paluajtshme e pronës intelektuale shkencore. Asnjë dijetar dhe asnjë shkencëtar serioz nuk bën më akrobacira apo shakara, ata nuk venë në dyshim ekzistencën e ilirëve, por bëjnë saktësisht studimin e tyre të thukët. Është e vërtetë që në vitet 30 të shek. XX i mirënjohuri Hans Krahe bëri një tejlakim me teorinë e tij të panilirizmit, gjë që u kapërcye shumë shpejt. Por studimi i fiseve të shumta të popullit kontinental të ilirëve është një proces hulumtues me të papritura nga më të çuditshmet. Studimet nuk kufizohen vetëm për ilirët ballkanikë ose të Gadishullit ilirik, por flitet edhe për ilirët e Gadishullit Apenin, konkretisht dhe për kulturën material, madje dhe shkrimore të ilirëve mesapë,pa harruar edhe ata japigë. Korpusi i mbishkrimeve mesape sipas studiuesit të madh Karlo De Simone, lidhet edhe me substancën e gjuhës ilire, kështu miti që ilirët nuk kanë shkruar gjuhën e tyre, të paktën duhet revizionuar. Studimi i glosave ilire në mënyrë të veçantë nga Jokli, Majeri dhe sidomos nga Eqrem Çabej, e lidhin ilirishten me shqipen. S’mund të thuhet që ky studim është i përfunduar, por s’mund të thuhet që ky studim është një problematikë e gjallë dhe e patjetërsueshme. Në rrafshin historik arkeologjia shqiptare ka zbuluar të dhëna jo vetëm për jetën paraqytetare ilire, ose protourbane, por ka folur konkretisht për qytetin ilir si koncept organizativ dhe politik, si dhe për historinë politike të shtetit ilir, i cili përfundon në vitin 168 p.e.sonë kur mundet mbreti Genti nga romakët. Është gjetur varri monumental i mbretit Gent, që ruhet në Gubio të Italisë ende dhe sot. Ky varr është një monument, që nuk mund të ç’bëhet, as të shpiket dhe as të mohohet.

Është e vërtetë që mohimi i ilirëve tani është diçka e pamundur. Çështja më e vështirë dhe më delikate, për pasojë akoma dhe më e rëndësishme është çështja e birësisë së shqiptarëve prej ilirëve. Një ekuacion i tillë, që përfshin dëshmitë kronikore, glosat dhe faktet arkeologjike është ravizuar qartë në studime serioze. Gjeneza e shqiptarëve duke filluar nga arbërit e hershëm është e vërtetë që kërkon studime të reja dhe më të thelluara dhe sidomos shumë disiplinore. Të gjitha arritjet madhore të shkencës, flasin qartë që populli shqiptar është autokton në viset e veta për shkak të vijimësisë historike, që është gjeografike dhe gjuhësore, si dhe kulturologjike dhe shpirtërore. Teoritë e prejardhjes së shqiptarëve janë të shumta dhe nga optika të ndryshme. Politikat antishqiptare kanë krijuar formula të prejardhjes së shqiptarëve që nga Kaukazi, nga Veriu i Evropës, nga Azia e Vogël, madje dhe nga Irlanda, ndoshta dhe nga planeti Mars. Ka teori bizare, që shqiptarët i bën të prejardhur nga Arabia, akoma më qesharake janë teoritë e amalgamës, sipas të cilave shqiptarët janë një popull pa identitet, por një hibrid popujsh të ndryshëm dhe të rastësishëm, një metaforë kolonizimesh të ndërthurura dhe të alambikuara nga trilli i fatit dhe paradokset e historisë. Dikur një kryeministër i Serbisë, i quajtur Gjeorgjeviç shkroi një libër ku i quan shqiptarët në mënyrë pezhorative “Evgjitët e Evropës, një racë kreole, barbarësh të paditur dhe pa kulturë, pa gjuhë dhe letërsi, pa dinjitet dhe të kriminalizuar në ind”. Ka teori që duke mohuar rëndshëm autoktoninë e shqiptarë i bëjnë ata ardhacakë kryesisht në shek.XII dhe për rrjedhim përvetësues të trojeve të “të tjerëve”. Akademikët serbë kanë krijuar kështu me këtë tezë një delir kinse të frikshëm, por dhe me një absurd qesharak. Për fat të mirë shkenca serioze i është shmangur politizimeve të neveritshme dhe antishqiptare. Origjina e shqiptarëve ka disa teori që duhen marrë parasysh. Këto teori nisen nga kushti kryesor formuluar së pari nga vepra prej pionieri e Franc Boppit, se gjuha shqipe është një gjuhë indevropiane, me përbërës autoktonë të tejlashtë, madje me disa përbërës paraevropianë, fakt ky tepër i rëndësishëm. Shqipja si gjuhë indevropiane është çelësi dhe kodi i rikthimit në histori drejt gjenezës. Problemi i burimit të gjuhës shqipe lidhet me një numër çështjesh të tjera të mëdha. Dy teori kryesore janë të rëndësishme. Një teori lidhet me analogjitë gjuhësore iliro-shqiptare dhe tregon se shqiptarët burojnë prej ilirëve. Teoria tjetër merr në konsideratë afëritë e thrakishtes me shqipen, pa mohuar dhe afëritë e vetë ilirishtes me thrakishten. Teoria e tretë është ajo e sintezës, që formulohet më afër dhe më prekshëm së vërtetës së formimi i gjuhës shqipe lidhet jo vetëm më ilirishten por dhe me një dimension thrakas.

Teoria e sintezës qe ajo që i kushtoi kujdes te veçantë kolosi i gjuhësisë shqiptare Eqrem Çabej. Nuk është vendi përe të rreshtuar argumentet e një diturie universale, që i reflekton dhe i skalit përjetë Çabej i pavdekshëm. Argumenti i gjoja një golle, boshllëku, i mospërmendjes së emrit të shqiptarëve nga shek.II i erës sonë, kur Ptolemeu i Aleksandrisë, shënon qytetin Albanopolis si kërthizën, epiqendër të albanëve dhe deri në shek XI, kur kronistët bizantinë Ataliati dhe Ana Komnena, i përmendin përsëri këta albanë nuk është një argument fatal. Dijetari Johan Thumanni ka shkruar më 1774 për shqiptarët “në historinë e tyre nuk kam gjetur ndonjë gjurmë të një emigracioni të mëpastajmë, gjuha e tyre na ka dhënë të tilla dëshmi për fatin e popullit, që unë nuk mund të mos njoh tek ky popull, fqinjët e lashtë të grekërve dhe nënshtetasit e Romës së vjetër. Po të dyja këto më kallxojnë ilirët”.

PROCESI I VIJIMËSISË

Kretschmeri ka thënë “mendimi që gjuha shqipe paraqet fazën më të re të ilirishtes së vjetër, ose si shprehet me të matur, Gustav Majeri të një dialekti ilir, është në bazë të të gjithë situacionit aq afër mendjes, sa duhej njeriu të sillte arsye shumë të rënda për ta hedhur poshtë, sepse shqiptarët banojnë atje, ku në kohë të vjetër rronin popujt ilirë”. Kjo do të thotë që ilirët jo vetëm kanë jetuar në brigjet bregdetare, por edhe shqiptarët rrjedhimisht i kanë viset e tyre autoktone brigjet bregdetare. Kjo vërtetohet edhe nga dëshmitë e toponomastikës shqiptare që sipas Çabejt janë zhvilluar sipas ligjeve të fonetikës shqipe, gjë që vërteton pikërisht vijimësinë. Elementët paraindevropianë në shqip nuk mund të flasin për një ardhje të vonë të shqiptarëve. Autoktonia e shqiptarëve vërtetohet dhe nga huazimet e vjetra greke, kryesisht dorike ose të ashtuquajturit dorizëm ilir. E njëjta pikë reference e pashlyeshme lidhet dhe me huazimet e latinishtes, tepër të hershme, madje edhe në një çështje kolosale siç është ajo e terminologjisë së krishtërimit të hershëm te shqiptarët duke filluar nga shek. I pas Krishtit. Shtresëzimi i huazimeve dalmate, spanjolle, italiane, anzhuine, që vijnë nga Evropa Perëndimore janë gjithashtu të vijueshme në kohë dhe hapësirë dhe vërtetojnë gjithashtu autoktoninë. Çuditërisht këtë gjë e vërtetojnë në një kah tjetër dhe huazimet sllave madje dhe ato turke. Teoria e huazimeve lidhet jo vetëm me qënien e kontakteve, por edhe të mosshkëputjes së vendbanimit të shqiptarëve nga vetë shqiptarët, me ngjarjet e mëdha të lëvizjeve nga Perëndimi dhe Lindja. Një temë më vete është marrëdhëniet e shqipes me rumanishten, ku elementet latine me shqipen dhe rumanishten lidhen edhe me elementet jolatine në këto dy gjuhë. Të përbashkëtat midis tyre krijuan teorinë e substratit, teori e cila u ndoq nga shumë dijetarë por këtu është harruar vërejtja shumë e rëndësishme e Çabejt, që teoria e substratit nuk ka karakter përfundimtar se kjo do të parakuptonte eleminimin e njërës nga gjuhët. Të dalim tashmë tek ajo që është më vendimtare, jo tek huazimet leksikore, por tek sintaksa tepër konservative dhe e veçantë e gjuhës shqipe. Arkeologjikisht mund të them që e shtuquajtura kulturë e Komanit ose e arbërve të hershëm në shek.V-VII pas Krishtit, vërteton materialisht gjithashtu procesin e vijimësisë të autoktonisë dhe të etnogjenezës së shqiptarëve. Teoria e Vajgandit është tepër e njohur. Të gjitha pikat e kësaj teorie u morën në konsideratë dhe u studjuan seriozisht nga Eqrem Çabej. Këtu qëndron një nga vlerat më kolosale të shkencëtarit tonë, i cili me fakte dhe logjikë të pamohueshme tregoi vijimësinë e shqiptarëve në trojet tona duke përfshirë edhe disa fjalë kryesore të leksikut detar siç është fjala det, fjala anije (që vjen nga fjala enë) dhe terminologji të tjeraa vendase. Të vesh në dyshim autoktoninë e shqiptarëve, do të thotë të bëhesh personazh humoristik i Erazmit të Roterdamit. Një paskuil të fëlliqur shkroi një farë Kapllan Resuli, padyshim duke i bërë jehonë tezave shoviniste serbe. Publicitika e ditës për autoktoninë e shqiptarëve mund të jetë interesante për bujë mediatike, por është pëllcitëse si fishekzjarrët e kualitetit më të rëndomtë.

Secili mund të thotë: Ilirët? Ç’janë këta ilirë? Ç’duan ilirët më shqiptarët? Ç’janë këta shqiptarë? Ilirët, ah këta ngatërrestarë! Shqiptarët, ah këta të marrë! Heshtja e akademikëve tanë të nderuar e arkeologëve dhe e historianëve është turpi i tyre. E vërteta është përtej vetvetes, përtej të gjithë atyre, që e kuptojnë, apo nuk e kuptojnë të vërtetën.


Loading...
loading...