BLENDI PETROL
Aktuale

Themelohet Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani

Qëllimi i Shoqatës, siç shprehet nënkryetari i kësaj shoqate, Ardian Mustafai, është për arsye humane në përgjithësi, por edhe për të ndihmuar edhe mjekët e rinj që vijnë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova

Urim HASIPI

Mjekët shqiptarë që tashmë punojnë dhe veprojnë nëpër spitalet anembanë Gjermanisë, së fundi kanë themeluar Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Sipas nënkryetarit të kësaj shoqate, Ardian Mustafai, ideja ka qenë që të gjithë mjekët të grumbullohen në një shoqatë për patur një koordinim më të mirë, shkruan gazeta KOHA.

“Duke patur parasysh fluksin e madh të mjekëve shqiptarë viteve të fundit në Gjermani, si dhe largësinë mes njëri-tjetrit, duhej një organizim më i mirëfilltë ku të gjithë do jemi të bashkuar në një qellim e ide, pra në një Shoqatë të Mjekëve Shqiptarë dhe domosdoshmërinë të jemi më afër njëri-tjetrit në aspektin e bashkëpunimit. Me një përkushtim dhe vetëmohim dhe pas bisedave të shumta dhe konsultimeve mes kolegëve, e ndërmorëm hapin e parë të zyrtarizojmë themelimin e shoqatës në Berlin”, thotë Mustafai. Qëllimi i Shoqatës është për arsye humane në përgjithësi, por edhe për të ndihmuar edhe mjekët e rinj që vijnë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

“Si qëllim parësor është integrimi i mjekëve të rinj shqiptarë, të cilët kanë marrë rrugën për në Gjermani për qëllime shkollimi, pra së paku të sigurojmë përkrahje morale për ata nëpërmjet dhënies së informacioneve. Qëllim tjetër është edhe përkrahja dhe ndihma e pacientëve shqiptarë, të cilët kanë nevojë për shërim jashtë vendit përmes kontakteve me Klinikat me Renome në Gjermani. Afirmimi i vlerave etike e intelektuale të shqiptarëve në Gjermani si pjesë e një elite Intelektuale në shoqërinë gjermane”, thekson në mes tjerash Mustafai.

Por, një qëllim tjetër është që zëri i mjekëve shqiptarë të dëgjohet edhe në qarqet vendimmarrëse në Gjermani. “Qëllim tjetër është edhe integrimi i mirëfilltë në të gjitha qarqet akademike në Gjermani si një pasqyrë e vlerave të shqiptarëve të brezit të ri. Kyçja në proceset integruese në politikëbërjen e politikave shëndetësore në Gjermani me pjesëmarrjen e zërit të mjekut shqiptarë. Mundësia e sjelljes së aparaturave moderne të përdorura nga Gjermania në vendlindje, pra falas. Të gjithë kapacitetin tonë ta vëmë në shërbim të kombit tonë dhe zëri ynë nga tash e tutje të dëgjohet i bashkuar në këtë shoqatë, në të mirë të atyre që kanë nevojë për ne”, sqaroi nënkryetari Mustafai.

Para disa ditësh, në Berlin, me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të mjekëve shqiptarë në Gjermani dhe me një votim transparent, për kryetar u zgjodh mjekja Marsela Ceno, kurse nënkryetar Ardian Mustafai. Sfidë mbetet që në këtë shoqatë të gravitojnë të gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani dhe të realizohen projekte humane për të mirën e komunitetit shqiptarë. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button