Ja cilat kompani qarkullojnë afër 2 miliardë euro

Fabrikat e investitorëve të huaj në zonat industriale, tregtia me derivatet e naftës dhe energji elektrik, tregtia me pakicë , telekomunikacioni, përpunimi i nikelit dhe hekurit dhe xehet, këto janë bizneset që bëjnë më shumë para në ekonominë e Maqedonisë së Veriut
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 qershor – Fabrikat e investitorëve të huaj në zonat industriale, tregtia me derivatet e naftës dhe rrymë, tregtia me pakicë, telekomunikacioni, përpunimi i nikelit dhe hekurit dhe xehet. Këto janë bizneset që bëjnë më shumë para në ekonominë e Maqedonisë së Veriut.
Xhonson Meti me një qarkullim prej 1.9 miliardë euro në vitin e kaluar i prin listës së kompanive më të fuqishme në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Kompania britanike e hapi fabrikën e parë të saj në zonën e Bunarxhikut në vitin 2010 për të prodhuar katalizatorë për industrinë e automjeteve që ulin ndotjen e ambientit. Në vitin 2013 ajo hapi edhe fabrikën e saj të dytë, duke rritur fuqishëm edhe qarkullimin e saj prej 1.2 miliardë euro në vitin 2017 në afër 2 miliardë euro në vitin e kaluar. Ajo punëson mbi 1000 punëtorë.
Në vendin e dytë sipas qarkullimit me afër 452 milionë euro renditet kompania OKTA, që vite me radhë është kompania që tregton me derivatet e naftës dhe nuk po përpunon naftën në rafinerinë në Shkup. Si rrjedhojë e zhvillimeve të pavolitshme në vitet 2013 -2014, për shumicën e rafinerive evropiane edhe OKTA u orientua jo në përpunimin por në tregtinë me naftë. Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se në Evropë dhe në botë po të mbijetojnë në treg vetëm rafineritë me teknologji të avancuar apo që kanë qasje ndaj burimeve të lira të naftës së papërpunuar. OKTA në janar të vitit 2013, apo në muajin e fundit që po zhvillonte prodhimtarinë kishte një humbje prej më shumë se 70 dollarë për një ton karburant të prodhuar. Në vendin e tretë me një xhiro prej 372 milionë euro në vendin e tretë renditet kompania vendore Makpetroll e tregtisë me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës. Me 126 pompa të benzinës në tërë vendin ajo disponon me rrjetin më të madh të shitjes dhe shtrin aktivitetin e saj në çdo cep të shtetit. Kjo kompani aksionare është prezente edhe në Bursën e Maqedonisë dhe punëson mbi 2000 punëtorë. Në vendin e katërt me qarkullim prej 248 milionë euro renditet edhe një kompani e huaj që punon në shtatë vitet e kaluara në Manastir. Krombert dhe Shubert punëson mbi 6000 të punësuar në zonën industriale” Zhabeni”,duke prodhuar kabllo për Mercedesin, Audin, Shkodën, BMV-në etj.
EVN Maqedoni në vitin 2019 kishte qarkullim prej 242 milionë euro, ndërsa në vendin e gjashtë sërish renditet sipas qarkullimit, Van Holl një kompani e huaj nga Belgjika që prodhon autobusë në zonat industriale me afër 179 milionë euro. Pason Telekomi i Maqedonisë me afër 177 milionë euro që për vite me radhë renditet ndër kompanitë me rezultate më të mira të punës në biznesin vendor, pason Euro Nikel Industri apo fabrika ish Feni nga Kavadari në vitin 2019 ka pasur qarkullim prej afër 170 milionë euro. Zinxhir i shitjes me pakicë për mallrat ë konsumit të gjerë për popullatën, Kam në 21 vitet e kaluara është shndërruar në lojtarin më të madh të tregtisë në vend. Ai në vitin 2019 ka qarkulluar afër 149 milionë euro në 70 shitore ku punëson 850 të punësuar. Elektrodistribuimi apo kompania tjetër e EVN ka pasur xhiro prej afër 145 milionë euro. Kompania farmaceutike e prodhimit të ilaçeve Alkaloid ka realizuar qarkullim prej 141 milionë euro. Në vitet e fundit ajo shënon rritje të madhe të eksportit që merr pjesë me mbi 60 për qind në totalin e shitjeve.
Kompania sllovene Geni nga sektori i energjetikës apo shitjes së energjisë elektrike ka realizuar qarkullim prej 136 milionë euro. Ajo në vitin 2012 do të fillojë me ndërtimin e centralit më të madh diellor në vend që pritet të përfundojë në vitin 2023. Pritet që pas përfundimit të prodhohen 25 mijë megavat me çka do të kontribuohet edhe në prodhimin më të madh vendor të energjisë së rinovueshme dhe do të mbështes edhe ndotja më të vogël të ambientit. Kompania e telekomunikacionit, A1 që nga viti kaluar po punon nën emrin e brendit të ri në vitin e kaluar realizoi qarkullim prej 127 milionë euro. Para gjashtë vitesh kompania austriake VIP e bleu kompaninë One,n dërsa Vip filloi me punën në tregun vendor në vitin 2007. Kompania e shitjes së derivateve të naftës, Lukoil ka realizuar xhiro prej afër 116 milionë euro. Ajo në 15 vitet e punës në tregun vendor ka hapur mbi 31 pompa të benzinës në tërë vendin. Fabrika e përpunimeve metalike Igm Trejd nga Kavadari me një orientim të madh në eksport ka realizuare qarkullim prej 109 milionë euro. Kompania Liberti si pjesë e dikurshme e ish hekuranës nga Shkupi prej nga kanë dalë më shumë kompani, ka realizuar në vitin e kaluar qarkullim prej 106 milion euro Ajo është një nga prodhuesit më të mëdhenj të prodhimeve të çelikut në rajon për nevojat e industrisë dhe ndërtimtarisë që punëson mbi 470 punëtorë.
Xeherorja Sasa nga Makedonska Kamenica ka realizuar afër 97 milionë euro. Para tre vitesh pronari i saj u bë kompania “Central Azia Metals”, pasi ajo u shit në Bursën e Londrës nga ana e pronarit të mëparshëm “Links resorsis limited”, për 402 milionë dollar. Kompania EDS apo enerxhi deliver solushën e shitjes së energjisë elektrike në vitin e kaluar ka pasur qarkullim prej afër 94 milion euro. Deri para dy vitesh ajo ishte pronë e ish zëvendëskryeministri Koço Angjushev i cili ja shiti kompanisë kombëtare greke për prodhimtarinë dhe tregti me rrymë PPC për 4.8 milionë euro. Kompania e tregtisë me derivate të naftës, Super Trejd e themeluar në vitin 1991 ka realizuar qarkullim prej afër 94 milion euro. Ajo është partner dhe distributor i kompanisë amerikane Gulf Oil, që prej vitit 2017. Kompania e tregtisë me pakicë dhe shumicë, Tineks që punon nga viti 1994, në vitin e kaluar ka pasur qarkullim apo xhiro prej 92 milionë euro. Ajo posedon mbi 40 objekte të shitjes në 11 qytete në shtet. (koha.mk)