Ja kush përfiton para nga qeveria

Qeveria e Maqedonisë së Veriut prezantoi sot pakon e nëntë të masave kundër krizës në vlerë prej 662 milionë euro.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se nga këto masa do të përfitojnë 120 mijë të rinj studentë e nxënës, 40 mijë fermerë, 187 mijë pensionistë dhe mbi 70 mijë kompani, përcjell INA.

Siç informoi Kovaçevski, këto masa do të fillojnë të zbatohen nga 1 dhjetori dhe do të zgjasin muajt e ardhshëm.

Me këtë paketë, nxënësit e shkollave fillore nga familjet me të ardhura nën 50.000 denarë do të marrin 1.200 denarë në muaj për gjashtë muajt e ardhshëm, ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme në të njëjtën periudhë janë paraparë 1.800 denarë. Në periudhën e ardhshme do të ketë mbështetje për studentët nga jashtë vendbanimit të tyre, si dhe për prindërit e personave me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç.

Studentët që studiojnë jashtë vendbanimit në shtatë muajt e ardhshëm do të marrin vauçerë mujor në vlerë prej 600 deri në 1200 denarë, për të cilat janë planifikuar dy milionë euro. Në pesë muajt e ardhshëm, përfituesit e kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, prindërit e vetëm, përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara deri në 26 vjeç do të marrin 2000 denarë në muaj. Kjo masë përfshin 16741 qytetarë, me një mbështetje totale buxhetore prej 2,7 milionë euro”, tha Kovaçevski.

Masat kundër krizës përfshijnë edhe pensionistët me të ardhurat më të ulëta. Pra, në pesë muajt e ardhshëm, siç informojnë nga Qeveria, ata që kanë pension deri në 14.000 denarë do të marrin 3.000 denarë në muaj, ndërsa ata që marrin pension prej 14 deri në 16 mijë denarë do të marrin 2.000 denarë shtesë në muaj. kurse pensionistët që kanë pension prej 16 deri në 19 mijë denarë do të marrin 1500 denarë në muaj. Për këtë qëllim janë caktuar 35 milionë euro.

Krahas këtyre masave, 492 milionë euro janë planifikuar për ruajtjen e likuiditetit të kompanive, nxitjen e konkurrencës dhe nxitjen e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë në sektorin privat.

Krahas kësaj, Kovaçevski theksoi se po kthehet masa për rritjen e pagave në sektorin privat, duke dhënë mundësi që pagat të rriten nga 3.000 në 10.000 denarë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, i cili po ashtu mori pjesë në prezantimin e masave kundër krizës, në përgjigje të pyetjes sqaroi se këto masa financohen nga hyrja nga taksat publike dhe se nuk financohen nga kreditë dhe se janë të parapara. në buxhetet për vitin 2023 dhe 2024.

In : Aktuale

Loading...
loading...