Jeta fetare në Tatesh të Epërm

Sulejman Sulejmani-Strugalajm

Aktivitete nga jeta fetare në f. Tateshi i Epërm

StrugaLajm

Në këtë artikull të sotëm pasiqë jemi edhe në ditët e fundit të Muajit të shenjtë të Ramazanit do mundohem të përshkruaj mbi jetën dhe disa aktivitete fetare ndër vite në fshat. E kemi të njohur se për kryerjen e obligimeve dhe riteve fetare shërben edhe një kult për kryerjen e tyre e që në fakt ajo është Xhamia apo ndryshe Shtëpia e Zotit. Nga të parët e fshatit ( pra më të moshuarit e ndjerë ) por edhe nga shumë banorë që ende jetojnë , kujtojnë objektin e vjetër fetar-pra Xhaminë e vjetër e cila ka qenë në parcelën -pronë e Vakëfit në krahë të djathtë , rrugës për te varrezat kryesore të fshatit në mes pronës së Rasim Telës ( i ndjerë ) dhe Xhevat Allës. Aty , tregojnë banorët më të vjetër kanë falur Namazet ditore vite të tëra.
Aty rreth viteve të 68-69 ngrihet iniciativë nga vet banorët për ndërtimin e një objekti të ri fetar pra Xhamie të re dhe si lokacion kanë shfrytëzuar parcelën me numër 2107 në qendër të fshatit, poashtu sot pronë e Vakëfit dhe vend ku edhe sot ndodhet Xhamia aktuale. Ndërtimin e objektit e kanë mundësuar banorët e fshatit në mënyrë vullnetare.
Më vonë është ndërtuar edhe një objekt modest dydhomësh për banim të Imamëve të cilët në ato vite kanë qenë nga jashtë fshati jonë gjegjësisht nga treva më të largëta si Tetova, Shkupi, Kërçova, Velesi etj.
Ndër vite edhe në këtë objekt të Xhamisë ka pasur ndërhyrje të herë pas’hershme për përmirësimin e kushteve për faljen e Namazit, si në aspekt të riparimit në strukturën e objektit ( çatisë ) ashtu edhe në rregullimin e enterierit të brendshëm të tij.
Në vitin 1995 u ngrit iniciativë për ngritjen e objektit të ri ndihmës në shërbim të Imamit për shkak të amortizimit të skajshëm të atij egzistues. Objekti u ndërtua me mjete materiale nga vetë banorët dhe poashtu 80% e punimeve u kryen në mënyrë vullnetare nga shumë banorë . Objekti në përdhesë u adoptua për nevoja ndihmëse të Xhamisë , ndërsa kati i epërm do shërbente për banim të Imamit dhe familjes së tij.StrugaLajm

Duhet theksuar se me iniciativën udhëhiqte Kryetari i Këshillit pranë Xhamisë sonë z. Zijadin Abdurramani i shoqëruar edhe nga anëtarët tjerë të Këshillit , i cili trashëgoi këtë pozitë pas një udhëheqje shumë të gjatë ndër vite nga Haxhi z. Shukri Tairi.
Objekti në fjalë – pra shtëpia pēr Imam nga jashtë fshati shërbeu deri sa ishte Imami i fundit nga jashtë , Hoxhë z.Bejadin Neziri nga f. Buzllakovë e Velesit të cilin në vitin 1997 e zëvendësoi Imami nga fshati jonë Hoxhë z. Zijadini. Pas largimit nga detyra e Imamit nga jashtë fshati kati i epërm u dha në shërbim Spitalit të Vevçanit me qera pas djeg’jes së objektit-ambulancës së fshatit. Për momentin vazhdon për qëllim të njëjtë në shfrytëzim nga mjeku Atmi Mamudi i cili bën shërbim mjekësor dy orë brenda ditës.
Më vonë nga ana e një banori nga fshati , Haxhi z. Esat Arsllani u mundësua ndërtimi i një shatërvani-ku ka disa qeshme për marje të abdestit para namazeve për mysafirët dhe kushdo që ka nevojë.
Më vonë u sigurua edhe një makinë për transportin e personave të vdekur-xhenazeve nga ana e gurbetçinjve. Nga inkuadrimi i Hoxhë Zijadinit si Imam me Këshillin e Xhamisë për disa vite me radhë udhëhiqte z.Asim Brao.

Në vitin 2005 u ngrit iniciativë për ndërtimin e një objekti të Ri – pra Xhamia e sotme. Kjo u bë e mundur me mjete financiare të vetë xhematit-banorë të fshatit tonë, por nuk munguan edhe donacione individuale të besimtarëve nga fshatra tjerë nga treva e Strugës. Kështu që në vendin e Xhamisë tashmë të vjetër u ngrit objekti i ri-Xhamia e sotme por me dimensione gati dyfish më të zgjeruara si nevojë e kohës. Tereni mundësoi edhe ndërtimin e një pjese bukur të madhe si podrum-sa gjysma e sipërfaqes në katin kryesor. Nga objekti i vjetêr ngeli vetëm minarja egzistuese. Objektin e ndërtoi NP ,, Dauti ‘’ nga f. Zagraçan me pronar z. Azis Dauti sipas parashikimeve. Me proektin dhe punimet udhëhiqnin Imami Hoxhë Zijadini dhe z. Dashmir Alla, kurse në grumbullimin e mjeteve financiare kontribuan i gjithë Këshilli i Xhamisë sipas një përcaktimi të paraparë. Kishte edhe donatorë që duhet ndoshta veçuar për nga kontributi financiar duke tejkaluar disa herë atë obligativ. Të gjithë kontribuesit pa marrë parasysh sasinë Zoti i shpërbleftë, me gjitha të mirat që mundësuan ngritjen e këtij tempulli të shenjtë ku predikohet feja Islame në kushte bashkëkohore dhe hapësirë më se të mjaftueshme kryhen obligimet fetare. Brenda vitit 2005 u kryen gjitha punimet si të ndërtimit fizik ashtu vazhdoi rregullimi i brendshëm . Gjatë kryerjes së punimeve hapësira e podrumit te objekti ndihmës shërbeu si faltore, kurse me mbarimin e punimeve të fazës së parë podrumi i Xhamisë së re u përdor për falje të namazeve të Teravisë. Shuma totale për ngritjen e këtij Tempulli fetar sillet rreth 200.000 euro.
Vlen të theksohet se për disa vite me radhë funksionoi edhe Forumi Rinor nën përkujdesjen e z. Mirdi Brao, z.Riat Abdurramani, z. Blertim Sulejmani e shumë të tjerë, të përkrahur edhe nga Kryetari i Këshillit z. Shukri Tela me disa aktivitete të tyre e ndër më të rëndësishme veçohet organizimi i natës së Hixhrit me lexime Kuranore nga shumë Imam nga rrethi i Strugës në prezencë edhe të Myftiut të Strugës dhe Ilahi të përgaditura nga anëtarë të rinj të Forumit , si dhe shtrohej një koktej simbolik, ashtu sikurse u veprua edhe në hapjen zyrtare të këtij objekti në përdorim zyrtar në fund të vitit 2005. Poashtu në disa raste Forumi rinor shtroi edhe iftare për Rininë e fshatit.
Objekti është i pajisur dhe i shtruar tërësisht me inventar të ri. Për rregullimin e temperaturës, gjatë verës përkatësisht vendosjen e aparateve klimatike u përkujdes z. Neat Osmani i cili gjithashtu investoi edhe në shtruarjen e katit kryesor me tepih të rinjë. Në ndërkohë u bë rrethimi i parcelës-oborrit të Xhamisë si dhe instalimi i ndriçimit nga të gjithë anët e rrethojës. U rregullua parku dhe një mbulesë për pushim brenda hapësirave të oborrit.
Por aktivitetet nuk ndaluan këtu , nga një banor poashtu nga fshati z. Fuadin Tela u bë e mundur ndërtimi i një objekti ndihmës pranë varrezave të fshatit ku vendosen mjetet e nevojshme për ceremoni mortore dhe garazhë për veturën në shërbim tê Xhamisë.
Poashtu nga ana e një grup gurbetçarësh kryesisht në Zvicër u bë e mundshme asfaltimi i rrugës nga Xhamia deri te varrezat dhe një rrugice brenda tyre.
Poashtu në dy faza u bë rrafshimi i parcelës së varrezave dhe rregullimi me mure mbajtëse për mos shembjen e dheut.
Në ndërkohë u bë e mundur edhe zgjerimi i parcelave të varrezave tjera aktive në dispozicion të mëhallave konkrete siç janë ato të Selmonllarëve dhe Gjelkollarëve në fshat si donacione dhe rrethimi i tyre me rrethoja betoni dhe mrezhë me organizime të familjarëve nga këto mëhalla.
Në vitin 2015 u bë e mundur edhe transferi i parcelës së Akik Shabanit në emër të Vakëfit, gjë që në të ardhmen duhet të bëhet edhe me parcelat e mëhallave tê lartëpërmendura si dhe ato të mëhallës së Jajallarëve.
Proekt i radhës ishte adaptimi i një dhome frigorifer në podrumin e objektit ndihmës për vendosjen e gjenazeve kur familja e personave të vdekur vendosin të presin ardhjen e familjarëve tjerë nga diaspora ose në rastet kur janë temperaturat e larta i mundësuar nga z. Zulfi Alla.
Proekt i veçant ishte Vendimi nga Shoqata e gurbetçarëve të Zvicrës nën udhëheqjen e z. Neim Arsllani dhe kryesisë së tyre për ndërtimin e njê minareje të re e që në fund përfundoi me dy të tilla, në lartësi prej 46 metrave dhe me nga tre sherife-dalje. I gjithë ky projekt u mundësua nga gurbetçarët sidomos atyre zviceran por jo vetëm. Kontribuan edhe të tjerë si gurbetçar nga Austria, Gjermania dhe vendi. Shuma totale arriti vlerën afër 70.000 euro. Ky projekt gjithashtu udhëhiqej nga afër nga Imami Zijadin dhe Kryetari i Këshillit , tashmë që nga fillimviti 2010 z. Shukri Tela.
Shoqata e gurbetçarëve zviceran e përkrahur edhe nga të tjerë gjithashtu bëri të mundur tashmë afër 9 vjet punësimin e një personi z.Naser Etemi për përkujdesjen e mirëmbajtjes së Xhamisë bashkë me oborrin, mirëmbajtjen e varrezave,si dhe pastrimin e rrugëve dhe shesheve në fshat gjegjësisht hapësirave publike.
Ka pasur ndërtime shtesë në hyrje të objektit , përkatësisht mbulesë para hyrjes, investim nga ana e z. Amdi Alla dhe z. Zaim Osmani, mandej një investim në përmirësimin e çatisë-kubes mbi hyrjen nga ana e z.Zifer Ibrahimi. Janë bërë edhe shumë riparime më të vogla në funksion të objektit nga ana e z. Shukri Tela me punëtorët e tij, është shtruar oborri në hyrje të Xhamisë dhe rreth shadërvanit nga ana e ndërmarrjes private Tateshi Kompani të z. Harun Ibrahimi dhe Afrim Sulejmani.
Së fundmi u bë e mundur edhe hapja e një pusi bunari mundësuar nga z. Etem Ibraimi me punë në SHBA si dhe instalimi i gypave përkatësisht lidhjes me sistemin egzistues të ujit. Ndër vite përmes Imamëve dhe Këshillit të Xhamisë bëhet grumbullimi i sadakatulfitrit, herë për nevojat e Medresesë Isa Beu në Shkup e me raste edhe për nevojtarë tjerë në rrethinë e Kosovë. Ka pasur edhe aksione hunanitare për ndërtime të objekteve fetare në vendbanime të ndryshme dhe për familje në nevojë.
Nuk di a kam mundur ti përfshijë gjithë aktivitetet ndër vite, por nëse diçka kam lënë mangët e drejtë e secilit është e mirëseardhur të shtojë përmes komenteve duke kërkuar falje për mospërfshirje në këtë artikull.
Dua të theksoj se jeta fetare në fshat gjithnjë ka qenë e bujshme dhe për tu admiruar nga vetë fakti se aty një pjesë të karierês së tyre kanë filluar dhe kaluar emra të spikatur të fesë islame si Hoxhë Haxhi Sabit Shehu, pastaj Hoxhë Neimi ( sdi mbiemrin ) nga Tetova të dy tash të ndjerë, Hoxhë Ramadani nga Tetova, Hoxhë Selajdini nga rrethi i Shkupit, Hoxhë Adili nga Tetova, Hoxhë Sadik Ramazanoski nga Lisiçani i Kërçovës, për disa muaj Hoxhë MehmetReshati, pastaj Hoxhë Bejadin Neziri nga fshati Buzllakovë rrethi i Velesit dhe natyrisht Hoxha nga fshati dhe aktivisti dhe udhëheqësi i shumë aktiviteteve fetare dhe person shumë i vlerësuar e parimor në jetë dhe ushtrimin e profesionit të tij dhe frymëzues i gjeneratave të reja z. Zijadin Abdurramani i cili tashmë dy vjet gëzon pensionin e merituar duke lënë detyrën poashtu një Imami të ri nga fshati z.Shpendim Ibraimi.
Të gjithë Imamët e lartëpërmendur Zoti i shpërbleftë me të mirat e Allahut fuqiplotë. Për tu përmendur në këtë mozaik do ta zbukurojm duke kujtuar se momentalisht kemi edhe Imam tjerë nga fshati me shërbime në fshatra tjerë si Rilind Ibraimi me shërbim në f.Tateshi i poshtëm si dhe z.Mirdi Brao në fshatin Zhepin, z. Mevlur Aliun në f. Bixhovë, z. Mevludi Arsllani si drejtor i Medresesë në Zagreb, z. Asim Ibraimi me shërbim në Austri, studentin Elham Arsllani në EMIRATET E BASHKUARA ARABE, si Hoxhallarë të diplomuar në Medresenë Isa Beu në Shkup z.Velerd Tela me punë në Zvicër, z.Bleron Brao me punë në SHBA, z. Sulejman Tela me punë në Zvicër, tre të fundit nuk di a janë aktiv në profesion.
Për angazhimet dhe arritjet e disa prej tyre do përgadisim shkrime të posaçme ditëve në vazhdim.
Theks i veçantë i një artikulli të ardhshëm do të jetë mbi kryerjen e kushtit të pestë të fesë Islame – shkuarja ne Haxh’ në vendet e shenjta Mekë dhe Medine e që numri i besimtarëve dhe besimtareve nga fshati sigurisht ndër vite është treshifror dhe përfshin gjenerata nga më të ndryshmet.
Të shkruash për jetën fetare është kënaqësi por për kursim të kohës së lexuesve e mbaroj këtu duke ju treguar se në fund shkrimin do ta shoqërojë një video me foto të aktiviteteve , personave dhe objekteve në fjalë. Kërkoj mirëkuptim për çdo lëshim eventual dhe reagimet me komente për lëshime janë të mirëseardhura. Me shpresën se do jeni kureshtar për këtë këndvështrim timin ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj Natën e madhe të LejletulKadrit dhe zoti na pranoftë agjërimin dhe ibadetet tona. Inshallah në të ardhmen jemi besimtarë të devotshëm dhe në shërbim të jetës dhe kulturês Islame. Mirënjohje për gjithë ata që ndihmojnë në begatimin e jetë fetare me mjete nateriale, shërbime fetare e njerzore.
Në fund ju përshëndesim me përshëndetjen Islame
“Es-Selamu Alejkum Ve Rahmetullah Ve Berekatuhu.”

In : Aktuale

Loading...
loading...