Aktuale

JO DEKOR NË QEVERI

Shkëlzen Halimi

Zgjimi i vetëdijes së fjetur shqiptare dukej si një proces i dhembshëm. Duhej shpresuar se veprimet dramatike do t’u jepnin forcë që të vërtetën ta shikonin në sy dhe se do të përcaktoheshin për një alternativë që nuk do të ishte e çastit, por e përhershme.

Këtë do të duhej ta përcaktonte edhe vetëdija dhe ndërgjegjja e përfaqësuesve të shqiptarëve, të cilët do të duhej kishin vetëm një alternativë: t’i kthehen interesit të popullit dhe t’i lënë pas interesat personale dhe grupore. Lufta e ardhshme e subjekteve politike shqiptare, e organizatave joqeveritare, e inteligjencies së frikësuar, do të duhet të jetë luftë për ngjalljen e shpresave të popullit, për kthimin e besimit, optimizmit. Duhet të marrë fund funksionimi i klaneve, i grupeve të caktuara, duhet të marrë fund mentaliteti provincial, bajraktarizmi, duhet demaskuar përfituesit që keqpërdorin emocionet e popullit, si dhe spiunët e shumtë që janë përpunuar nga shërbimet sekrete.
Shqiptarët s’do të humbin asgjë nëse ia fillojnë nga pika zero. Duhet të merret qëndrim i prerë: në të ardhmen, çdo koalicion ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, do të duhet ta ketë çmimin e vet. Duhet të bindet pala maqedonase se shqiptarët më nuk do të jenë dekor i qeverisë dhe justifikim para ndërkombëtarëve, të cilët do të duhet të binden se shqiptarët asnjëherë nuk kanë hezituar që problemet t’i zgjedhin në mënyrë institucionale. Por, gjithashtu, të gjithë duhet ta dinë se politika institucionale humb kuptimin kur në vendimmarrje vazhdimisht je i mbivotuar (një vlerë absurde e demokracisë ballkanike) dhe, natyrisht, nuk duhet që vazhdimisht konstruktiviteti të kërkohet vetëm nga shqiptarët.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button