Aktuale

K.B. “Sindi”, nga Struga mbyll vitin 2025 me sukses të plotë në Shkup

Klubi i boksit “Sindi” e ka mbyllur sezonin garues për vitin 2025 me sukses të plotë. Këtë të diel (14.12.2025), në qytetin e Shkupit u zhvillua xhiroja e gjashtë dhe e fundit e kampionatit vendor të boksit, ku K.B. “Sindi” mori pjesë me katër boksierë dhe u rikthye me katër fitore.

Aron Skenderi, në kategorinë deri në 54 kg (junior), u përball me boksierin e klubit tetovar “Shkëndija No Limit”. Dy boksierët dhuruan një duel mjaft dinamik, me shkëmbim të vazhdueshëm goditjesh, por Skenderi ishte më dominant gjatë gjithë raundeve dhe u shpall fitues me vendim unanim 3:0.

Arijon Dauti, në kategorinë deri në 75 kg (junior), zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse ndaj boksierit të klubit shkupjan “Univerzalci”. Dauti dominoi që nga fillimi, duke realizuar një knockdown në raundin e parë dhe një tjetër në fillim të raundit të dytë, për të vazhduar menjëherë me knockout vendimtar. Ndeshja u mbyll me fitore të Dautit me KO në raundin e dytë.

Në kategorinë deri në 75 kg (youth), Tome Madzoski u përball me një kundërshtar me përvojë nga klubi “Shkëndija Box” i Tetovës. Madzoski zbatoi me përpikëri planin e tij taktik, duke mos i lënë hapësirë kundërshtarit. Në raundin e dytë ai realizoi një knockdown, çka detyroi gjyqtarin të ndërpresë ndeshjen dhe ta shpallë Madzoskin fitues me TKO.

Alim Nasufi, në kategorinë deri në 80 kg (senior), për fat të keq nuk zhvilloi ndeshje, pasi kundërshtari i tij u tërhoq gjatë matjeve zyrtare. Nasufi u shpall fitues pa luftë.

Ndërkohë, Elham Zeqiri në kategorinë deri në 75 kg zhvilloi një ndeshje miqësore, ku tregoi talent, shpirt luftarak dhe perspektivë të madhe për të ardhmen e tij në boks.

Trajneri Fisnik Hani dhe i gjithë stafi i K.B. “Sindi” u shprehën shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, duke falënderuar njëkohësisht sponsorët “Ensar Gold”, “Silver One Struga”, “Aqua Blue” dhe “Blue Sky” për mbështetjen e vazhdueshme, veçanërisht në këtë xhiro të fundit të sezonit.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button