Aktuale

Kamioni nga Maqedonia përfshihet nga flakët, shoferi humb jetën



Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e së martës në Kroaci, ku një kamion me targa nga Maqedonia e Veriut është përfshirë nga një zjarr i fuqishëm, me pasoja fatale për shoferin.
Ngjarja ka ndodhur në Autostrada A3, pranë Slavonski Brod, në afërsi të vendpushimit Sredanci, rreth orës 15:00.
Sipas informacioneve të para, kamioni po lëvizte nga drejtimi i Zhupanja drejt Slavonski Brod, kur për arsye ende të panjohura shpërtheu zjarri. Brenda pak minutash, mjeti u përfshi plotësisht nga flakët, ndërsa dëshmitarët raportojnë edhe për shpërthime të njëpasnjëshme.
Pavarësisht përpjekjeve të shoferëve të tjerë për të ndërhyrë, intensiteti i zjarrit dhe detonimet e bëra të pamundur afrimin, duke lënë shoferin të bllokuar brenda kabinës.
Si pasojë e flakëve, kamioni theu barrierat mbrojtëse dhe për pak sa nuk përfundoi në korsinë e kundërt, duke rrezikuar edhe automjetet e tjera në qarkullim.
Sipas burimeve jozyrtare, viktima është një shtetas i moshuar nga Maqedonia e Veriut, i cili humbi jetën në vendngjarje. Nuk raportohet për persona të tjerë në kamion, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.
Për shkak të aksidentit, trafiku në autostradë u zhvillua me vështirësi për disa orë në të dy drejtimet.
Autoritetet kroate kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button