Kampioni, Berat Jakupi dhe artistja strugane Betime Zylali: Ju tregojmë sekretin e jetës tonë në çift (FOTO)

Po sjellim këtë herë në intervistë ekskluzive një kombinim personazhesh, një çift që tashmë ka korrur shumë sukses në sferat ku veprojnë. Berat Jakupi, një kampion në karate dhe Betime Zylali – këngëtare, vijnë në këtë bisedë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregojnë mbi karrierën e tyre dhe jetën bashkë si të martuar. Sa shkojnë si çift, çfarë pëlqejnë tek njëri-tjetri, si janë njohur e si po kalojnë kohën bashkë… flasin kështu vajza nga Struga dhe djali nga Gostivari, një kombinim unik

Bisedoi: Blerand REXHEPI

KOHA: Thuhet “dashuria e burrit për gruan kalon nga stomaku”. Përtej shakasë, në të vërtetë Berati është “padroni” i kuzhinës në shtëpinë tuaj. Sa ia shton ky detaj pikët në sytë tuaj?

BERAT&BETI: Është e vërtetë shprehja në fillim të pyetjes, megjithatë Berati nuk di të gatuaj, por edhe unë gatuaj rrallë sepse për ne gatuan mami i Beratit, për shkak se të dy jemi me angazhime të shumta.

KOHA: A mund të na tregoni disa receta që ai shtron në tryezën tuaj?

BETI: Edhe pse unë pëlqej më shumë ushqimet jo shumë të shëndetshme e sidomos desertet i gatuaj më shpesh, por mundohem të jem brenda kornizës të një sportisti dmth me ushqim më të shëndetshme.

KOHA: A tregoheni i kujdesshëm për linjat e një gruaje, që për më tepër ia imponon profesioni?

BERAT: Mundohem që gjatë gjithë kohës të udhëzoj Betimen për ushtrime fizike, sepse është me rëndësi jo vetëm për linjat trupore por edhe për shëndetin në përgjithësi.

KOHA: Cilat janë shijet tuaja të preferuara? Të vijojmë më listën e ushqimeve që nuk preferoni?

BERAT: Nuk i preferoj në përgjithësi produktet e misrit për shkak se dhe jam intolerant dhe ëmbëlsirat nuk i preferoj shumë. Ndërsa më pëlqen më shumë të ha frutat, perimet dhe produktet e mishit.

BETIME: Nuk i preferoj shumë gjellët dhe produktet e qumështit ndërsa më shumë preferoj perimet dhe produktet e mishit sidomos peshkun.

KOHA: Cili është sekreti i linjave tuaja, veç moshës sigurisht…

BETI: Aktiviteti fizik!

KOHA: A bëni dieta? A informoheni në lidhje me ushqimin dhe ushqyerjen? A u përmbaheni këshillave që formulojnë rezultatet e studimeve?

BERAT: Meqenëse e kam bërë testin e intolerances si sportist, kam listën e gjërave të cilat i përshtaten organizmit tim dhe sigurisht që shumicën e kohës jam në dietë të shëndetshme sepse sportin e kam të tillë, pra ku duhet të jem fiks me peshën. Dua të cek këtu se patjetër që dhe unë kam ditë ku e prish dietën dhe ha shumë pizza.

KOHA: Një gotë verë apo një gotë birrë… gjithnjë në kohë vere dhe në plazh?

BETI: Verë.

BERAT: Birrë, por shumë rrallë.

KOHA: Cilit i pëlqen të gatuajë, keni ndërmend që t’ia besoni atij përgjithnjë menaxhimin e kuzhinës?

BETI: Më pëlqen më shumë mua të gatuaj, te Berati ‘skam besim fare në këtë aspekt !

KOHA: A ka rëndësi për ju që pjata që keni përpara të jetë e bukur, apo ju mjafton shija?

BERAT: Për mua ka rëndësi më shumë shija dhe përmbajtja.

BETI: Për mua edhe shija edhe dekori, më pëlqejnë gjërat e bukura.

KOHA: A duhet që tryeza të jetë doemos e shtruar dhe e zbukuruar me lule?StrugaLajm

BERAT&BETI: Ndoshta me raste po, por jo doemos, mjafton të ketë atë që duhet.

KOHA: Më mirë një tavolinë klasike me mbulesë të bardhë apo shumë ngjyra?

BETI: Klasike.

BERAT : Për mua s’ka rëndësi fare.

KOHA: Hani shpejt apo përtypeni ngadalë sikurse edhe specialistët këshillojnë?

BERAT: Unë ha shpejtë edhe pse nuk është e preferueshme.

BETI: Për mua varet nga ushqimi por shumicën e rasteve ha ngadalë.

KOHA: A është tryeza e përditshme domosdoshmëri për komunikimin në çift?

BERAT&BETI: Jo nuk mendojmë që është domosdoshmëri për komunikimin e një çifti, sepse ka dhe vende të tjera ku bëjmë biseda të shumëllojshme, varet nga ambienti, situata dhe dita!

KOHA: Mbani një shishe të madhe me ujë gjithnjë në tryezë?

BERAT&BETI: Po gjithmonë.

KOHA: A e përmbyllni çdo ditë drekën/darkën me një ëmbëlsirë?

BERAT: Jo, i ha rrallë ëmbëlsirat.StrugaLajm

BETI: Shumicën e rasteve PO.

KOHA: Fundjavat ju gjejnë më së shumti në restorant apo argëtoheni duke gatuar në kuzhinë e shtëpisë?

BERAT&BETIME: Fundjavave ndodh shpesh të hamë jashtë, na pëlqen të provojmë ushqime nëpër restorante të ndryshme, sidomos Betimes.

KOHA: Çfarë e karakterizonte Betin që të kur e njihni?

BERAT: Modestia, stili i saj i veçantë në qëndrim dhe biseda.

KOHA: Kush ju ka shtyrë të merreni me muzikë?

BETI: Kam pasur dëshirë që shumë e vogël vet për të kënduar, por shtytës ka qenë familja ime dhe në veçanti kompozitori Vullnet Ibraimi nga Struga.

KOHA: Ti ke pasqyruar atë vajzë të guximshme që po lufton këtë realitet. Cili është mendimi për femrat në kohën e sotme, dhe cili është mendimi i tyre për ty

BETI: Mendoj që duhet ende të luftojmë, të jemi më të guximshme për të arritur qëllimet tona. Mendimi i tyre për mua? Besoj që shumica më vlerësojnë, e kam vërtetuar këtë tashmë.

KOHA: A jeni të lumtur sot?

BETI: Po, plotësisht e lumtur, e përmbushur në të gjithë anët.

BERAT: Po, pa dyshim! Nuk më mungon asgjë për momentin.

KOHA: Në stadin që ju keni arritur sot, si e ndjeni veten në krahasim me këngëtaret e tjera shqiptare?

BETI: Stili im është pak më ndryshe nga muzika që frekuentohet dhe dëgjohet për momentin më shumë, por sigurisht kam ende për të dhënë dhe për të ngjitur karrierën time me muzikë të mirë qoftë ajo ritmike ose edhe baladë.

KOHA: Si është gjendja juaj ekonomike sot?

BERAT&BETI: Është shumë mirë për momentin, por po punojmë shumë fortë të dy për të arritur edhe më shumë.

KOHA: Si e jetoni të përditshmen?

BERAT: Meqenëse jam shumë i angazhuar me sportin, bëj nga dy stërvitje në ditë, mëngjes dhe mbrëmje poashtu në mesdite shfrytëzoj kohën për t’i kryer obligimet e mia në komunën e Gostivarit sepse aty jam këshilltar komunal dhe poashtu në mbrëmje kam angazhim me fëmijët e klubit tim personal të karatesë Asiart. Ditën e kam shumë të ngjeshur por mundohem kohën e lirë t’ia kushtoj familjes e në veçanti Betit.

BETI: Jam e angazhuar me muzikën, se pari me punën e përditshme si drejtoreshë në shkollën fillore të muzikës në Gostivar, pastaj dhe me aktivitete të ndryshme lidhur me muzikën. Në kohën e lirë relaksohem, shëtis me familjen dhe shoqërinë time, bëj sport, lexoj dhe shoh filma.

KOHA: Projekti juaj i ardhshëm?

BETI: Një koncert timin, një projekt muzikorë veror dhe edicionin  e tretë të festivalit për fëmijë “Gostivar Junior Fest”.

BERAT: Lojërat olimpike qëllimi kryesor dhe garat ndërkombëtare.

KOHA: Cili ka qenë propozimi më simpatik që ke marrë nga Berati?

BETI: Propozimi për martesë sigurisht dhe herë pas here për shëtitjet jashtë vendit.

KOHA: A ju ka bërë dhurata?

BETI: Po, zakonisht dhuratat më speciale kur vin nga qytetet e ndryshme të botës të cilat Berati i viziton shpesh për shkak të garave.

KOHA: Për të arritur majat më të larta shumë herë femrat përdorin bukurinë e tyre. Ç’mendoni ju, dhe a e keni përdorur ju një armë të tillë?

BETI: Jam bazuar te talenti, por në skenë dhe ekran ka rëndësi edhe pamja e jashtme, megjithatë nuk e kam përdorur si armë sepse nuk kam dashur të ndjek atë rrugë.

KOHA: Sot keni arritur gjithçka. Çfarë ju mungon momentalisht?

Berat: Padyshim që medalja botërore dhe olimpike normalisht dhe një bebi të vogël.

BETI: Kam ende për të arritur në karrierën muzikore, kurse nga ana e përgjithshme po është radha e bebit.

KOHA: Udhëtoni shumë dhe harxhoni shumë. Vini ndonjë gjë për të ardhmen?

BERAT&BETIME: Bota është e madhe dhe do mundohemi sa herë të mundemi të vizitojmë vende të ndryshme së bashku.

KOHA: Keni rrahur ndonjëherë ndokënd për pikë të qejfit?

BERAT: Jo, asnjëherë nuk më ka ndodhur kjo gjë.

KOHA: Kur shpërthen Beti, ndaj kujt padrejtësie…?

Ndaj të pavërtetave dhe intrigave.


Loading...
loading...