Kandidatët nga koalicioni VLEN do të dihen deri në fund të muajit

Tetovë, 16 qershor – Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash nga radhët e koalicionit VLEN pritet të përfundojë deri në fund të këtij muaji. Kështu ka deklaruar sot kryetari i komunës së Tetovës dhe njëherësh anëtar i kësaj koalicioni, Bilall Kasami. Ai theksoi se pas përfundimit të fazës së përzgjedhjes, do të pasojë edhe marrja e vendimeve politike për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor.
Sipas Kasamit, aktualisht janë duke u zhvilluar edhe anketa për të përcaktuar se cilët prej kandidatëve kanë mbështetjen më të madhe nga qytetarët.
“Jemi në fazën e përzgjedhjes së kandidatëve, një proces pak më kompleks që përfshin bisedime me kandidatë që vijnë si nga partitë politike, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe faktorë të rëndësishëm në shoqëri. Po zhvillojmë anketa për të testuar se cili nga kandidatët gëzon më shumë përkrahje nga votuesit”, deklaroi Kasami.
Procesi i përzgjedhjes po zhvillohet në një kohë kur partitë politike po intensifikojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale, me qëllim të sigurimit të kandidatëve të fuqishëm dhe të pranueshëm për opinionin publik.