Kapet rekord droge në kufi në Bullgari: 206 kilogramë kokainë në veturën e një diplomati

Një sasi gjigante kokaine është kapur nga Policia Kufitare bullgare në pikën kufitare “Kapitan Andreevo”, në një automjet diplomatik që po tentonte të kalonte nga Bullgaria drejt Turqisë, raportojnë mediat vendase. Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria e Qarkut në Haskovo.
Në automjet ndodheshin tre persona: një shtetas bullgar, një shtetas i Kongos me pasaportë diplomatike belge dhe një 54-vjeçare nga Belgjika. Automjeti u përzgjodh për kontroll, ku pas inspektimit me rreze X dhe qen antidrogë, u zbuluan pesë valixhe me fund të fortë, katër në bagazh dhe një pas sediljes së shoferit. Brenda tyre ndodheshin 179 pako me substancë pluhur, që pas analizës u vërtetua të ishte kokainë, me peshë të përgjithshme 206 kilogramë dhe vlerë rreth 37 milionë leva (rreth 19 milionë euro).
Të tre personat janë arrestuar për 72 orë dhe Prokuroria e Haskovës pritet të kërkojë masë paraburgimi të përhershëm. Autoritetet bullgare theksuan se kjo është kapja më e madhe e kokainës ndonjëherë në një kufi tokësor në Bullgari.
Ministrja e Financave, Temenuzhka Petkova, e cilësoi këtë si një sukses të madh të institucioneve dhe dëshmi se Bullgaria po mbron me efikasitet kufijtë e Bashkimit Evropian.
Zyrtarët konfirmuan se vetura kishte hyrë në Bullgari nga Serbia, ndërsa pista hetimore tregon për një rrjet të organizuar kriminal që vepron në territorin e BE-së. Personi me pasaportë diplomatike është identifikuar dhe hetimet po shtrihen edhe ndaj personave të tjerë që dyshohet se kanë ofruar mbështetje logjistike për transportin e drogës.
.gif)




























