Kasami “paralajmëron ” funksionarët e VLEN-it: Do të ketë shkarkime nëse s’ka rezultate

Kryetari i Lëvizjes Besa dhe njëri nga krerët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka paralajmëruar ndryshime në nivele të ndryshme të ekzekutivit, duke theksuar se performanca e disa funksionarëve nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive, raporton Zyrtare.net
Ai bëri të ditur se në mbledhjen e fundit të Qeverisë është realizuar një rokadë në Byronë për Metrologji, pasi, sipas tij, nuk janë arritur rezultatet e pritura.
“Në mbledhjen e Qeverisë dje u bë një rokadë, pasi u konstatua se Byroja për Metrologji nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme, të pritura për votuesin e VLEN-it dhe për qytetarët e këtij vendi. Tani aty kemi drejtor të ri në atë byro të rëndësishme për qytetarët”, deklaroi Kasami në Click Plus në tv21.
Ai theksoi se kjo nuk do të jetë lëvizja e vetme, duke paralajmëruar se edhe ministra, zëvendësministra apo drejtorë të tjerë mund të përballen me shkarkim nëse konstatohet mungesë e rezultateve konkrete.
“Kjo mund t’u ndodhë shumë ministrave, zëvendësministrave dhe drejtorëve, për të cilët konstatohet se nuk kanë dhënë rezultatet e duhura dhe mund të ndërrohen”, tha Kasami./ZYRTARE.net





























