Katalonja dhe katastrofa me paralajmërim

Nga Gabriel GONZÁLEZ

Dy trena nxitojnë kundrejt njeri-tjetrit në Spanjë e askush nuk mund t’i ndalë. Ky imazh mbi kokëfortësinë dhe indinjatën se si kanë vepruar ndaj kësaj krize si Madridi edhe Barcelona, gjatë javëve të kaluara është stërkonsumuar në media. E megjithatë tani trenat u përplasën me të gjithë fuqinë me njeri-tjetrin. Katalonja proklamoi pavarësinë dhe senati spanjoll për herë të parë vulosi për nenin e famshëm 155, qe shfuqizon qeverinë katalonjase dhe që do të thotë heqje e autonomisë.

Eshtë eshtë padyshim një ditë historike kjo në historinë e Spanjës, ose për ta formuluar pak më neutrale, një ditë që do të thotë një ndryshim i thellë. Katër herë është proklamuar në historinë e këtij rajoni një “Republikë Katalonjase” apo një “shtet Katalonjas”. Për herë të parë në shekullin e 17-të gjatë kryengritjes “Guerra dels Segadors”, pastaj gjatë Republikës së parë Spanjolle më 1873, dhe më vonë gjatë republikës së dytë Spanjolle, në prag të luftës civile në Spanjë më 1931 dhe 1934. Në të gjitha këto raste paraardhëse nuk bëhej fjalë për shpallje të plotë të pavarësisë, por për proklamime të një shteti të mëvetësishëm katalonjas brenda një shteti të menduar federal të Spanjës. Të gjitha këto “pavarësi” të Katalonjës nuk kanë zgjatur më shumë se disa ditë.

POLITIKANI I PAPJEKUR RAJOY

Edhe më e pakuptimtë duket kjo pavarësi për herë të parë e vërtetë e katalonjasve, prej nga të lind pyetja, se si qe kjo e mundur. Përse pikërisht në vitin 2017, kur në kuadër të një shteti demokratik ligjor të Spanjës katalonjasve u janë garantuar të drejta të zgjeruara autonomie dhe janë të integruar në BE e jetojnë në mirëqenie e paqe?

Për t’iu përgjigjur pyetjes duhet së pari që të hedhësh vështrimin nga Spanja, por jo vetëm. Mënyra se si partia konservatore në pushtet e drejtuar nga Mariano Rajoy është përpjekur pa asnjë sens empatie dhe sensibiliteti diplomatik duke u kapur vetëm pas neneve, dëshmon për një mungesë tronditëse të fantazisë. Rajoy nuk është i pjekur sa duhet për postin që drejton dhe ai më së voni që nga viti 2010, kur Gjykata Kushtetuese spanjolle me nismën e saj e rrëzoi statutin e auonomisë katalonjase të aktualizuar më 2006, ka kontribuar dukshëm në thellimin e krizës.

IRLANDË MESDHETARE E VERIUT?

Natyrisht në kërkim të shkaqeve dhe përgjegjësive duhet të shohësh edhe nga Barcelona. Politikani katalonjas Lluis Rabell së fundi duke nënkutpuar referendumin në Skoci tha, se: “Të mos biem të flemë me një ëndërr nga Skocia, e pastaj të zgjohemi me një Irlandë të Veriut”. Në ditët e ardhëshme do të duket, nëse propaganduesit populistë në mënyrë të njëanshme dhe ilegale do ta shndërrojnë Katalonjën në një Irlandë mesdhetare të Veriut. Këtë nuk e do askush, por duhet pasur një frikë e tillë.

Më së voni në këtë pikë edhe politikanit më të përgjumur të BE-së duhet t’i bjerë në sy, se këtu nuk kemi të bëjmë më vetëm me një problem spanjoll. Një lloj i ri i “gripit spanjoll” në formën e deklarimeve unilaterlae të pavarësisë mund të infektojë edhe vende të tjera në BE. Ndaj BE-ja nuk duhet të heshtë vazhdimisht si në rastin e Skocisë e tani edhe të Katalonjës. Më në fund ajo duhet të marrë masat “profilaktike” duke kontribuuar në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e problemit, kur si në rastin e Spanjës, qeveria qendrore është tërësisht e mbingarkuar.


Loading...
loading...